Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi: Buxheti për bujqësisë u rrit 20 %. Do jetësojmë Shërbimin Veterinar, do punësohen 430 veterinerë të rinj

255
Sigal

 

Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi u shpreh se buxheti për institucionin që ai drejton është rritur me 20 %. Ai tha se kjo rritje ka ardhur për shkak të politikave dhe projekteve, të cilat në thelb synojnë të rrisin sigurinë ushqimore në Shqipëri. Ministri Çuçi shtoi se po planifikohet të ri-ngrihet institucioni i Shërbimit Veterinar Shtetëror, ndërsa shtoi se janë planifikuar të punësohen rreth 430 veterinerë të rinj.

“Ka një rritje prej 20%, që është ndoshta rreth 2 miliardë lekë. Besoj se nuk ka ministër më botë se thotë “kaq është mjaft”, por sigurisht kur një buxhet vjen në rritje jam i kënaqur dhe kjo rritja ka ardhur për disa nga projektet tona që janë shumë të rëndësishme, siç është e para siguria ushqimore, ku do të jetësojmë rindërtimin e Shërbimit Veterinar Shtetëror duke shtuar rreth 430 veterinerë të rinj, që do të punësohen nga e para, duke krijuar një piramidë dhe do ta kthejmë shërbimin veterinar siç ka qenë para viteve ’90. Kjo (kontrolli) fillon që nga ushqimi i bagëtisë, që merr bagëtia, dhe me veterinerin mbaron te dyqani ku shitet mishi. Dhe ky është një nga ciklet më të rëndësishme sa i takon sigurisë ushqimore dhe monitorimit që na bëjnë të huajt, dhe sidomos BE-ja në mënyrë që produktet tona shtazore të shiten në Evropë”, tha ai.

Ministri i Bujqësisë theksoi se produktet shtazore “Made in Albania” kanë gjetur treg në Amerikë, Kinë dhe në Angli.

“Produkte shtazore me origjinë nga Shqipëria po shiten në tregjet botërore, po shitet djathë. Në Amerikë është hapur treg i ri, në Kinë, në Angli gjithashtu. Janë produkte të certifikuara nga ne dhe nga ata dhe janë me “Made in Albania”, shtoi ministri.

Teksa pranoi faktin se numri i gjedhëve në Shqipëri ka pasuar rënie, z. Çuçi shpjegoi planin e ri, i cili sipas tij, pritet t’i japë shtysë sërish rritjes dhe mbarështimit të blegtorisë. Ai tha se gjatë këtij viti janë lëvruar 5 milionë dollarë për subvencionimin e këtij sektori. “Është në rënie numri i gjedhëve, ka shpjegim sepse ka luhatje, por unë besoj se me masat që po marrin dhe po tentojnë të ruajmë një ekuilibër, dhe për këtë qëllim, gati 75% të ndihmës dhe subvencionit që vjen nga buxheti i shtetit unë e çoj për të subvencionuar blegtorinë dhe me mbështetje për krerë të bagëtive me skemën kombëtare. Subvencioni për pjesën e blegtorisë mund të ketë arritur rreth 5 mln dollarë, dhe kjo është arsyeja se pse unë ia jap blegtorisë dhe besoj se kemi burime të pashfrytëzuara, që në mund t’i kthejmë në vlerë dhe mund të rritemi”, theksoi ai.