Mijëra paund dhe euro në autobus, arrestohet shoferi

62

Policia Kufitare ne Durres ka parandaluar një tjeter rast të tentativës për kontrabandë dhe mosdeklarimit të të hollave në kufi.

Gjate kontrollit ne autobusin me drejtues shtetasin I. F. policia ka gjetur 30000 paund, 78730 euro, 545 aparate celularë të markave të ndryshme, 2 kondicionerë, goma kamioni dhe automjeti, si dhe pako me veshje të ndryshme.

NJOFTIMI 

Sekuestrohen vlera monetare, aparate celularë, kondicionerë dhe veshje të ndryshme.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu edhe në hyrje, në Portin e Durrësit.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe bazuar në analizën e riskut të bërë nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, autobusi me drejtues shtetasin I. F.

Gjatë kontrollit të kryer në vijën e dytë, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Pikën e Kalimit Kufitar Port, Durrës, në autobus janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:

30000 paund, 78730 euro, 545 aparate celularë të markave të ndryshme, 2 kondicionerë, goma kamioni dhe automjeti, si dhe pako me veshje të ndryshme.

Në vijim të veprimeve hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, është arrestuar në flagrancë drejtuesi i mjetit, shtetasi I. F., 41 vjeç, banues në Vlorë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.