“Non – Grata” e kompromentuar si karta biankë për çqeverisje!

115
Sigal

Skandali më i fundit tronditës me ish agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, veç shqetësimeve të tjera serioze politike dhe të sigurisë ka hedhur hije të mëdha dyshimi dhe mbi shpalljen “ Non – Grata” të liderit të opozitës, Sali Berisha, mbasi aty është përfshirë dhe FBI-ja. Dihet se “non – grata” është metodë që SHBA-të dhe ndonjë vend tjetër zbatojnë në luftën për forcimin e demokracisë. Ndonëse, për shkak të kufizimeve, problemeve dhe rezervave të shumta ajo mbetet më tepër kompensuese dhe pa ndonjë efekt të prekshëm. Kjo kryesisht sepse demokracia përparon sot dhe çdo ditë brenda vendit, jo në retrospektivë e nga jashtë, ca më pak në mënyrë selektive.
Veç sa sipër, sipas shumë analistëve dhe ekspertëve vendas e të huaj, në rastin konkret dalin disa probleme, të cilat administrata amerikane duhej t’i kishte marrë më mirë parasysh; në mënyrë që kjo “ non – grata” të ishte bindëse dhe efektive.
Sepse, le të jemi të sinqertë, dhe tani, 22 muaj nga shpallja “ non – grata” e Berishës ende nuk ka asnjë të dhënë, shifër ose fakt të qenësishëm mbi “psetë” e saj. SHBA-të nuk kanë arritur, siç thuhet në zhargonin politik “ to make the case”, dmth të krijojnë bindje me këtë masë, sidomos për një lider të mirënjohur me vokacion Euro-Atlantik si Berisha. Pas këtij skandali, ajo mund të kthehet në bumerang politik për ata që e propozuan, përpunuan dhe e hodhën në tregun politik.
Lidhur me këtë “ non – grata” më 25 Tetor 2022, Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar në intervistën për VoA shqip pohoi se kjo çështje nuk është politike, se Berisha akuzohet për korrupsion dhe se janë organet në Shqipëri që duhet ta hetojnë. Në fakt, ky pohim më shumë ngatërroi se sa sqaroi! Kjo mbasi natyrshëm lind pyetja se kush dhe mbi ç’bazë do të ngrihen akuza ndaj Berishës? Pastaj, nëse kjo çështje nuk ishte politike dhe penale, atëhere e çfarë natyre është?
Më tej, nëse për bazë merren “korrupsioni dhe “ minimi i demokracisë” në qeverisjen “ Berisha 2”, atëhere çmund të thuhet për korrupsionin gjigand galopant në 10 vitet e fundit, kur shpallja “ non – grata” do të ishte thjesht “ giligosje”!
Pyetja tjetër që shtrohet është nëse kjo “non – grata” është penalitet politik apo gjyqësor? Nëse është e para, kërkohen të dhëna bindëse, pra informim dhe transparencë publike, dy komponentë jetikë demokratikë. Nëse është kjo e dyta, atëhere kemi të bëjmë me akuza të pretenduara, ose “allegations” në anglisht. Mirëpo kjo bie në kundërshtim me parimin e shenjtë të shtetit të së drejtës, dmth “prezumimin e pafajësisë” deri në një vendim të formës së prerë të një gjykate shqiptare dhe të konfirmuar nga Gjykata Europiane.
Ndaj, ishte më e udhës që personi “ non – grata”, pra Berisha, më parë të kishte dalë përpara drejtësisë, sidomos tani që pretendohet se kemi gjyqësor të reformuar.
Ndërsa tani, që është “non-grata”, çdo gjykim rrezikon të mos respektojë parimin madhor demokratik për një “ proces të rregullt gjyqësor”; gjithashtu do të krijohej gjerësisht perceptimi se njerëzit po deklarohen fajtorë mbi bazën e pretendimeve/allegacioneve me natyrë politike, madje nga një shtet ku nuk ka të dhëna të arsyeshme se ai ka bërë shkelje penale apo administrative; për ironi të fatit, ky do të ishte recidiv i shëmtuar i akuzave politike të periudhës së diktaturës, por tanimë nga SHBA-të, modeli dhe kampioni planetar i demokracisë!
Nga ana tjetër, siç sugjeronte gjykatësi emblematik britanik Lord Hewart më 1923 “ Drejtësia jo vetëm duhet të bëhet, por ajo duhet të shihet se po bëhet në mënyrë të dukshme dhe të padyshueshme”. Dhe në këtë pikë, “non – grata “ çalon shumë.
