Mekanizmat shtetërorë nuk kanë shqetësimin për zjarret në pyjet

454
Sigal

Sazan Guri, aksidentohet, duke shuar zjarret në Qafën e Dajtit. Akti i tij heroik, na kujton heroin, Isuf Plloçin

Të enjten mbasdite, ambientalisti i shquar, Sazan Guri, u aksidentua, duke shuar zjarret në Qafën e Malit. Akti heroik i Sazan Gurit, për të shuar zjarrin në malin e Dajtit, na kujton aktin heroik të Heroit të Punës, Isuf Plloçin, i cili luftoi me zjarrin në pyjet e Martaneshit, deri sa u dogj. Edhe Sazan Guri është një shembëlltirë e ditëve të sotme, pikërisht, kur njerëzit të vetëdijshëm i vënë zjarrin pyjeve për të përfituar disa kg qymyr, ose të të ndërtuar shtëpi, si edhe në dimër presin mijëra pemë, për të shitur drurin për zjarr në shtetet e tjera. Deri dje mbasdite, Sazan Gurit, pas aksidentit, iu dha ndihma e nevojshme mjekësore në spital dhe po dje mbasdite iu dha dalja nga spitali. “Telegraf”, bashkëbisedoi me ambientalistin Sazan Guri, pak minuta, pasi zoti Sazan Guri mbërriti në shtëpi.

-Zoti Sazan, ju urojmë të shkuara. Si ndiheni?
– Jam më mirë. Nga plagët që kam marrë, mund të rri shtrirë dy javë. Më zuri e keqja, sidomos tani, që duhet të jemi të gjithë, atje, të zjarret.
– Si ndodhi, që u aksidentuat?
– Isha në shërbim, në Kroaci, kur më lajmëruan që zjarret në Shqipëri, po kërcënojnë gjithçka. U ktheva urgjent. Kur u ngjitëm në malin e Dajtit, nuk pashë asnjë lëvizje, asnjë shqetësim, qoftë nga komuna, qoftë nga organizmat e shtetit. Nuk lëvizte askush, nuk shqetësohej për zjarret asnjë. Pardje, organizuam me aktivistë një aktivitet, për të sensibilizuar qytetarët. Ishim 50 vetë dhe shkuam të vendi i quajtur Gurrore, të Qafa e Dajtit. Kur papritur shikojmë zjarr në pemë. Dikush e kishte vënë me qëllim. Të gjithë u sulëm ta shuanim. Unë u ngjita në pemë, që të shuaja zjarrin. Isha në një lartësi 6 metra. Diku, rashë nga lartësia. Fillimisht, u kapa në degën e parë. Nuk më mbajti. U mundova të mbahesha te dega e dytë. Edhe ajo nuk më mbajti. Deri këtu mbaj mend. Te dega e fundit, nuk di, ç’ndodhi.
– Nuk patë asnjë lëvizje nga mekanizmi shtetëror?
– Jo, deri atë ditë, asnjë nuk shqetësohej. Pyes. Si ka mundësi që ushtria nuk futet në këtë luftë të jashtëzakonshme? Jemi vend në NATO. Përse nuk na ndihmojnë edhe më një helikopter? Çfarë po ndodh me qeverinë tonë që nuk e ndihmojnë nga NATO? Edhe helikopterin turk që ndihmoi në Tiranë, është privat, nuk është dërguar në ndihmesën qeveritare. Si ka mundësi që hesht Ministria e Mjedisit, që bën pushime tre mujore? Si ka mundësi që kryeministri nuk thotë një fjalë për zjarret? Jemi 1 milion banorë në Tiranë dhe për çdo banor duhen 100 pemë, përreth, kur ne i djegim të gjitha? Duke u kthyer nga Kroacia, në asnjë shtet nuk pashë zjarr. Vetëm Shqipëria digjet, e askush nuk shqetësohet. Në Koplik, pashë një vend të madh që kanë grumbulluar dru të prerë. Shesim kudo dru, në Maqedoni e Greqi, kur ato nuk duan të presin asnjë pemë. A pyesim ne shqiptarët: Përse jemi vrasës të ambientit tonë?
– Akti juaj heroik, na solli ndërmend heroizmin e Isuf Plloçit, që u dogj, duke shuar pyllin.
– Nuk më ka shkuar mendja. Unë e ndjej detyrë, ndaj shkova të shuaja zjarrin. E ndjej se na përket të gjithëve. Është prona, është mjedisi, është jeta jonë, ndaj duhet me çdo kusht ta mbrojmë.

