Prof. Lush Susaj: Monizmi është diktaturë, që korrupton dhe kriminalizon

213
Sigal

Analizë nga Prof. Lush SUSAJ: Nëse në monizmin e djeshëm enveristë, flitej dhe veprohej me të ashtuquajturat levat e partisë, në monizmin e sotëm flitet dhe veprohet me shoqatat, krushqitë dhe me patronazhistët e partisë. Monizmi shfaqet atje ku çdo gjë prodhohet thjesht e vetëm për propagandë, fiktivitet dhe sofizëm. Shqipëria e sotme është shëmbulli më i keq i kalimit nga një sistem burgjesh dhe vrasjesh kriminale të Enverizmit në një sistem korrupsioni e dëbimi kriminal të popullsisë.

Intervistoi Albert Z. ZHOLI

Kaotizmi, politik e mediatik janë elementët thelbësorë për të denifizuar llojin e shtetit që ne trashëgojmë, një neodiktaturë e thellë, në tranzicion vetëm të kohës e jo të integrimit shoqëror e politik të shtetit. Fitorja e PS në zgjedhjet e fundit tregoi se ende demokracia reale në Shqipëri është e dyshimtë. Ka vetëm një zgjidhje për t’i dhënë fund demagogjisë, zhdukjes së memories kolektive, farsitetit politik, vetëm ndërgjegjësimi i votuesve për të dhënë një votë reale ndaj politikës së egër që marrin para nga taksapaguesit. Vetëm vota e peshuar, shpëton njëherë e mirë politikën nga e shkuara, shqiptarët nga demagogjia dhe i jep mundësi shoqërisë të integrohet nëpërmjet transparencës. U kthen shqiptarëve dinjitetin moral, u kthen borxhin moral të martirizuarve nga diktatura dhe pastron njëherë e mirë, parlamentin dhe partitë politike nga mëkatarët, që sot janë kthyer në demagogë të kohës moderne.

-Shpesh herë ju në artikujt tuaj përmendni se Shqipëria është ende në monizëm.  Pra sipas jush ka ngjashmëri të lartë midis monizmit të djeshëm e të sotëm. Ku e gjeni bazën e kësaj deklarate?

Nuk ka njeri që nuk e ka kuptuar që Shqipëria e sotme, sikurse Shqipëria e viteve 1945-1990, po vuan dhe po humbë kohë nën sundimin e një partie e të një drejtuesi politik të vetëm. Por që me anë të propagandës, korrupsionit dhe fiktivitetit, duket që kanë mbyllur çdo hapësirë lirie, debati dhe konkurimi të vlerave, ideve dhe projekteve zhvillimore. Shkenca e filozofisë dhe historisë na mëson që monizmi është njëlloj i dëmshëm e regresiv, pavarësisht nga koha, nga vendi, apo nga forma e shfaqjes dhe emëri i sundimtarit apo diktatorit. Monizmi shfaqet atje ku çdo gjë prodhohet thjesht e vetëm për propagandë, fiktivitet dhe sofizëm, në shërbim të shpërlarjes së trurit dhe të memorjes së një populli të dhunuar e të vjedhur në çdo sekondë të jetës së tij. E kaluara dhe e tashmja jonë na mëson që nga monizmi nuk buron asgjë e mirë, asgjë Euro-Atlantike. Përkundrazi, pasojat e kudoshfaqura e më të dukshme të monizmit janë rritja e polarizimit dhe konfliktualitetit shoqëror e politik, humbja e aftësive reaguese e prodhuese të shoqërisë, rritja e papunësisë dhe varfërisë, thellimi i përçarjeve krahinore, etnike e fetare, etj. Që të gjitha në shërbim të egoizmit dhe të pasurimit pa rregull e meritë të një grushti njerëzish, që në asnjë rast nuk përbëjnë më shumë se 5% të popullsisë. Eshtë fiks ajo që dihet nga të gjithë, ku në monizmin aktual, sikurse në monizmin e njohur të Enverit, shteti, ekonomia, institucionet, investimet e çdo gjë tjetër, janë në shërbim të një pakice, që nuk kalon mbi 5% të popullsisë. Propaganda, përçarja dhe trushpëlarja e bëjnë fiktive demokracinë, si dhe ekzistencën dhe jetën e elitës dhe institucioneve. Në këto kushte, jetën shoqërore e politike e dominojnë pandëshkueshmëria, amoraliteti politikë e shoqërorë dhe korrupsioni në çdo gjë.