Në vijim, lind pashmangërisht pyetja tjetër: Po nëse strukturat e ndryshme të Administratës amerikane që janë marrë me këtë çështje të kenë gabuar, siç në fakt ka ndodhur dhe më parë? Sepse, pavarësisht nga nami dhe sofistikimi i tyre, as CIA dhe FBI-ja amerikane nuk janë imune ndaj gabimeve, madje të rënda! Dhe, ish agjenti i FBI-së, McGonigal nuk është as i pari dhe as i fundit!
Aspekti tjetër po aq i rëndësishëm është se ndonëse “non – grata”, kjo nuk do të thotë se Berisha nuk ka të drejtë për asgjë dhe nuk do dëgjuar e as takuar për shqetësimet që ngre. Kjo nuk ka sens demokratik. Aq më tepër kur ai është Kryetar i PD-së në opozitë, ndaj do dëgjuar me aq sa e lejon vendi. Ca më tepër kur ka mbështetjen e një numri të madh deputetësh dhe intelektualësh të njohur, të cilët kanë dhënë shumë prova se nuk mund “të futen në thesin anti-amerikan”.
Shqetësimi tjetër i madh demokratik është se politikanë si Berisha janë zgjedhur në Kuvend me votën e njohur ndërkombëtarisht, mbi bazën e vullnetit të lirë të elektoratit, madje, i konfirmuar dhe tani vonë. Ndërkohë, po kërkohet të bëhet një ligj që t’ia heqë këtë mandat për shkak të kësaj “non-grata” që nuk është as në Kushtetutë. A nuk ka një kontradiktë këtu? Përse votën e lirë e kalon “prapa liste”?
Pjesa e dytë e tablosë ka të bëjë me mungesën e një përgjigjeje të duhur politike për pyetjen “ Po pastaj, çdo të ndodhë? ( what comes next?)
Në fakt, me keqardhje pohojmë se aleatët tanë amerikanë kanë gabuar mëse një herë në këtë drejtim, së fundmi në ndërhyrjen ushtarake në Afganistan; siç shprehet një ekspert atje u desh të ndërroheshin 4 presidentë amerikanë, të linin kokat mijra ushtarë të NATO-s dhe të shpenzoheshin 20 miliard Euro që amerikanët të largoheshin pas 20 vitesh me rezultatin e vetëm tragjik – rikthimin e talibanëve! Gjithashtu, në Afganistan ata udhëhoqën dhe punuan 20 vjet jashtë çdo realiteti për ndërtimin e një shoqërie dhe shteti demokratik; dhe gjithë bota e pa se si ai shtet u shkërmoq brenda disa orësh, jo ditësh e javësh!
Duket qartë se në rastin më të mirë, me shpalljen “ non – grata” mund të jetë menduar gabimisht se duke ndëshkuar Berishën, do të shmangej ndikimi i tij në lidershipin e PD-së dhe do t’u hapej rruga elementëve të rinj dhe me shtysën amerikane. Edhe pse të thuash të vërtetën, në 8 vitet e fundit Berisha rrinte relativisht i qetë, nuk ishte bërë pengesë me përjashtim të “ qytetarit dixhital” që nuk prishte asnjë punë! E kundërta ndodhi pas shpalljes së tij “ non – grata” kur ai u bë dhe më popullor, me mbështetje shumë më të madhe se sa pritej. Pra, si dhe në ndonjë rast tjetër me vendin tonë, mesa duket në Washington “ hesapet ishin bërë pa hanxhinë” ndaj dhe “në vend të vinin vetullat, po nxjerrin sytë”.
Naiviteti politik amerikan u shfaq dhe në mbështetjen për Bashën, edhe pse dihej se ai ishte produkt i Berishës. Edhe pse kreu aventurën më të madhe dhe të pafalshme politike me vendimin për djegjen e mandateve parlamentare dhe bojkotimin e zgjedhjeve vendore, që PD-së po i kushtojnë “ një djall e gjysëm”. U desh fitorja e “Foltores” në Shkodër që të bindeshin për lidershipin dështak të Bashës; çuditërisht, dhe pse “ kartë e djegur” orvajtjet për rikthimin e tij vazhdojnë.
