Ministri teknik mbron kontratën korruptive të “Check-up”-it

353
Përparim HALILI

Pse “ministri teknik” i Shëndetësisë, nuk e bllokon koncesionin korruptiv të “Check-up”-it të Vilma Nushit?
Në çdo takim elektoral, kreu i opozitës po quan krim financiar që do ta shfuqizojë në ditën e parë të ardhjes në pushtet
Takimet elektorale që po zhvillon kreu i opozitës, kanë si moto premtuese edhe luftën kundër korrupsionit të kupolës së “Rilindjes”, simboli i të cilës janë koncesionet në shëndetësi. Në çdo takim, krye-opozitari Basha deklaron se ditën e parë të pushtetit të tij, do të shfuqizoj koncesionin e “Check-up”-it të Vilma Nushit, nëpërmjet të cilit po zhvaten 110 milionë euro nga taksat e shqiptarëve. Këtë vendim, kreu i PD deklaron se do ta ekzekutoj që ditën e parë të ardhjes në pushtet. Çfarë pushteti pritet për ta bllokuar e shfuqizuar këtë koncesion mafioz? Koncesioni i “Check-up”-it, nuk është më në “kthetrat” e ish-ministrit Ilir Beqja, por është nën administrimin e pushtetit të PD, mbasi ministria e Shëndetësisë po drejtohet prej kësaj partie, mandatuar nëpërmjet paktit bashkë-qeverisës “Rilindje”-“Republika e re”! Ministri i PD, ka fuqinë kushtetuese për të marrë vendime dhe sipas ligjit, ai ka kompetencën e plotë për të bllokuar aktivitetet koncesionare në sektorin e shëndetësisë, kur ato janë dhënë në kundërshtim me ligjin! Në rastin konkret, PD si pjesë e pushtetit “Rilindje”, nuk ka pse bënë demagogji elektorale parazgjedhore për shfuqizimin e koncesionit të “Check-up”-it me vlerë 110 milionë euro, që prej 2 vitesh kanë filluar të futen në xhepin e Vilma Nushit, por nëpërmjet ministrit të saj fuqiplotë, të nis procedurën për bllokimin e këtij koncesioni, paçka se edhe ministri thonë se është pjesë e këtij koncesioni, si “ekspert”! Ministrit “teknik” të shëndetësisë, të emëruar nga PD, ia njeh ligji dhe funksioni zyrtar bllokimin e koncesionit të “Check-up”-it! Këtë bllokim e madje e shfuqizim, po e deklaron edhe shefi partiak i ministrit të Shëndetësisë! Atëherë, përse ministri nuk e bllokon këtë koncesion, gjersa deklarohet dhe provohet se është një krim ekonomik-financiar shtetëror, i bërë me taksat publike? Përse ministri nuk zbaton programin qeverisës anti-korrupsion të partisë që përfaqëson, kur këtë krim e ka denoncuar edhe grupi parlamentar i PD në komisionin e Shëndetësisë? Çfarë e pengon ministrin? Apo gjithçka është demagogji elektorale? Gjersa ka fuqi të shkarkoj dhe emëroj titullarë e zyrtarë të lartë, sekretare, këshilltarë e drejtorë, përse nuk bllokon një akt administrativ, siç është koncesioni i “Check-up”-it?! Nuk po paragjykojmë faktin, që ministri dhe “miq” të ministrit “teknik”, siç thuhet, kanë lidhje “shërbimesh e përfitimesh” me këtë koncesion fiktiv që i është dhuruar Vilma Nushit, por bënë përshtypje fakti, që ministri nuk zbaton thirrjen programore qeverisëse të kryetarit të partisë së tij! e për më tepër nuk zbaton detyrën kushtetuese si ministër, për të bllokuar aktet korruptive që janë bërë dhe vazhdojnë në institucionin që ai drejton! Madje, thuhet se ministri “teknik” i Shëndetësisë ka firmosur edhe “çekun” e radhës të shlyerjes së vlerës së këtij koncesioni, duke e njohur atë si të ligjshëm! 
Nëse ministri “teknik” i PD nuk po bllokon koncesionin, ka detyrim të publikojë kontratën 
Nëse ministri “teknik” i PD, nuk po e bllokon koncesionin për arsyet që di ai apo që ia kanë diktuar të mos veproj, minimalisht ka detyrim zyrtar e ligjor të publikoj kontratën e këtij koncesioni! Mirëpo, Vilma Nushi ka arritur të mbaj të fshehtë kontratën koncesionare të “Check-up”-it me bllokim të plotë, duke pasur mbështetjen e Kryeministrisë, të Ministrisë së Shëndetësisë, të Ministrisë së Financave dhe të Ministrisë së Ekonomisë, të cilat janë bërë jo vetëm financues antiligjor, por edhe mburojë e pronares së koncesionit të “Check-up”-it Paçka se kontrata po mbahet e fshehtë, nuk mbahen dot të fshehta dokumentet e llogarive të kapitalit dhe aksioneve, të cilat disponohen nga QKB e QKR. Gazeta “Telegraf” ka denoncuar faktin, që nën maskën e dosjeve fiktive të koncesionit të “Check-up”-it, Vilma Nushi ka tërhequr miliona lekë pagesa nga buxheti i shtetit, madje edhe para kohës së kryerjes së shërbimit të këtij koncesioni, skandal që është denoncuar edhe nga PD, në grupin parlamentar të Shëndetësisë. Ministri “teknik” i PD ka detyrimin ta publikoj kontratën fillestare të “Check-up”-it, kontratën e rishikuar pas 1 viti dhe kontratën për ndryshimin e moshave që i shtohen kontrollit të “Check-up”-it, me qëllimin për të shtuar vlerën e miliardave të Vilma Nushit. Përse nuk e publikon këtë kontratë?! Kush e ndalon? A ka interesa në këtë koncesion edhe ky ministër?! Kryeministria dhe institucionet e tjera në varësi, konkretisht ministrat përkatëse që kanë lidhje me dhënien dhe monitorimin e koncesionit të “Check-up”-it, nuk pranojnë të japin asnjë informacionin, paçka se i detyron ligji mbi të drejtën e informimit. Sipas ligjit, nuk mund të pengohet, vonohet dhe bllokohet asnjë informacion shërbimesh private që kryhen me fondet publike! Ky informacion i duhet dhënë çdo qytetari jo më medies e cila informon publikun. Mirëpo ja që po ndodh me informacionin e koncesionit të “Check-up”-it, i cili nuk jepet, mbahet i fshehtë me lloj-lloj sajesash të drejtuesve të lartë shtetërorë! Gazeta “Telegraf”, prej disa muajsh po kërkon informacion lidhur me koncesionin që po pasuron klienten e “Rilindjes” Vilma Nushi, duke i dhënë 110 milionë euro nga taksat publike, nëpërmjet një shërbimi fiktiv, që shqiptarët nuk e kryejnë faktikisht, por që Vilma plotëson letrat sikur e kryejnë!