“Në Elbasan më 28 Nëntor do të vendosim një Flamur në çdo shtëpi”

587
Sigal

INTERVISTA/ Kryetari i Këshillit të Qarkut të Elbasanit, Eugen Isaj: “Do të vlerësojmë figurat historike të harruara”

Këshilli i Qarkut Elbasan me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë ka një numër të madh aktivitetesh. Këtë e bën të ditur vetë kreu i Qarkut të Elbasanit,  Eugen Isai në një intervistë për gazetën “Telegraf”. Isai thotë se, qarku ka një numër të madh projektesh dhe aktivitetesh, por më të rëndësishmet janë vlerësimi i figurave historike të qarkut, të cilat sipas tij kanë kohë që janë harruar. Qëllimi kryesor i kësaj dite sipas tij është vendosja e flamurit kombëtar në çdo shtëpi të familjeve elbasanase.

Zoti Isai, cilat janë projektet e Këshillit të Qarkut të Elbasanit me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë?

Kemi plot gjëra të mira të bukura në këtë Nëntor që do ta ndezin Elbasanin. Më 17 nëntor kemi koncert festiv i Trupës Kombëtare të Baletit të Republikës së Kosovës, organizuar nga Këshilli i Qarkut Elbasan në bashkëpunim me Akademinë e Lartë të Arteve, Tiranë. Kjo veprimtari do të zhvillohet, në Teatrin  “Skampa”  të qytetit të Elbasanit. Përgatitja e një fotoekspozite me figurat më të shquara patriotike të trevës së Elbasanit që firmosen aktin e Pavarësisë si dhe do të nderohen figura të tjera të shquara si: Kostandin Kristoforidhi, Aleksandër Xhuvani, Aqif Pashë (Elbasani) Biçaku, Dhimitër Shuteriqi, Lef Nosi, Ahmet Dakli, Et’hem Haxhiademi, etj.. Ngritja e një memoriali përkujtimor në zonën e Gjinarit, në kujtim të rënies në krye të detyrës të një grupi intelektualësh më 26 nëntor të vitit 1977 në një aksident tragjik, i cili zhyti në zi jo vetëm familjarët e të aksidenturëve, por gjithë qytetin tonë, memorial, i cili po punohet nga skulptori Gëzim Hidri. Përgatitja, botimi dhe prezantimi i një albumi mbi kostumografinë e trevave të Elbasanit, duke filluar nga Çermenika e Stëbleva e Librazhdit krahina e Sulovës së Gramshit e kështu me radhë të gjitha krahinat tona për të sjellë të gjallë në ditët e sotme vlerat e paçmuara dhe origjinalitetin e kostumeve popullore të rajonit tonë, pjesë me shumë vlere e trashëgimisë sonë kulturore. Ky material është përgatitur në bashkëpunim me Muzeun Etnografik të Qarkut Elbasan.

Në çfarë pike kanë arritur projektet, a do të jenë të përfunduara deri më 28 Nëntor?

Kemi realizuar pjesëmarrjen në Panairin Kombëtar të Turizmit dhe Agrobiznesit, i cili u zhvillua në datat 20-24 shtator 2012, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, i pari i këtij lloji i organizuar në kuadër të 100 vjetorit të shtetit tonë. Qëllimi kryesor i këtij panairi kombëtar ishte prezantimi i ofertës më të mirë turistike si dhe rritja e konkurrueshmërisë së tregut ushqimor shqiptar. Qarku Elbasan u prezantua me  produktin më të mirë turistik të rajonit. U ftuan për të marrë pjesë në panair të gjithë aktorët rajonalë të Qarkut Elbasan, të cilët prezantuan produktet e veta turistike të tilla si, postera, harta turistike, botime turistike, informacion nga operatorët turistikë, plane apo studime që lidhen me zhvillimin e turizmit si dhe produkte bujqësore, artizanale dhe kulinarinë tipike të rajonit të Elbasanit.

A keni mbështetje apo bashkëpunim me institucionet e tjera?

Po, kemi siguruar bashkëpunimin me bashkinë e qytetit, po kështu me komunat dhe bashkitë e tjera në të gjithë qarkun.

Cili është  qëllimi kryesor i kësaj dite?

Objektivi kryesor i kësaj dite është që çdo familje e prefekturës të vendosi në ballkonin e shtëpisë Flamurin Kombëtar dhe për ato familje që nuk kanë mundësi  t’i blejnë do t’u dhurohen falas.