Shqipëria është shëmbulli apo muzeu më tipik i konspiracionit dhe errësirës politike, është shëmbulli më i frikshëm i vdekjes së reagimit qytetar dhe intelektual, dhe rrëshqitjes apo kalimit gradual e pakundërshti nga njëra diktaturë tek tjetra. Shqipëria e sotme është shëmbulli më i keq i kalimit nga një sistem burgjesh dhe vrasjesh kriminale të Enverizmit në një sistem korrupsioni e dëbimi kriminal të popullsisë dhe elitës më të mirë Euro – Atlantike, me pasoja edhe më të rënda se savetëajo që ndodhi në komunizmin që provuam përgjatë viteve 1945-1992.

Parë në kontekstin historikë e filozofikë, propaganda dehumanizuese e trushpërlarja e monizmit tësotëm, duket që e ka mpirë kujtesën historike të shqiptarëve, të cilët qëndrojnëtë gjunjëzuar e kokëulurpara diktaturave dhe intereave egoiste të drejtuesve tëtyre. Duket sikur shoqëria jonë i ka harruar 5037 burrat dhe 450 gratë e ekzekutuar nga gjykatat moniste të komunizmit.Duket sikur janë harruar edhe mbi 19250 burra e gra që kaluan rininë dhe jetën e tyre në burgjet politike tëdiktaturës së djeshme Enveriste. Duket se janë harruar edhe mbi 48217 burra dhe 10792 gra (në total 59009 banorë), të interrnuar e të depersonalizuar në ferrin e kampeve të punës skllavëruese e papagesë. Duket sikur janë harruar edhe mbi 4000 njerëz të pagjetur, që të gjithë të vdekur në dhomat e torturave, e të vrarë me plumb pas koke, ku janë zhdukur edhe kufomat dhe varret. Pjesa më e madhe e tyre ishin intelektualë me dije e mendje të hapur drejt vlerave të qytetërimit Euro-Atlantike, e për këtë arsye janë vrarë e zhdukur. Në lidhje me disa të vërteta të monizmit Enveristë, Tanush Kaso (2018, faqe 62), ka shkruar:“Partia komuniste ka patur në programin e vet dhunën, që ushtrohej në emër të luftës së klasave dhe të diktaturës së proletariatit, pa të cilat ajo nuk mund të ekzistojë… Detyra parësore, që i vunë këshilltarët jugosllavë komunistëve shqiptarë, ishte krijimi i njësiteve guerile në qytet dhe i bandave e çetave të armatosura në fshat, për vrasjen e elementëve nacionalistë, atdhedashës, antikomunistë e antisllavë”.

  • Pra sipas idesë suaj po shquhen ngjashmëri të frikëshme midis monizmit të djeshëm e të sotëm?

Në Shqipëri, situata aktuale shoqërore, ekonomike dhe politike, është ajo që e duan armiqtë e Shqipërisë dhe shtetit të pavarur shqiptar. Mua më rezulton që, me shumë pak ndryshime sipërfaqësore, është një situatë e ngjashme me monizmin Enveristë. Është një situatë e mbarsur me ngjarje dhe atmosphere dhune, korrupsioni, varfërie, frike dhe pasigurie në popull, e që ndihet aq shumë edhe tek biznesi, tek administrata, tek nxënësit dhe studentët, tek mësuesit dhe profesorët, tek mjekët dhe infermieret, tek bujqit dhe blegtorët. Është një situate, që përtej propagandës shterpë, prodhon vetëm korrupsion, dhunë, abuzivizëm, frikë dhe pasiguri kudo e në çdo gjë.