SHQIPËRI E ZJARROSUR APO E MARROSUR
Sazan GURI

Mbi 400,000,000-500,000,000m2 pyje ose 4000-5000 ha, kullota apo tokë shkurrore po vihen nën flakët e zjarreve të zjarrvënësve, si për të thënë që ne barbarët e maleve nuk jemi thjesht barinj, por Zeusa që komandojmë frymëmarrjen tuaj aty pale dhe në qytet, si për të vërtetuar atë që thonë se pasuritë shërbejnë, kur janë në duart e dijetarëve dhe jo në duart e një teveqeli, që kësisoj duan veçse dhunë të ushtrojnë. Nuk ka më çfarë të digjet në Shqipëri. Mijëra dru frutorë, dhjetëra mijëra dru halorë, qindra mijëra dru shkurror e madje nën këmbët e flakëve të maleve. Mijëra kafshë pa strehë e pa ushqim. Dikur ishim të varfër nën një mjedis të pasur, ndërsa sot jemi më të varfër se kurrë, sepse ajo po na pllakos në mendje, në shpirt dhe në atë çka na rrethon. Mbasi i hoqëm skalpin me zhavorre shtretërve të lumenjve, mbasi lamë plehrat të shkapërndahen kuturu vendit, mbasi bëmë të ndotet çdo burim sipërfaqësor, mbasi lejuam të ndyhen ujërat nëntokësorë, mbasi çuam erozionin të prek 10mm në vit, mbasi urbanizuam brezat bregdetare alla golemçe deri në 40m pranë detit, shpesh dhe brenda tij, mbasi derdhim ujërat e zeza në lum, në liqen, në det, në tokë, mbasi fshimë ca milionë hektar me bar apo shkretuam ca qindra mijë hektarë me kullota apo premë ca dhjetëra mijë hektarë me pyje, tanimë po shijojmë ekstazën e fundit, atë të zjarrvënies. Nuk ish rastësi që mbi tunelin në Vlorë, si kudo në këto vite tranzicioni, të ardhurit me bagëti e me preh, më parë prenë ca shkurre e ca pemë dhe për çfarë? Të bënin qymyr për kërnacka; pastaj sharruan ca ullinj e ca portokalle dhe për çfarë? Për të zaptuar një copëz toke; për së fundmi shfarosën ca pyje dhe për çfarë? Thjesht për t`u ngrohur. Rezultati! Nuk kanë ujë të pinë, sepse thjesht një dru peme çfarëdo, jep aq ujë sa konsumon një njeri në vit (më shumë se 300 litra). Ata më shumë se kurrë, ndër të gjithë shekujt e mbijetesës, po ndiejnë dhe do të pësojnë kapriçot e natyrës, si rrëshqitjet e tokës, llumrat e baltës (selet), përrenjtë gurorë, vapën, orteqet e dëborës, sepse nuk ka kush këto t`i ndal. Harrojmë se një pemë nën rrezet e diellit, një gur, një mal, një kafshë-të gjitha kanë jetë, kanë histori, jetojnë, përballojnë rreziqet, gëzojnë, mërziten, qeshin, ulin kokën, sikur duan t`i thonë barbarit njeri apo bari, që ne (pema, guri, mali) bëjnë çdo veprim tuajin me përjashtim të ecjes apo ne (qeniet me ndërgjegje të ulët – kafshët) bëjmë çdo veprim tuajin me përjashtim të të folurit dhe si për ta kujtuar barbarin njeri apo bari se tek çdo gjë e natyrës ka diçka të mrekullueshme, që të shushat apo të shastis. Kjo mrekulli nuk i përqaset qenies me gjoja ndërgjegje të lartë, ndaj ky i fundit, e përcëllon, e djeg deri sa e shkrumbon fare atë. Sipas një koncepti sa fshataresk dhe injorant e aspak praktik e përfitues mbizotëron në kret (kryet) e çdo barbari shtetar apo bari-ar, ideja se duke i vënë zjarrin kullotave, ato me anë të një shiu të ditëve plaka të gushtit mund të gjenerohen dhe të harbojnë në vegjetacion të mirë. Por që, as shkenca e as praktika nuk e mbështet dhe kurrsesi s’e e pranon këtë fakt. E çuditshme?! Inteligjenti pëlqen të mësohet, barbari pëlqen të të mësojë. Mundësia për ripërtërirje është shumë e vogël, sepse kërkon që flaka e vënë enkas duhet të jetë nën kontroll, pra të përcëllojë gjethet e thara dhe jo trungjet e bimëve apo ca më keq akoma rrënjët e saj, si dhe duhet të kemi një shi të butë e sistematik gjatë ditëve plaka të gushtit. Dhe në këtë