Presidenti i Republikës, Bajram Begaj mori pjesë në takimin e përvitshëm të alumni të Qendrës Evropiane të Studimeve të Sigurisë “George C. Marshall”.
Qendra “Marshall” u krijua nga partneriteti amerikano-gjerman 30 vjet më parë për të ndihmuar në promovimin e paqes dhe të stabilitetit në Evropën Lindore.
Përgjatë këtyre 30 viteve, Qendra “Marshall” ka nxjerrë më shumë se 300 alumni nga Shqipëria në fushën e mbrojtjes, sigurisë, diplomacisë, drejtësisë dhe të akademisë.
Begaj tha se ndërsa Qendra “Marshall” feston 30-vjetorin e saj, është e rëndësishme të kujtojmë se ky institucion u krijua për të ndihmuar në promovimin e paqes dhe të stabilitetit në Evropën Lindore.“Qendra ‘Marshall’ ka qenë gjithmonë e gatshme për të ndihmuar qeverinë shqiptare në projekte të rëndësishme, ku bën pjesë edhe mbështetja në hartimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare”,- tha ai. Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe të Qendrës “Marshall” dhe të qeverisë amerikane e gjermane gjatë 30 viteve të fundit, me qëllim rritjen e kapaciteteve tona në fushat e sigurisë, mbrojtjes, demokratizimit dhe të forcimit të qëndrueshmërisë sonë kombëtare.
Presidenti theksoi se “sot marrin rëndësi më shumë se kurrë vlerat e qeverisjes demokratike, si dhe rëndësia kritike për të vazhduar investimin tonë në marrëdhëniet transatlantike”.
“U jemi shumë mirënjohës aleatëve tanë për mbështetjen dhe për ndihmën e dhënë në ndërtimin e në forcimin e kapaciteteve dhe të qëndrueshmërisë sonë kibernetike. Përvoja jonë e hidhur është shembull i sfidave me të cilat përballemi, ku aktorë shtetërorë e jo shtetërorë, me synime keqdashëse dhe destabilizuese mund të sulmojnë me një ndjenjë mosndëshkimi. Këto raste demonstrojnë rëndësinë e forcimit të Aleancës dhe të partneritetit euroatlantik. Konkretisht marrëdhënia gjermano-amerikane e Qendrës ‘Marshall’ është një shembull i shkëlqyer i partneriteteve të suksesshme”,- tha ai.




















