Nga Lavdosh Ferruni/ TEC-i lundrues në Vlorë: E shet Bangladeshi me 15 mln $, e blen Shqipëria me 45 mln $

214
Sigal

TEC-i në Vlorë, hija e zezë e një megaskandali me leje qeveritare / Bangladeshi e shet me 15 milion $, Tec-in lundrues të 1997, dhe e blen Shqipëria me paratë e popullit 45 milion $. Vlora pritet të paguajë notjen që që krijohet nga djegja e naftës bruto duke asfiksuar industrinë e turizmit. Qeveria do bëjë rrush e kumbulla 63 mijë $ në ditë, për 2 vjet për të përdorur TEC-in e vjetëruar. Ndërkohë që nëse 63 mijë $ në ditë për 2 vjet do investoheshin në panelet fotovoltaike, mijëra familje për më shumë se 2 dekada nuk do kishin nevojë të paguanin për energjinë elektrike.

“Ky TEC lundrues në Bangladesh është prodhuar në vitin 1997 dhe është teknologji shumë e vjetër. Që nga viti 2018 ky TEC nuk punon në Bangladesh. Në Shqipëri sipas marrëveshjes qiraja për të përdorur këtë TEC, që do djegë naftë bruto do të jetë 63000 $ në ditë, për 2 vjet, pra afro 45 milion $.”

Kompania e naftës Excelerate Energy, e cila do sjellë në gji të Vlorës TECin lundrues ka blerë në Bangladesh në prill TECin lundrues me kapacitet 110 MW, me çmimin 15 milion USD, i cili sipas mediave ndërkombëtare do zhvendoset në një vend të Europës Lindore. Deri tani kemi dëgjuar se Excelerate ka bërë marrëveshje me KESH në Shqipëri për TEC lundrues, dhe jo në ndonjë vend tjetër të Europës Lindore, për më tepër të vendeve të BE-së. Ky TEC lundrues në Bangladesh është prodhuar në vitin 1997 dhe është teknologji shumë e vjetër. Që nga viti 2018 ky TEC nuk punon në Bangladesh. Në Shqipëri sipas marrëveshjes qiraja për të përdorur këtë TEC, që do djegë naftë bruto do të jetë 63000 $ në ditë, për 2 vjet, pra afro 45 milion $. A ka korrupsion këtu? Jo. Nuk ka korrupsion. Nuk dihet asnjë fakt korruptiv. Ajo që dihet është fitim me shumëfish të kostos prej kompanisë Excelerate, kompani që do ngulet në Vlorë për të fituar shumëfish me gjoja kthimin e TEC të Vlorës, i cili është me teknologjinë e avancuar me cikël të kombinuar, pra që punon edhe me gaz e do ta kthejë Excelerate me gaz (?). Më pas Excelerate do ndërtojë aty 2 TEC të tjerë, e më pas, ose më parë do të ndërtojë aty edhe një terminal gazi që do të furnizojë gjithë Ballkanin.

“Nëse 63000 $ në ditë për 2 vjet do të jepej si subvencion familjeve dhe bizneseve të vogla që të investonin në panelet fotovoltaike Shqipëria për 2 vjet do prodhonte shumëfish të energjisë së TECit lundrues, dhe për më tepër mijëra familje për më shumë se 2 dekada nuk do paguanin për energjinë elektrike.”

Le të kthehemi tek TECi lundrues. Është njoftuar se kostoja e tij do të jetë 170 EUR/MWh, pa llogaritur koston mjedisore, si rrjedhojë e një superndotje që krijohet nga djegia e naftës bruto, pikërisht në gjirin turistik të Vlorës, duke asfiksuar industrinë e turizmit aty. Kjo kosto është 5-6 herë më e madhe se kosto e prodhimit të energjisë elektrike nëpërmjet impianteve fotovoltaike. Kujtoj këtu psh koston për çdo MWh të energjisë së impiantit fotovoltaik prej kompanisë franceze, Voltaila, që ka filluar ndërtimin në Karavasta me kosto 24.89 EUR/MWh. Nëse 63000 $ në ditë për 2 vjet do të jepej si subvension familjeve dhe bizneseve të vogla e të mesme që të investonin në panelet fotovoltaike Shqipëria për 2 vjet do prodhonte shumëfish të energjisë së TECit lundrues, duke filluar vetëm për pak ditë, që nevojiten për instalimin, dhe për më tepër mijëra familje për më shumë se 2 dekada nuk do paguanin për energjinë elektrike. Pse mungojnë këto llogari?

“Kostoja e tij do të jetë 170 EUR/MWh, pa llogaritur koston mjedisore, si rrjedhojë e një superndotje, që krijohet nga djegja e naftës bruto, pikërisht në gjirin turistik të Vlorës, duke asfiksuar industrinë e turizmit aty. Kjo kosto është 5-6 herë më e madhe se kosto e prodhimit të energjisë elektrike nëpërmjet impianteve fotovoltaike”

Duhet përmendur dhe fakti se marrëveshja parashikon se ai TEC gati 30 vjeçar që është edhe teknologji e vjetër do të mbetet në Gji të Vlorës e për të cilin do duhen shumë shpenzime të tjera për ta demontuar e për ta çuar për skrap. Le të mos flasim për korrupsion me TECin lundrues, për të cilin, sigurisht duhet të hetohet, bashkë me historinë qartazi korruptive të TECit të Vlorës, por kemi të drejtën legjitime të flasim për paaftësi të pafalshme. Për këtë paaftësi kërkohet dorëheqje, normalisht e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Balluku. Edhe njëherë, tani, jo për korrupsion, por për paaftësi.