Meta vlerëson juristin e njohur Nafiz Bezhani me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: Shembull i rrallë i rezistencës ndaj padrejtësive, besnik i parimeve të së vërtetës

187
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi personalitetin e njohur, avokatin dhe shkrimtarin Nafiz Bezhani (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: “Në vlerësim të vlerave të spikatura si qytetar kurajoz në mbrojtje të shoqërisë dhe të institucioneve të lirisë e demokracisë; ndaj veprimtarisë së tij krijuese, letrare dhe publicistike, si dhe për kontributin e dhënë për pasurimin e kujtesës historike përmes analizës, ngjarjeve dhe fakteve juridike.

Me mirënjohje për shembullin e rrallë të rezistencës ndaj padrejtësive e të mos përkuljes kundrejt arrogancës dhe trysnisë së pushtetit, duke i qëndruar besnik parimeve të vetvetes dhe imazhit të njeriut dinjitoz, i cili gjatë gjithë jetës së mundimshme, mbeti besnik i parimeve të së drejtës dhe të së vërtetës.”

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh se ai është shembull i rrallë i rezistencës ndaj padrejtësive, besnik i parimeve të së vërtetës.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

FJALA E PRESIDENTIT META
I lumtur të vlerësojmë një personalitet të njohur, avokatin dhe shkrimtarin e njohur, Nafiz Bezhani.
Edhe pse nuk ndodhet fizikisht mes nesh, ai ka lënë një trashëgimi të pasur me veprat e tij, si autobiografike, ashtu edhe shkencore dhe juridike.
Avokat Nafiz Bezhani i lindur në Fterrë, vetëm 15-vjeç, i bashkohet Brigadës së Parë Sulmuese, në luftë kundër pushtuesit.

Pas Çlirimit të vendit, Bezhani vazhdoi të japë kontributin e tij, në disa funksione shtetërore.
Fatkeqësisht, për shkak të ideve të tij, liberale dhe demokratike, përjashtohet nga Partia ‘për pikëpamje armiqësore ndaj saj’, duke i hequr të drejtën e nëpunësisë dhe të botimit.

Detyrimi për të kryer punë të rëndomta, nuk e theu shpirtin krijues dhe vendosmërinë e avokat Bezhanit. Ai vazhdoi të merrej me krijime e përkthime, si dhe me studime shkencore, sidomos në fushën e jurisprudencës.

Ardhja e demokracisë solli dhe përfshirjen e avokat Bezhanit në institucione si, Gjykata e Kasacionit apo Komisioni Shtetëror i Kontrollit të Figurave, ku dha një kontribut të veçantë e të vlerësuar për integritetin e tij.

Krahas punës, avokat Bezhani merrej edhe me veprimtari krijuese, letrare e publicistike, duke pasqyruar copëza nga jeta e tij, tejet e vështirë, gjatë regjimit komunist dhe duke paraqitur fakte të jetuara e të dhimbshme të deformimit ideologjik të shoqërisë dhe të individit në atë periudhë.

Edhe pse me një jetë të mbushur me vështirësi të mëdha, avokat Bezhani, ka manifestuar një angazhim të qëndrueshëm, profesional e qytetar.

Ai, gjatë jetës dhe në veprat e tij mbi të gjitha, ka çmuar e ka mbrojtur të vërtetën, duke pasqyruar qetësi logjike, aftësi vëzhgimi dhe forcë e qëndresë intelektuale.

Ndërkohë që në një nga veprat e tij, atë autobiografike, avokat Bezhani ka shprehur qartësisht dhe thjeshtësisht ndjenjën e dhimbjes, por dhe të dashurisë njerëzore, të respektit ndaj njeriut të punës, por dhe të përpjekjeve për t’u mos dorëzuar përpara të papriturave dhe vështirësive.

Me gjithë vështirësitë, vuajtjet e tij individuale e familjare, gjatë regjimit komunist, avokat Bezhani, tregoi gjithmonë tolerancë e dha mesazhe pozitive, me veprat dhe punën e tij. I përjetshëm kujtimi i avokat Nafiz Bezhanit.