Nis Rally Albania 2024, Veliaj vlerëson garën e famshme: Janë bërë bashkë 25 kombësi që promovojnë Tiranën

56
Sigal

Dje nisi ceremonia hapëse e Rally Albania 2024, duke shënuar fillimin e edicionit të 20-të të kësaj gare prestigjioze. Në këtë edicion marrin pjesë mbi 300 garues nga 25 vende të ndryshme të botës, të cilët do të përballen me sfida të jashtëzakonshme në rrugët e panjohura të Shqipërisë.

Ceremonia hapëse u nderua me praninë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe zëvendësministrit të Arsimit dhe Sportit, Endri Hoxha. Veliaj vlerësoi rëndësinë e kësaj gare për promovimin e vendit dhe turizmit sportiv. Ai theksoi se Rally Albania ka arritur të kthehet në një event të përmasave ndërkombëtare, duke tërhequr vëmendjen e shumë sportdashësve dhe profesionistëve nga e gjithë bota.

“Ne kishim një fat të jashtëzakonshëm sepse vjet ishim Kryeqyteti Europian i Sportit, dy vite më parë ishim Kryeqyteti Europian i Rinisë, dhe vitin tjetër do të jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Nuk ka një gjë më të mirë që kontribuon te kultura dhe dialogu se sa 25 kombësi që janë bërë bashkë këtu, për të dhënë energji pozitive, duke shkuar nga Tirana në Qeparo, nga Qeparoi në Korçë, nga Korça në Shëngjin dhe pastaj përsëri në Tiranë, sepse siç thonë: Ku ka si Tirona”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu, organizatorja e garës, Julinda Dhame, u shpreh entuziaste për këtë edicion, duke theksuar se këtë vit janë mbledhur garuesit më të mirë nga edicionet e mëparshme, çka garanton një spektakël të jashtëzakonshëm. “Kjo garë nuk është vetëm një provë për aftësitë e garuesve, por edhe një mundësi për të eksploruar bukuritë natyrore të Shqipërisë,” tha Dhame.

Edicioni i 20 i Rally Albania do të përshkruajë 1700 kilometra për 8 ditë, ku pjesë e interenarit është Tirana, Qeparo, Korça dhe Shëngjini me plot 280 fshatra që do të mund të” ringjallen” nga zhurma e kampionëve të malit dhe baltës.

Me një përzierje të adrenalinës, aventurës dhe peizazheve mahnitëse, Rally Albania 2024 premton të jetë një nga ngjarjet më të paharrueshme të këtij viti. Me garues nga e gjithë bota dhe mbështetjen e shumë aktorëve lokale, ky event pritet të sjellë emocione të forta dhe të promovojë më tej Shqipërinë si destinacion ideal për sportet ekstreme.