Naim Frashëri edhe pas 175-viteve Poet i Madh Kombëtar

767
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Njeriu po s’deshi kombin e tija
e mëmëdhenë.
Nuk ka pjesë, nga njerëzia,
s’do as vetënë.

Naim Frashëri

“Urdhëri i Flamurit” nga Presidenti Meta për vëllezërit Frashëri na rikujtoi se ideali kryesor i frashëllinjve ishte Çlirimi Kombëtar. E veçanta e këtij Urdhëri, për herë të parë në historinë e dekorimeve shkon në tokën mëmë Frashër, vetë Presidenti, si shenjë mirënjohje dhe përulje, respekti dhe lartësimi për këta atdhetarë, që i rriti me ndjenjën e atdhedashurisë dhe diturisë. Dhe toka mëmë këtë urdhër do ta mbajë përjetë në gjirin e saj dhe vargjet e Naimit përjetë do të tingëllojnë aktuale sa të ketë këmbë shqiptari!

Ismail Kadare i frymëzuar nga vargjet lapidarë të Naimit: -Në mes tuaj kam qëndruar e jam duke përvëluar, vargje që shprehin misionin e poetit deri në flijim për të ndriçuar me ndjenjën patriotike popullin, shkruan poezinë “Monologu i Naimit”.

Në natën plot acar një zjarr desha të ndez.
Por nata ishte e ftohtë, ah,ç’tmerr i zi që ish.
Ndaj që të mbahej gjallë ky zjarrth n’atë rebesh:
diçka përherë kërkonte, kërkonte vazhdimisht.

Ndaj si shtegtari murg që shkarpat mbledh në terr,
unë hidhja n’atë zjarr gjymtyrët papushim.
Por ishin pak ato, ndaj fill pas tyre rresht,
mbi të nisa të hedh copëra të shpirtit tim.

Poema ”Bagëti e Bujqësia” është himni i dytë kombëtar, që deri më sot i është bërë Atdheut. Naimi shkruan:

O malet e Shqipërisë e ju o lisat e gjatë!
Fushat e gjera me lule, q’u kam ndër mënd dit’ e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenj të kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar!
Do të këndoj bagëtinë, që mbani ju dhe ushqeni;
O vëndëthit’ e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.
Ti, Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqipëtar,
zëmërën, ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.
Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
dashurinë tënde kurrë zemëra s’e ka harruar…

Naimi, kur shkruan këto vargje, përjeton disa emocione të fuqishme, emocione që depërtojnë dhe në shpirtin e çdo shqiptari. Naimi habitet, mahnitet, gëzohet duke i thirrur objektet, sendet, sikur janë të pranishme. Pamjet madhështore dhe thirrjet apostrofike të poetit gjallërohen që në vargjet e para. “O malet…” të duket sikur e ndien pranë këtë peizazh: një peizazh të pafund, plot dritë e gjallëri të shoqëruar me mallin për njerëzit e thjeshtë, për barinjtë, fshatarët duke i ngritur lart si njerëz të punës. Dashuria e pashterur e poetit për atdheun, ngre krenarinë e tij për emrin shqiptar

Kush më bukur se Naimi,-i drejtohet atdheut në trajtën e ligjërimit lutës dhe urues?

Begatoje, o imzot, ti këtë vend!
Epu njerëzvet të tij mbroth e shend!
Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij.

Gaz për jetë paçin zotërit e tij!
I begatë-i lulëzuar qoftë ai
një të ardhme pastë plot me lumturi!

“Biblioteka e Punëtorit Shqiptar” e ka cilësuar profesor Kostaq Cipo, Naim Frashërin: “Do të na jetë me këmbë të mbarë po ta nisim punën nga gjyshi i literaturës shqipe, nga Naimi. Mirë thomi nga gojëmjalti Naim duhet nisur puna. Në qoftë se Naimin si poet e duam; si flamurtar të idesë së shenjtë e përmendim me mirënjohje; për shqipen e pastër që ka përdorur anembanë veprave të veta ne e adhurojmë. Naimit i kemi hua shumë orë entuziazmi në moshën e parë të djalërisë, në atë stinë të qeshur të pranverës kur përditë gjenim në veprat e tij ndonjë fjalë shqipe që ne i bëheshim merak. Edhe sot po t’u flasësh nxënësve për Naimin, nuk dëgjojnë arsyetime, nuk pranojnë bisedime, i besojnë Naimit, duan Naimin. Andaj veprat më të mira të tij si: “Historia e Skënderbeut”, “Qerbelaja”, “Lulet e verës”, “Bagëti e Bujqësia”, “Parajsa” e ndonjë tjetër, do t’i kemi në raftin tonë. Një shëtitje e vogël nëpër to , sa do të na kënaqë! Do të gjejmë brenda theksa mallëngjimi, zjarr dashurie, pikësime të jetës blegtore, fusha lufte, panorama të bukura gjithë dritë e shkëlqim”…

