Nota e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për njohjen e qeverisë komuniste

712
Sigal

The Foreign Service Of The United States Of America

Tiranë 12 Nëndor 1945

I ndershëm Zoti Gjeneral – Kolonel Hoxha,

Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbasi e shqyrtoi kërkesën e autoriteteve Shqiptare për njohje, më ngarkoi t’ju njoftoj gadishmërinë e saj për të hyrë në marrëdhënie dipllomatike me regjimin e tanishëm të Shqipërisë.

Duke vendosur marrëdhënie zyre me Qeverinë Shqiptare, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dëshiron të veprojë në pajtim me detyrimet dhe parimet për të cilat është angazhuar në deklaratën e Krimesë në lidhje me Europën e çliruar dhe prandaj kërkon sigurime që zgjedhjet e arthme për Asamblenë Kushtetonjëse të zhvillohen mbi baza me të vërtetë të lira, me vota të fshehta dhe pa kërcënime apo frikësime, që të gjithë individët dhe grupet në Shqipëri të gëzojnë lirinë e fjalës dhe të drejtën e plotë ligjore për të paraqitur dhe përkrahur kandidatët e tyre; dhe që korrespondentët e shtypit të huaj të lejohen të hyjnë në Shqipëri të vëzhgojnë dhe të raportojnë lirisht mbi zgjedhjet dhe mbi veprimtarinë e Asamblesë Kushtetonjëse.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara gjithashtu dëshëron që autoritete Shqiptare të konfirmojnë që traktet dhe marrëveshjet që ishin në fuqi midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë më 7 Prill 1939 të mbeten në fuqi. Qeveria e Shteteve të Bashkuara, nga ana e vet, konfirmon, vleftësinë e vazhdimit në fuqi t’atyre instrumentave.

Me t’i marrë këto sigurime të kërkuara, Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të jetë gati të bëjë çkëmbimin e përfaqesonjëve dipllomatikë.

Gjithashtu jam i porositur t’ju bej të ditur se proponimi i tanishëm i Qeverisë Së Shteteve të Bashkuara për sa i takon vendosjes së marrëdhënieve dipllomatike nuk duhet të pandehet se paragjykon konsiderimin, në ndonjë datë të mëvonëshme, të çështjeve të tjera me karakter ndërkombëtar që prekin Shqipërinë.

Do të jem fort i lumtur t’i transmetoj Qeverisë sime përgjigjen tuaj rreth propozimeve të parashtruara mësipër.

Me nderime H. T. FULTZ.

 

Në gazetën “Bashkimi” të datës 18 nëntor 1945 botohej nota zyrtare e qeverisë amerikane për njohjen e qeverisë komuniste. Një vit më pas, Fultz do të përzihej nga Shqipëria dhe në vend do të instalohej diktatura.