Mungesa e kodit etik të stafit të prokurimit publik në Shqipëri

730
Punoi, Lolita Baholli
Për këtë arsye tashmë ka lindur nevoja për të zhvilluar një manual të kodit të sjelljes për zyrtarët e prokurimit, i cili të sigurojë mekanizmin për udhëheqjen e sjelljes së stafit dhe identifikimin e sjelljes së pranueshme si dhe përcaktimin qartë të pasojave
Të gjitha organizatat duhet të zhvillojnë një kod etik për stafin e tyre, kod i cili duhet ndjekur. Kodi i etikës është një deklaratë e formalizuar që përmban kode etike të sjelljes që duhet të ndjekin anëtarët e organizatave. Shumica e parimeve të etikës janë të lidhura me prokurimin dhe bazohen në parimet e trajtimit të barabartë, proporcionalitetit dhe transparencës. Zyrtarëve të prokurimit i besohet një lloj i veçantë i administrimit të shpenzimit të parave si nga buxheti i shtetit ashtu dhe nga burime të tjera publike. Për rrjedhojë ata duhet të shpenzojnë paratë pa devijuar nga procedurat e prokurimit dhe pa i përshtatur ato për lehtësitë e tyre. Mesazhi i një procedure duhet të jetë i qartë për blerësit dhe furnizuesit, pasi zyrtari i prokurimit ka përgjegjësi për të vepruar në mënyrë etike dhe duhet të jetë e qartë se çfarë mund të ndodhë nëse nuk respektohen sjelljet etike. Në Republikën e Shqipërisë, autoritetet kontraktore dhe faktorët e tjerë që lidhen me prokurimin publik, për sjelljen e tyre profesionale në prokurim, nuk kanë një kod etik të prokurimit, si një konsideratë e përditshme e punës, të cilit ato duhet t`i përmbahen, për të përcaktuar vlerat thelbësore dhe normat e sjelljes etike, praktikat e rekomanduara, si dhe për të vendosur kodin e mirësjelljes në mes të autoriteteve kontraktuese, operatorëve ekonomikë dhe kontraktorëve. Kjo në një kohë që në shumë shtete si dhe në organizata të ndryshme në botë, ekziston dhe zbatohet një kod i tillë. Nga auditimet e kryera nga KLSH janë të shumta rastet me korrupsion në këtë fushë, të cilat flasin për një sjellje jo etike. Këtu mund të përfshihen devijimet nga procedurat e sakta; rezistenca ndaj auditimit; mbajtja jo e saktë e dokumentacionit; hezitimi për të deleguar kompetencat; sekreti i tepruar; menaxhim i diktuar; takime të panevojshme me operatorët ekonomikë, vendosja e të njëjtit staf në procedura për një periudhë të gjatë kohore, dhënia e informatave të operatorëve ekonomike pjesëmarrës në procedurë, etj. Shumë herë lihet të nënkuptohet se anëtarët e njësive të hartimit të dokumenteve të tenderit apo të komisioneve të vlerësimit të ofertave kanë qenë të diktuar të veprojnë në kundërshtim me bazën ligjore të përcaktuar, apo janë shtyrë nga interesa të përfitimeve të ngushta vetjake, pavarësisht përcaktimeve të nenit 26, “Veprimet korruptive dhe konflikti i interesave” të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, ndryshuar, “Për prokurimin publik”, ku janë përcaktuar arsyet e refuzimit të një oferte deri në kallëzimin penal në organet përkatëse, kur aktet apo veprimet në fjalë përbëjnë vepër penale. Roli kryesor i secilit zyrtar të prokurimit është të ekzekutojë funksionin e tij të prokurimit sipas standardeve më të larta të profesionalizmit dhe në respektimin e vlerave, objektivave dhe interesave të organizatës. Kjo nënkupton që zyrtari i prokurimit duhet t’i përmbahet parimeve të drejtësisë, paanësisë, transparencës, të shmangë konfliktin e interesit dhe të ndonjë padrejtësie tjetër si dhe të respektojë dhe zbatojë politikat, rregullat dhe procedurat përkatëse të organizatës. Zyrtarët e prokurimit duhet të udhëhiqen nga fryma e ligjit ose koncepti më i gjerë që ka për qëllim të shprehet në një kod. Është e nevojshme që zyrtarët e prokurimit të kuptojnë se çfarë ligji apo rregulli synon të arrijë. Kjo do të thotë se prokurimi duhet të shihet si një profesion që duhet të kryhet nga stafi Profesional, pasi prokurimi i cili bazohet në praktika të shëndosha etike ndikon në ekonominë e çdo vendi. Përgjithësisht në akte të ndryshme të prokurimit, pranohet nevoja për të rregulluar dhe monitoruar në mënyrë efektive etikën dhe sjelljen etike të zyrtarëve të përfshirë në sistemin e prokurimit për të siguruar transparencën dhe llogaridhënien, por eksperienca audituese e Kontrollit të Lartë të Shtetit ka treguar se lihet shumë për të dëshiruar. Punësimi i stafit profesional të prokurimit dhe përcaktimi i qartë i roleve si dhe dhënia e përshkrimit të vendeve të punës e minimizon incidentin e konfliktit të interesit, përmirëson mbikëqyrjen dhe sjelljen etike. Për këtë arsye tashmë ka lindur nevoja për të zhvilluar një manual të kodit të sjelljes për zyrtarët e prokurimit, i cili të sigurojë mekanizmin për udhëheqjen e sjelljes së stafit dhe identifikimin e sjelljes së pranueshme si dhe përcaktimin qartë të pasojave. Kodi i prokurimit duhet të përcaktojë konceptet dhe parimet etike që lidhen me procesin e prokurimit si besnikërinë dhe respektin për rregullat dhe rregulloret, ndershmërinë gjatë procesit; paanshmëri dhe drejtësi; transparencë; konfidencialitet; shmangie të shfaqjes së pahijshme si dhe kujdesin e duhur, gjithashtu duhet të nxisë standardet më të larta të kompetencës profesionale midis atyre për të cilët ata janë përgjegjës, për respektimin e konfidencialitetit dhe informacionit të marrë si edhe mospërdorimin e tij për përfitime personale, të përpiqen për një konkurrencë të vërtetë, të drejtë dhe transparente. Kjo jo vetëm që do të ndihmojë në rikthimin e perceptimeve të publikut për procedurat e prokurimit, por gjithashtu do të bëjë që procesi të jetë i qëndrueshëm dhe të kontribuojë në zhvillimin social ekonomik të vendit, në vend që të shihet si një veprimtari përmes së cilës asetet publike konvertohen në pasuri private. Gjetjet e raportuara në këtë fushë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, tregojnë se jo vetëm ka ardhur koha por jemi shumë vonë që institucionet apo organizatat që kryejnë procedura prokurimi të hartojnë dhe të venë në funksion në mënyrë të detyrueshme kodin e sjelljes etike për stafin e prokurimit. 
Sigal