Shqetësimi tjetër ndoshta dhe më i madh ka të bëjë me sjelljen amerikane ndaj shumicës fituese më 25 Prill dhe lidershipit të saj. Me synimin demokratik për një raport të drejtë, përpjestimor, që të garantonte një ekuilibër të drejtë politik, pa dobësuar opozitën dhe pa forcuar artificialisht shumicën parlamentare; mbi të gjitha, “ non – grata” të shërbente për opozitën, por me kujdesin e dujhur që shumica qeveritare të mos e përdorte atë si “ karta bianka” për të mbuluar gabimet dhe dështimet e saj. Ca më tepër që kjo e fundit, ta themi troç, ka përfituar deri në abuzim me “ non – gratën” duke zbatuar parimin “ gjej “ shesh dhe bëj përshesh!” Natyrisht, si partnerë strategjikë, shumica qeverisëse do të përkrahet nga SHBA-të BE-ja shtetet dhe organizmat e tjera. Kështu ka qenë dhe do të jetë gjithmonë. Veçse me kujdes e duke vendosur një “ vijë të kuqe” , në mënyrë që të mos krijohet disekuilibër i rrezikshëm për demokracinë. Këtu duket se amerikanët kanë gabuar, duke e “ mbajtur me hatër” dhe “duke bërë një sy qorr e një vesh shurdh” ndaj qeverisë, problemeve, aferave dhe skandaleve të saj ulëritëse. Për pasojë, aktualisht vendi po çqeveriset përditë e më shumë dhe me arrogancë të pashoq.
E megjithatë, “të merr malli” vërtet të dëgjosh një rezervë, sado të vogël, le më kritikë të cilës i është harruar emri nga ambasada amerikane, e BE-së dhe të tjerë. Ndonëse Raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit janë plot probleme shpërthyese, ato e kanë humbur rolin dhe peshën e tyre, janë bërë si dikur “ paralajmërimet serioze kineze”, aq sa Kryeministri Rama i ka etiketuar hapur si “ copy and paste”
Asnjë fjalë për dhjetra raporte dhe të dhëna shqetësuese të agjencive më të njohura ndërkombëtare që fatkeqësisht e rendisin Shqipërinë në vendet e para për të keq dhe të fundit për ndonjë arritje. Vetëm para ca kohësh, më në fund, Ambasadorja Yuri Kim “ u bë e gjallë” me kritika, gjithsesi të buta për projekt-ligjin mbi amnistinë fiskale, me pyetjen retorike për qeverinë nëse vendin do ta ndërtojnë qytetarët apo kriminelët dhe betejën e fituar për Kryetarin e ri të SPAK-ut! Ama, deri tani nuk ka belbëzuar në kuptimin e vërtetë asnjë fjalë për McGonigal dhe skandalin e tij!
Le ta themi shqip, me këto veprime dhe mosveprime, disa nga përfaqësitë kryesore të huaja i kanë dhënë një “ kartë të bardhë “ qeverisë, e cila, e pashqetësuar fare, me “bekimin” e tyre vijon të çqeverisë, “ pa e bërë fare qejfin qeder” dhe me arrogancë të shtuar, me skandale dhe afera të shumta e në rritje.
Duke shërbyer gjatë si diplomat, e kuptoj mirë se në të tilla raste, aleatët tanë perendimorë mund të thonë, “E po tani, çfarë të bëjmë ne, kur opozita nuk është e besueshme?” Dakord, por çfarë po bëhet për ta rijetësuar dhe forcuar këtë opozitë, në të dyja krahët? Pothuajse asgjë, madje po ndodh e kundërta, çka e dëshmon më së miri skandali me McGonigal, por jo vetëm!.
Për pasojë, këto qëndrime dhe politika të gabuara kanë krijuar përshtypjen e një vendi “sui generis”, ku problemi dhe pengesat e qeverisjes dhe reformave nuk vijnë nga qeveria, ndonëse ajo ka në dorë “ dhe gurin dhe arrën” por nga opozita, ish presidenti, media, ndaj dhe o burra t’u biem atyre! Mirëpo, a mund të funksionojë kështu demokracia e qëndrueshme dhe shteti i të drejtës? Kur dhe pas 10 vjetëve qeveria vepron sikur ka ardhur sot në pushtet?
Përfundimishht, shpallja “ non – grata” që për hir të së vërtetës njihet dhe funksionon shumë tepër në diplomaci nga dhe është huazuar, nuk mund të merret e mirëqenë si efektive e ca më pak e sukseshme; sepse ajo duhet të jetë jo vetëm e besueshme, e lirë nga çdo ndryshim dhe e mbështetur në fakte reale, por dhe e shoqëruar me shumë elementë dhe masa të tjera me karakter demokratik; por, kursesi duke e trajtuar shumicën “ si të nënës” dhe opozitën “si të njerkës”, ca me keq duke e denigruar dhe demonizuar këtë të fundit me lloj lloj sajesash e sofizmash politike e jo ligjore, në takime të fshehta, duke përfshirë dhe agjentë të institucioneve të inteligjencës perendimore.
Ja pse skandali më i fundit me McGonigal është kambanë e fuqishme alarmi për të gjithë ata që kanë veshë dhe duan të dëgjojnë në të dy anët e Atlantikut!