Ministria e Arsimit merr vendimin për tarifat e studentëve për vitin akademik 2019-2020

631
Sigal

Ministria e Arsimit ka anuluar tarifat e studentëve për vitin akademik 2019-2020.

NJOFTIMI I PLOTE

Përgjigjja për shkresën “Mbi anulimin e tarifave për vitin akademik 2019-2020”:

Të nderuar,

Pas një proteste para Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) më datë 17.06.2020, u pranua dhe u protokollua letra e pa firmosur me titull: “Mbi anulimin e tarifave për vitin akademik 2019-2020.”

MASR është gjithmonë në mbështetje të studentëve dhe angazhohet plotësisht në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së arsimit të lartë. Kjo është dëshmuar qartë edhe me politikën e “Paktit për Universitetin”, një prej sipërmarrjeve më domethënëse të MASR si në aspektin financiar, shkencor dhe administrativ – e përkthyer ndryshe – një prej dëshmive më të mira të qasjes dhe mbështetjes së zërit dhe përmirësimit të jetës studentore, përfitues direkt të së cilit është edhe grupi i studentëve që protestoi më datë 17 qershor.

Përkundër dëmeve dhe kostove të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia COVID-19, MASR duke e konsideruar si një politikë të rëndësishme me fokus kryesor studentët, ka vazhduar “Paktin për Universitetin” duke ndjekur këtë vit alokimin e fondeve pranë Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL-ve) për subvencionimin e përgjysmimit të tarifave dhe bursat për ekselentët (për mbi 90% të studentëve); duke negociuar me bashkitë për çështjen e pagesës së konvikteve; si dhe duke kontribuar në vendimin për shtyrjen e qerasë së studentëve gjatë periudhës së pandemisë.

MASR ka shlyer që në janar detyrimet financiare ndaj të gjithë IAL-ve nga buxheti i shtetit. Viti 2020-të është edhe viti më i mirë deri tani për sa i përket kontributit të buxhetit të shtetit në subvencionimin e kostos së studentit, përqindja e së cilit është në fashën 75-98% në IAL-të publike.

Shqetësimin e studentëve e mirëkuptojmë duke marrë parasysh që jo çdo lëndë është zhvilluar në të njëjtin nivel qëkur mësimi ka kaluar online. Ankesat e disa studentëve që na kanë ardhur në ministri për departamente apo lëndë të caktuara, ne i kemi dërguar menjëherë në universitete duke u kërkuar që të marrin masa për akomodimin e tyre dhe kthyer ata nëpër auditorë, gjithmonë në respektim të rregullave të distancimit fizik dhe kushteve higjieno-sanitare me qëllim realizimin e konsultimeve të nevojshme para provimeve.

Theksojmë se ky është një proces që duhet të ndodhë në çdo IAL. Studentët duhet të çojnë atje ankesat për lëndë specifike në mënyrë që universiteti të akomodojë ata studentë që kanë hasur vështirësi me mësimin online duke u ofruar leksione shtesë.

MASR vijon të jetë mbështetësja më besnike e studentëve dhe sa më shumë që të konkretizohet angazhimi i tyre në universitet dhe për universitetin, aq më shumë do të rriten gjasat në përmirësimin e mëtejshëm të gjendjes në universitet.

Rruga e Durrësit, nr. 23, mirëpret studentët në çdo kohë: qoftë si vizitorë, si praktikantë apo si protestues, dhe i garantojmë se janë gjithmonë të mirëseardhur. Por, ndryshimi që studentët dhe MASR duan ta shohin në universitet, do të ndodhë vetëm kur angazhimi i studentëve për ndryshim të fillojë të përqendrohet më shumë në universitet se sa para MASR.