Akademiku Rexhep Qosja studiuesi i veprave të Naim Frashërit shkruan: “Përvoja historike dëshmon se çdo lëvizje e madhe shoqërore do të ketë edhe letërsinë e saj të madhe. Letërsia e romantizmit shqiptar është letërsia e madhe e lëvizjes së Rilindjes Kombëtare, kurse vepra e Naim Frashërit është brerorja kuptimore, morale dhe estetike e kësaj letërsie. Vepra letrare e Naim Frashërit është vepër e madhe e letërsisë shqipe, në përgjithësi për arsye se është vepër e qëllimeve dhe vlerave të mëdha: që qëllimin e kërkon dhe e gjen jashtë vetes: që qëllimin e kërkon dhe e gjen në jetën historike dhe bashkëkohore të popullit: që qëllimin më në fund e kërkon dhe e gjen në përsiatjet e fatit të njeriut, në përgjithësi.

Në fillimet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare do të shtrohet pyetja: si të bëhet Shqipëria-e cila pesë shekuj nuk ishte, dhe si të bëhet shqiptari-i cili gati pesë shekuj ishte i robëruar? Si të bëhet shqiptari i lirë në vendin e vet dhe si të bëhet Shqipëria vend i lirë në të cilin si edhe në vendet e tjera të lira të botës, do të mund të ketë drejtësi, do të mund të arsimohej populli në gjuhën e vet do të mund të ketë demokraci dhe do të mund të krijohen lirisht arti dhe shkenca. Vepra e Naim Frashërit është përgjigja më e mençme, më e drejtë, dhe më e bukur që do të jepet në ato pyetje, sepse vepra letrare e Naim Frashërit, është vepër e mendimtarit që di të të shqetësojë me bukurinë e fjalës dhe e vjershëtorit., që di të të qetësojë me mençurinë e mendimit. Është e kuptueshme, prandaj, pse vepra e tij është bërë vepra e letërsisë shqipe, me ndikimin më të madh në jetën e popullit shqiptar. Platoni thotë se Homeri e ka edukuar krejt Greqinë. Po ashtu mund të thuhet edhe për Naim Frashërin: vepra e tij ka ndikuar në popullin shqiptar më shumë se një sërë institucionesh të tjera shoqërore, kulturore dhe politike. Të ndikosh aq shumë në një popull-kjo domethënë të jesh më tepër sesa shkrimtar: kjo domethënë të jesh mësues i tij.

Naim Frashëri është bërë mësues i popullit shqiptar kurse vepra e tij pjesë e pandarë e vetëqenies së tij shpirtërore dhe morale, sepse në një kohë të pastajme ia ka ndriçuar rrugën me porosinë më të mençur, me porosinë e madhe të veprës së tij të gjithanshme.”

Spiro Çomora përkthen nga greqishtja kushtimin e Naimit me vargje, miqve të tij si një detyrim i shenjtë për njerëzit.

Dashuria 1895

“Miqve të mi ua kushtoj
I dashur zoti Karolidhis

Kam vazhdimisht në mend studimin tuaj për vjershat e mia në persisht, botuar në periodikun “Qiriks”, që dilte atëhere (më 1885) në kryeqytet dhe fjalët: duke i uruar atij mbrothësi të shkëlqyer ndaj Muzave, gëzimin tonë, me shpresën që së shpejti do të mundë të stolis dhe Parnasin grek me një buqetë plot aromë e bukuri, si dhe dëshirën e mikeshës së Muzave, Këshillit redaksional të “Qiriksit”.

Duke njohur gjithashtu që përmbushja e dëshirave të miqve është detyrim i shenjtë për njerëzit, shkrova brenda pak kohe këto pak rreshta

Ju uroj shëndet
Juaji Naim Frashëri”

Merrja këngës me zë t’ëmbël,
O hyjneshë hire plot.
Si një vash’ e re, kur shpirti
edhe, zemra po ia thotë.

 Himn këndoji dashurisë
edhe, zanave perri:
Eja falja zemrës sime,
ato këngë që di ti.

