New York Times: Urdhërohet mbyllja e televizionit shqiptar, shkak distancimi social në studio

319
Sigal

Vendimi i ISHSH për mbylljen e sinjalit të transmetimit të RTV Ora, ka bërë jehonë edhe në mediat e huaja.

Gazeta më e madhe e botës, ”The New York Times”, ka pasqyruar shqetësimin për këtë vendim të paprecedent. Theksi vihet tek fakti se nuk po mbyllet një biznes, por po cënohet lira e fjalës, duke përdorur situatën e pandemisë në vend.

Lajmi është përhapur thuajse në të gjithë botën, SHBA, Kanada, Australi, Kinë, Japoni, pjesa më e madhe e Europës dhe gjithë vendet e rajonit.

Shkrimi i plotë

Një nga stacionet më të mëdha televizive në Shqipëri njoftoi të premten se ka marrë urdhër që të mbyllet për një kohë të pacaktuar dhe të gjobitet nga autoritetet shëndetësore të vendit, pasi pretendohet se nuk ka respektuar masat e distancimit social në emisionet e veta.

Radiotelevizioni privat “Ora News” tha se Inspektorati Shtetëror i Shëndetësisë e gjobiti me 2 milion lekë (16,000 euro) dhe e urdhëroi të ndalë transmetimin pse dy nga prezantuesit e saj i zhvilluan emisionet e tyre në studio me tre persona, dhe jo dy që lejohen maksimalisht në bazë të rregullave të karantinës. Dy prezantuesit kanë qenë kritikë me kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste. “Ata nuk po mbyllin biznesin por fjalën e lirë,” tha drejtori i informacionit i “Ora News”, Brahim Shima.

Inspektorati Shëndetësor Shtetëror nuk iu përgjigj telefonatave për informacion rreth vendimit. Dokumentet që iu dërguar stacionit televiziv e urdhëronin që ta ndërpresë aktivitetin pa specifikuar kur dhe për sa kohë. Nuk është e qartë se si mund të zbatohet një vendim i tillë. Media ka 30 ditë kohë për të apeluar vendimin. Partitë e opozitës e dënuan vendimin, duke shprehur shqetësim për fjalën e lirë.

Presidenti Ilir Meta, tha se ai është “thellësisht i shqetësuar”. Autoritetet shëndetësore zotërojnë një pushtet më të gjerë në kushtet e pandemisë kur vendi ka shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor. Shqipëria i vendosi rregullat e rrepta pasi mbylli kufijtë e saj dhe bizneset lokale, e ndryshoi Kodin Penal për shkelësit e rregullave. Shqipëria deri tani ka konfirmuar 31 të vdekur dhe 900 të infektuar.