Nis punën Akademia e Pushtetit Vendor, synohet përgatitja e bashkive për integrimin në BE

 

Akademia e Pushtetit Vendor nis punën, pas nënshkrimit të marrëveshjes mes ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo dhe bashkëkryetares së kësaj akademie, Emiriana Sako, kryetare e bashkisë Durrës.

Sigal

Akademia e Pushtetit Vendor shërben si një hap i rëndësishëm në përgatitjen e administratës vendore për sfidat, që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në aktivitetin ku të pranishëm ishin disa prej kryetarëve të bashkive në vend dhe përfaqësues të trupit diplomatik, Demo tha se kjo ka qenë një nismë që ka marrë shumë kohë që në fazën e konceptimit, e deri sot që është prezantimi zyrtar i Akademisë për Pushtetin Vendor.

“Në 2027 kemi ambicien që të mbyllim të gjithë kapitujt që kemi hapur deri tani dhe klasteri i fundit që u hap në nëntor, Kapitulli 22, është ai kapitull që do të prekë autoritetet lokale, sepse janë fondet e kohezionit dhe mundësitë e reja që do të kenë bashkitë gjatë këtij rrugëtimi. Kjo është një sfidë historike për Shqipërinë, ku bashkitë kanë një rol shumë të rëndësishëm. Një pjesë e mirë e ligjeve të BE ka të bëjë direkt me bashkitë, për standardet që duhet të arrijmë në territor dhe shërbimet që duhet të përmirësojmë”, tha Demo.

“Akademia do të jetë një mundësi për ta bërë këtë sfidë dhe nuk do jetë vetëm për vitet 2026, 2027 apo 2028, por edhe më tutje, pasi bashkitë duhet të jenë gati që të bëjnë maksimumin në shfrytëzimin e mundësive që sjellë integrimi në BE”, u shpreh ministri i Pushtetit Lokal.

Demo tha se Akademia është një platformë që do t’i ndihmojë bashkitë në arritjen e objektivave, duke qenë gati për sfidat e integrimit të vendit në BE.