“Mësimi online ndikoi te matura”, ekspertët pranojnë: Edhe përkthimi ishte jo i duhuri

246
Sigal

Numri i lartë i mbetësve në provimin e gjuhës së huaj dhe letërsisë për ekspertët e arsimit tregon dështimin që pati zhvillimi i mësimit online.

Ish drejtori i arsimit Qemal Çejku, radhit disa arsye të këtij rezultati të ulët të notave, duke bërë përgjegjës edhe përgatitjen e të rinjve.

“Shkëputja e gjatë e maturantëve nga bankat e shkollës bëri atë shkëputjen psikologjike, sociale mes të të dhënit të mësimit dhe pjesës virtuale, që realisht nuk u bë kurrë një mësim në distancë. Edhe për efekt të mospërfshirjes së nxënësve, pro edhe për efektin e mbingarkesës së mësuesve,” tha Çejku.

Një tjetër problem që solli këtë nivel notash te maturantët është edhe përkthimi i cili nuk është përshtatur në formën e duhur.

“Ka 7 vite që lënda e matematikës është një lëndë që vjen nga jashtë, nuk është libër që ka qenë në Shqipëri. Në këtë libër janë hequr mbi 20-30 tema të matematikës reale që ne kishim më përpara. Në testin e hartuar të maturës shtetërore, këto tema ishin përsëri. Ky test erdhi shabllon nga jashtë,” tha ai.

Të gjitha mangësitë e shkaktuara gjatë mësimit online apo të alternuar duhet që të plotësohen, ndërsa, thotë Çejku, duke ofruar edhe shkolla verore.

“Duhet që të kishte bërë një strategji të zhvillimit të arsimit të lëndëve që gjendjen në maturë edhe gjatë verës. Shkolla verore për problematikat që ne mund të kemi,” tha Çejku.

Duke u nisur nga pretendimet e maturantëve për një nivel të vështirë në provimin e matematikës, ekspertët presin një rezultat negativ.

Në provimin e gjuhës së huaj u vlerësuan me notën maksimale, 36 nxënës, ndërsa nuk e morën dot provimin, 2199. Te ai i gjuhës shqipe dhe letërsisë  10 absolute e morën vetëm 2 nxënës, ndërsa rreth 2000 nuk kaluan dot pragun minimal të pikëve.