Nën flakë në verë, të ngrirë në dimër/ Monopoli i bashkive të ‘rilindjes’ lënë vendin të shkrumbohet nga zjarri. Qeveria: Vetëm helikopter mos kërkoni

170
Sigal

Qeveria u ka bërë të ditur bashkive në nisje të muajit gusht që të mos kërkojnë helikopterë për të shuar zjarret. Shumë prej bashkive që drejtohen të gjitha nga socialistët e Edi Ramës, jo vetëm nuk reagojnë në kohë, por sipas Ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshit, duket ta kenë kuptuar së prapthi përgjegjësinë direkte për ruajtjen e territorit. “Ka bashki ku kjo funksionon perfekt, ka dhe bashki që fikin telefonin e thonë nuk është zjarri im dhe nuk përgjigjen. Nëse do funksonojmë si e thamë e të kuptoni që përgjegjësia e ruajtjes së territorit është e bashkive, FA janë në mbështetjen tuaj. Nuk është detyra jonë e ju na mbështesni, se shpesh kështu kuptohet që nga toni me të cilin flet kryetari i bashkisë që merr në telefon për helikopterin pa lëvizur as gishtin e vet e në ndonjë rast dhe nga plazhi thonë zoti ministër ku është helikopteri.” Në linjën e ministrit, Edi Rama tha se menaxhimi i situatës së zjarreve prej të cilave rrezikohet çdo bashki, nuk është çështje helikopteri. Deri tani, për zjarret janë angazhuar rreth 7 mijë FA. Rama paralajmëroi krerët e bashkive se të 28 mijë kilometrat e Shqipërisë rrezikohen nga zjarret dhe muaji gusht do të jetë tepër sfidues, ndaj kërkoi të angazhohen maksimalisht në terren dhe mos të kërkojnë në çdo rast helikopterin nga ministria. ‘Zjarret janë një problem serioz. Arsyeja kryesore pse jemi këtu bashkë është se nuk mund të trajtohet vetëm nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga Emergjencat Civile. Aty ku pushteti vendor reagon në mënyrë proaktive dhe nuk bën thjesht ngritjen e telefonit dhe thotë shiko se kemi zjarr këtu hajde ngrini helikopterin. Por kjo historia e helikopterit duhet kuptuar mirë, se reagimi është i përshkallëzuar dhe në të gjithë botën fillon nga niveli i ulët vendor. Fillon nga ata punëtorët vendor, që nisin punën kur ka emergjenca. Infrastruktura e ujitjes, kullimit, digat e rezervuarëve, të gjithë ato pjesë të investimeve parandaluese, mbrojtëse ndaj fatkeqësive natyrore nuk është e gjitha. Kjo ka të bëjë me përmbytjet, falë angazhimit edhe të një sërë kryetarësh bashkish, ku shembulli është kryebashkiaku i Fierit me një punë titanike, që përmbytej edhe në zonën e qytetit. Këtu të 28 mijë kilometra katrorë të Shqipërisë janë në rrezik nga zjarret dhe të gjitha bashkitë duhet të jenë të gatshme për reagimin e parë.’- u shpreh Rama. Një vendim qeverie për 5 vullnetarë në çdo fshat është gati, por teksa ju jepet kjo mundësi, së bashku me buxhetin përkatës, bashkive ju vihet në dukje një dobësi tjetër. Rama nënvizoi si zgjidhje mekanizmin e BE-së për mbrojtjen civile, dhe për të disatën herë në takim tregoi se nuk i kanë pëlqyer reagimet publike për menaxhimin e emergjencave. Porosia e fundit, si e para: Bashkitë para, qeveria mbrapa në betejën me zjarret.