Presidenti Ilir Meta ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish presidentit grek, Karolos Papulias i cili sot në moshën 92 vjeçare dha frymën e fundit.
Papulias njihet ndryshe si politikanëi grek i cili u mundua të vendoste lidhje diplomatike me Shqipërinë komuniste gjatë regjimit të Enver Hoxhës.
Me anë të postimit në facebook, Meta shkruan se kontributi i tij në përmirësimin e marrëdhënieve kishte qenë historik dhe shtoi se takimet me të do mbeteshin të paharrueshme.
Postimi i Plotë nga presidenti, Ilir Meta për ndarjen nga jeta të ish presidentit grek, Karolos Papulias:
Mësova me trishtim ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të Republikës së Greqisë, Karolos Papulias.
Vlerësim të madh për rolin historik dhe kontributin e Tij të çmuar në përmirësimin e marrëdhënieve dhe forcimin e fqinjësisë së mirë mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe për frymën konstruktive dhe vullnetin e sinqertë të dëshmuar për rivendosjen e urave dhe frymës së bashkëpunimit në të gjitha fushat mes dy popujve tanë.
Për mua do të mbeten të paharruara takimet me të dhe sidomos respekti dhe përzemërsia e Tij ndaj popullit shqiptar dhe Shqipërisë.
Ngushëllime familjes, autoriteteve dhe kombit grek për humbjen e këtij personaliteti të madh, që kontribuoi në rivendosjen e demokracisë dhe progresin e vendit të Tij.




















