Ndërtimi i HEC-ve lë pa uji fshatrat e Librazhdit

652
Sigal

Banorët: “Kontrata është firmosur nga kryeplaku, nuk dimë çfarë është nënshkruar në të, premtimet s’ishin këto”

Librazhdi njihet si zona me hidrocentralet më të mëdha në Qarkun e Elbasanit dhe në të gjithë Shqipërinë, sepse ky është një rreth që dhe para viteve ’90 kishte një numër të madh HEC-esh. Por edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet një nga rrethet me burime të mëdha hidrike, prandaj është në fokusin e shumë biznesmenëve të ndryshëm, madje jo vetëm nga Qarku i Elbasanit, por nga e gjithë Shqipëria. Janë dhënë mjaft leje të ndryshme, për ndërtimin e tyre, ku përmendim këtu lejet në në malin e Shebenikut, Bushtricës, Stravanit, Xhurë etj..

Kontrata

Por që kur ka filluar ndërtimi i tyre nuk është marrë në konsideratë se a do të kenë ndonjë përfitim   fermerët? Megjithëse në studim flitet se ka një plan që fermerët e zonave nuk do të preken nga uji i pijshëm dhe i vaditjes së tokave gjatë verës, kontrata dhe leja asnjëherë nuk ka rënë në duart e banorëve vendas dhe ata as që e dinë se çfarë kanë firmosur, sepse puna është mbyllur nga kryepleqtë e fshatit, të cilët i kanë rregulluar punët me drejtuesit e firmës dhe më pas janë dhënë lejet për ndërtimin e tyre. Por ja çfarë ndodh më tej. Banorët thonë se “ ne nuk e dimë çfarë është shkruar në kontratë, sepse asnjë banor i zonës nuk ka qenë i pranishëm, ne dimë vetëm që nuk na janë premtuar këto që po na ndodhin, pasi mungesa e ujit në stinën e verës është e tmerrshme, si për ne, njerëzit, për bimët dhe kafshët”, thanë ata.

Vështirësitë

Janë shumë banorë të fshatrave të Librazhdit që vuajnë për mungesën e ujit të vaditjes dhe të atij të pijshëm sidomos gjatë verës. Sipas të dhënave janë një numër i madh hidrocentralesh që janë ndërtuar në Komunën e Stravanit në zonën e Mokrës, në rrjedhjet e Parkut Kombëtar Steblevë, Komuna Qendër etj., të cilët kanë bërë dhe mos furnizimin me ujë vaditës dhe të pijshëm për fermerët e këtyre fshatrave. Shumë prej fermerëve shprehen për gazetën “Telegraf” se kanë pësuar një rënie të ndjeshme të prodhimeve bujqësore. “Ne sytë nga stina e verës i kemi, që të prodhojmë ndonjë gjë, sepse ç’të mbjellim gjatë verës do të hamë në dimër, por situata këtë vit paraqitet e vështirë, ndërtimi i HEC-eve na ka prishur punë, na ka bllokuar uji. Shumë herë kemi bërë edhe ankesa, por askush nuk na dëgjon”, thonë fermerët. Fshatrat që vuajnë mungesën e ujit të pijshëm dhe atij vaditës janë fshatrat Farret, Stranik, Bushtricës, Dorëz, Dragoztujë, Hotolish, Qarrishtës, Lunikut, Zgoshtit, etj..

Mospërfillja

Bazuar në fakte duket qartë se askush nuk përgjigjet për prodhimet bujqësore të këtyre fermerëve, por përveç ujit vaditës në disa prej fshatrave ka dhe mungesë të ujit të pijshëm, ku nuk furnizohen depot e ujësjellësve, sepse janë prishur drejtimi i ujërave nëntokësore, po kështu devijimi i rrjedhjes së ujërave, kanalit vaditës ka bërë që mungesën e ujit ta ndjejnë dhe bagëtitë e imta që kullosin në male dhe nuk kanë se ku të pinë ujë pasi uji është futur në tubacione dhe nuk rrjedh asnjë pikë. Po kështu dhe gjallesat që rriten në këto ujëra si në Përroin e Moaglicës, Gostimës, Bishtricës, Rrapunit, Qarrishtës, Rrajcës, lumit të Stravnit, Lirasit etj., janë zhdukur, sepse është dëmtuar flora dhe fauna.

 Detaji

Banorët

Banorët e zonës thonë se “ ne nuk e dimë çfarë është shkruar në kontratë, sepse asnjë banor i zonës nuk ka qenë i pranishëm, ne dimë vetëm që nuk na janë premtuar këto që po na ndodhin, pasi mungesa e ujit në stinën e verës është e tmerrshme, si për ne, njerëzit, për bimët dhe kafshët”.