Këndoi ndjenjës fisnike,
që na bën të dhëmbshëruar:
Ësht’ e bukur dhe buron
nga burimi i shenjtëruar. 

Dashuria më rrëmben,
Kur m’afrohet pak nga pak,
e në çast më bën për vete,
ma ndez shpirtin zjarr e flakë.

 Atëher’ ndërrohen motet,
dhe ndihem njësoj i lartë.
Midis aq perëndive,
brenda shekullit të artë.

 Kundruall meje, Afrëditën,
me shtat të hedhur shikoj.
Ajo është hyjnesha ime
Dhe më gjë tjetër s’kërkoj. 

Bilbilin nuk e zë gjumi,
po vazhdon edhe ia thotë,
me zërin e harmonishëm,
të përmalluar, të ngrohtë. 

Oh, se ç’zë i mrekullueshëm!
Bukurinë e shikoj,
edhe unë si bilbili
dhe, mahnitem, por s’guxoj.

Bota poetike e Naimit është mjaft e pasur: Zoti, natyra, njeriu , por edhe erotika zë një vend të rëndësishëm  në poetikën e tij. Bukuria dhe dashuria si cilësi shpirtërore në vargjet e Naimit paraqiten si bukuri hyjnore dhe njerëzore si në poezitë “Bukuria” dhe “ Dashuria”.

Kudo është bukuria:

në qiej, në dhe, në hënë,
në diell, në shenjë, në yj,
ndër lule, nër drurë, ndë pyje.
Çdo vënd që të ketë zënë,
atje shfaqet Perëndia,
po këtu është e tërë
dhe ajoTi është bërë…

Mos i hap leshratë n’erë,
të m’arratiç mëndjen time.
Mos më shiko dhe njëherë,
se m’u bë zemra thërrime.
Si thëllëz e bukur mos shko.
Mos vështro si pëllumbeshë.
Shpirtin mos ma përvëlo.
Mos u tund si mbretëreshë…

Në fytyrën tënde gjeta Bukurinë,
si ay që gjeti në mal Perëndinë.
Lulezët’ e majit sa janë të mira!
Po përpara teje m’erdhë të pështira.
Kur shoh faqezët e tua,
ç’vleftë i mbetet trëndafilit”?
Zëri yt shpirt më ep mua,
nuk i le shije bilbilit. 

Edhe hyjtë dhe hëna si të shëmëtuar,
m’u duknë kur pashë atë sy të shkruar!
Purtek’ e florinjtë, shigjet ‘ e ergjentë
zemrën më dogje, m’i përdave mënttë
Do të vdisja me shumë gaz,
të paskësha pak shpresë,
se do të thuash ti më pas:
vdiq për mua, pastë ndjesë!

Naim Frashëri, udhëheqësi shpirtëror i Rilindasve, lindi në Frashër të Dangëllisë, më 25 maj 1846. Kreu gjimnazin “Zosimeja” në Janinë të Greqisë. Veprimtaria e tij atdhetare e vendosi Naimin në krye të Rilindjes duke u bërë dhe poeti i saj më i shquar. Krijimtarinë e tij e përmblodhi në vëllimet: “Bagëti e Bujqësi”, “Lulet e verës”, “Histori e Skënderbeut”, “Dituritë për mësonjëtoret e para”, “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve” etj. Naimi është në krye  të Lëvizjes Kombëtare, jo vetëm me krijime letrare, por edhe me takime dhe udhëzime që u jepte bashkatdhetarë. Në Stamboll Naimi u bë krahu i djathtë i Samiut në organizimin dhe drejtimin e shqiptarëve kudo ndodheshin. Njëri nga bashkatdhetarët shkruan “I varfër vinja te Naim Beu, i pasur shkonja; i urët vinja, i nginjët shkonja. Kur shkonja, e ndieja veten të gjallë e me shpirt; Fjalët që na thoshte na shëronin zemrën.” Andon Zako Çajupi u nis për në Stamboll  të takohej me vjershëtorin e madh e të bisedonte me të për problemet që e preokuponin në atë kohë Shqipërinë. Naimi u gëzua shumë për këtë lajm të papritur, por e njoftoi menjëherë Çajupin të mos zbriste nga vapori pasi kish rrezik që turqit ta arrestonin dhe shkoi menjëherë në vapor. Biseduan për orë të tëra si dy miq të vjetër, si dy patriotë të shquar. Këtë takim historik, Çajupi s’e harron kurrë. Ai u mahnit nga mençuria dhe urtësia e Naimit.