rastisje fatlume, mund të ndodh që të kemi harlisje të bimëve e shkurretave, por vetëm për një cikël vjetor, jo më tej. Por, ajo që ndodh rëndom dhe praktikisht është se zjarri nuk përcëllon, por djeg, nuk djeg gjethet, por zhurrit rrënjët, nuk zhurrit rrënjët, por shkreton tokën dhe kur ndodh që vjen ai shiu i plakave të gushtit, ai i merr të gjitha këto si erozion dhe kur ndodh që nuk vjen, është më keq akoma. Pra, në çdo kuptim bariu del i shushatur, përpos kur digjen edhe kullotat e fqinjit del një Komunë e humbur, por kur shkrumbohet një pyll pranë del një prefekturë e humbur, mandej kur zhurritet dhe një ullishte apo një vresht del një krahinë e përvëluar dhe kur kemi disa pyje në hall zjarri, del një shtet, një komb deri një botë e përcëlluar. Akshën syresh e lidhin zjarrin tonë si kudo në botë, si me ishujt Kanare, ku dikur u dogjën kaq mijë hektar, si në Kroaci ku dikur u shkretuan kaq dhjetëra pyje, si në Greqi ku dikur kishte qindra vatra zjarri, por harrojnë se ata kanë shumë dhe iu ngelen shumë. Harrojnë, se ata për një kullot të djegur mbjellin një pyll dhe për një pyll të djegur ngrenë lëmenj me pyje, ndërsa ne kemi harruar të mbjellim qysh nga koha e Skëndërbeut. Sot në Francë, merret leje për të ndezur një zjarr kundrejt një takse të caktuar për zjarrfikësen që të rri pranë ose në Turqi kur ty të ndodh që të të merr flak kullota ose pylli që ke në administrim të hiqet kjo e drejtë dhe prona jote kalon direkt në pronësi të shtetit, sepse ti nuk dije ta ruaje. Shpjegojmë, se shumica e zjarreve andej është dhe ekologjike, ku natyra zëvendëson oksigjenin e tepërt dhe kërkon CO2 e saj. Po ne?! Pak gaze serrë sosim nga djegia e plehrave nëpër dampa e nëpër rrugë?! Pak NOx shfryjmë nga makinat nëpër qytet?! Pak sasi pluhuri bredh në ajrin e përditshëm?! Kësisoj, Ne zjarrit i shtojmë zjarr, sepse zjarr është jeta jonë, sepse zjarr është mendja jonë. A nuk është zjarr jeta në parlament, ku dackat, baruti kanë lëshuar xixa dhe fjalët shumë pak mend. A nuk është zjarr jeta në rrugë, ku ngarësit e makinave i bien burive pa kuptim e me kompresor dhe kalimtarët djegin dhe mbajnë veshët me dorë. A nuk është zjarr jeta këtu në Tiranë apo në plazhet tona, (Durrës, Vlorë, etj.), ku një individ kërcen e këndon, njëherësh një komunitet i tërë lëngon. A nuk është zjarr jeta në qytet, ku pa dashje makinën i prek, ai jetën sakaq ta hek. A nuk janë zjarr ekranet tona, që fillojnë me lajme si piper vazhdojnë me masakra me zjarr nga herë dhe mbyllen me dëgjues të shtangur gjithë tmerr. Zjarr sherri për një gardh midis fqinjëve apo vëllezërve, zjarr plehrat nëpër rrugë, zjarr një shtëpi nga tensioni i KESH-it, zjarr për xhelozi në familje, zjarr me dinamit për të vrarë togje me peshk, zjarr këtu e zjarr aty, zjarr në mendjen e çdo skeptari, madje dhe shkrimi zjarr nxorri e vrer volli. Ndaj nuk është rastësi, që tek ne më dendur ndodh që t`i vëmë zjarr pyjeve tona se sa të vetëmarrin zjarr. Më shpesh ndodh që ta shohim zjarrin se sa të marrim pjesë për ta shuar atë. Kujtoni se asnjë vullnetar qytetar, ambientalist apo aq më keq fshatar nuk denjojnë të marrin pjesë në shuarjen e zjarreve, sikundër ndodh në vendet e tjera, por mjaftohen të kuvendojnë rreth tij ose të bëjnë sehir përkundruall. Sepse, ai nuk na tremb, nuk ka çfarë na bën më. Baroti dhe zjarri kanë qenë bashkudhëtarët tanë, qysh kurrë tradhtuam pendën në arrë, librat në shkolla, sportin me ndënjtjen, dashurinë me urrejtjen, mirëkuptimin me inatin. Ndaj zjarri në pyje, më parë është marrosje në mendjet tona.