Ka ndryshuar thjesht llustra e jashtme, poshtë së cilës situata moniste është edhe më e zezë e më e qelbur se sa monizmi i sunduar nga Enveri. Mbase sot nuk kemi gjysëm milioni njerëz të burgosur, të internuar e të persekutuar për bindje politike, ama kemi mbi tre herë më shumë shqiptarë të dëbuar me anë të persekucionit të pastër administrativ, politik e krahinor e, ku pjesa më e madhe e të cilëve janë larguar nga pamundësia për të punuar për bukën e gojës. E kjo pamundësi nuk buron nga varfëria e tokës dhe natyrës së Shqipërisë, përkundrazi buron nga korrupsioni, grykësia dhe nga sundimi monist e përçarës i partisë, dhe i një kaste nepotike që qëndron si gozhdë mbi fatet dhe kokën e të gjithë popullsisë. Mbase tani nuk kemi 4000 të vrarë e të zhdukur nëpër birucat e hetuesisë, por padyshim që kemi dyfishin e të vrarëve e të zhdukurve nga zjarri i kriminalitetit dhe bashkëpunimi të hapur të krimit politik e ordiner me funksionarët dhe strukturat e larta të shtetit dhe të politikës, nga ku po injektohet helm, përçarje dhe konfliktualitet për shoqërinë. Është shumë e thjeshtë që të ndalet kriminaliteti dhe korrupsioni në Shqipëri, kjo edhe për faktin që në monizëm, në mënyrë vertikale dhe horizontale, gjithmonë e gjithëkund, pas çdo krimi e hajdutërie, qëndron një deputet, një drejtor, një ministër apo një funksionar politik i strukturës moniste. Uroj që të jem i gabuar në analizën time, pasi mendoj se egoizmi dhe grykësia e monizmit të sotëm për pushtet dhe pasuri, janë bërë barrë e rëndë dhe e papërballueshme për shtetin dhe shoqërinë, prej ku Shqipëria e varfër rrezikon që të rrëshqasë në konflikt social, ose në deshqiptarizim ose në një ekonomi e shoqëri të plakur e pa asnjë forcë për t’u ngritur e konkuruar me shoqëritë dhe as me tregjet dhe ekonomitë e vendeve të rajonit dhe më gjërë. Kjo situate është e dëshiruar vetëm për të korruptuarit, kriminelët dhe hajdutët, të cilët duan dhe shpresojnë që ta hedhin lumin përmes konfliktit social dhe shpopullimit. Ndërsa është një katastrofë e thellë për shqiptarët dhe të ardhmën e tyre në rajon dhe në strukturat integruese të BE.

Mbase në monizmin e sotëm nuk e kemi atë mënjanimin dhe persekutimin e hapur për shkak të pozicionimit të familjeve dhe krahinave gjatë luftës antifashiste, ama gjithkush e shikon dhe e kupton mënyrën se si është kultivuar dhe rritur frikshëm ndarja e pakuptimtë krahinore, politike e fetare, thjesht për të mbajtur me pushtet dhe pasuri një forcë politike, që sot duket si një përbindësh i pangopur me pushtet e prona, e që sikurse monizmi i djeshëm po prodhon krime, korrupsion, varfëri, pasiguri dhe përçarje.

-Ku shfaqej demagogjia enveriste?

Në monizmin e djeshëm Enveristë, flitej aq shumë për centralizimin demokratik dhe dëgjimin e zërit të masave, ndërsa të gjithë shikonim se si demokracia fashitej e humbiste, si dielli në horizontin e mbrëmjes. Kurse popullin nuk e llogariste askush, përveçse për punën e skllavit dhe për atë llustrën e jashtme, që i duhej diktaturës. Identike duket që është edhe situata me monizmin e sotëm, ku flitet aq shumë për opozitën, ndërsa nuk lihet mjet e as mënyrë pa përdorur për ta përçarë, persekutuar, bullizuar, demoralizuar e përjashtuar nga e gjithë jeta politike, shoqërore e shtetërore. Njëlloj sikurse në Enverizëm, sundimtarët nuk shqetësohen fare për pluralizmin, e as për plotëpushtetin e plotëfuqinë e një grushti të vogël njerëzish, që nuk mund të bëjnë përjashtim nga grykësia, as nga egoizmi e as nga natyra e gabimit njerëzor dhe dëmit ndaj shtetit e shoqërisë.

Nëse në monizmin e djeshëm enveristë flitej dhe veprohej me të ashtuquajturat levat e partisë, në monizmin e sotëm flitet dhe veprohet me shoqatat, me krushqitë dhe me patronazhistët e partisë, të cilët kanë turpëruar dhe rrënuar kapacitetet ekonomike dhe administrative të Shqipërisë. Kështu mund të vazhdojmë pa fund me krahasime dhe me ngjashmëri të frikshme, që rezultojnë monizmit të djeshëm dhe monizmit të sotëm.

Kjo shpjegohet për faktin që monizmi si ideologji dhe si praktikë politike e shtetërore, është i njëllojtë dhe ka të njëjtat simptoma e pasoja, pavarësisht nga koha e shfaqjes apo nga fytyra e personit që e projekton dhe sundon. Historia na mëson se monizmi është armiku më i madh i demokracisë dhe mirëqënies së popujve dhe elitave.