Ndërtimi i Unazës së Madhe, 106 familjet që përfitojnë qira 2-vjeçare

581
Publikohet në Fletoren Zyrtare lista me emrat e 106 familjeve në zonën e Selitës dhe pranë Shkollës Teknologjike të cilat do të përfitojnë qira dyvjeçare, pasi banesat e tyre po prishen nga ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës. Bëhet fjalë për ndërtimin e segmentit “Komuna e Parisit – Rruga e Kavajës”. Sipas vendimit të qeverisë, i cili mban datën Nr. 694, datë 29.7.2015, iu bënë ndryshime një vendimi të mëparshëm të marsit të këtij viti, pasi janë shtuar emrat e 106 familjeve të tjera që do të përfitojnë qira për 24 muaj nga ky program strehimi.
Sipas vendimit të qeverisë, familjet që posedojnë ndërtime pa leje, me funksion banimi, të cilat preken nga zbatimi i projektit “Unaza e Madhe e Tiranës”, segmenti “Komuna e Parisit – Rruga e Kavajës”, përfitojnë pagesën e qirasë për një periudhë dyvjeçare nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. “Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës mbulon në masën 80% pagesën e qirasë për këto subjekte, nëpërmjet fondit të shpronësimit. Ministria e Zhvillimit Urban mbulon në masën 20% pagesën e qirasë për këto familje, nëpërmjet fondit të programit të strehimit.
Enti Kombëtar i Banesave, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përcakton vlerën e qirasë mujore, e cila miratohet nga ministri i Zhvillimit Urban”, -përcaktohet në vendim. Sipas pikës tre të vendimit të qeverisë, afati dyvjeçar, për përfitimin e qirasë prej këtyre subjekteve për ndërtimin e segmentit “Komuna e Parisit – Rruga e Kavajës”, hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Pra i bie që Enti Kombëtar i Banesave, qiranë mujore për këto familje gjatë 24 muajve të ardhshëm do ta përcaktojë brenda 10 ditëve në vijim të muajit gusht 2015.
Kryefamiljarët që kanë emrat në tabelën bashkëngjitur shkrimit, duhet që të dorëzojnë pranë Entit Kombëtar të Banesave certifikatën e gjendjes familjare. Numri total i kryefamiljarëve është 106, të cilët janë banorë të njësive të ndryshme të Tiranës, por kryesisht janë të përqendruar në njësitë 5, 6, 3 dhe 4.
Sigal