Pyet Adriatik Balla, doktor i shkencave gjeografike
Një prononcim brilant, shkencor e shoqëror. Më erdhi në adresën time të ngushtë.
Po kush është Adriatik Balla? Një njohës i fisit të tij më flet për rrënjë të kohës së Skënderbeut, për kontributin luftarak në betejën e Vajkalit në vitin 1465, rrënjë që vazhdojnë të jenë e të nxjerrin filiza e lulëzojnë në të njëjtin truall si shekuj më parë.
Adriatiku ka mbaruar universitetin e Tiranës në degën gjeografi me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 2015 mbrojti doktoraturën për të arritur në shkallën shkencore “Doktor i Shkencave”. Konkurroi disa herë për një vend në universitet, por dyert nuk u hapën për një djalë Bulqize. Profesionin e gjeografit e ushtron për kënaqësinë e tij duke qenë i pranishëm me shkrime në revistat albanologjike. Kësaj radhe erdhi në adresën time me një shkrim prestigjioz duke na sjellë një vështrim shkencor për luginën e Drinit të Zi dhe protestën e tij intelektuale që ajo të mos mbytet nga hurdha e Skavicës.
“Unë jam dibran, po bëj detyrën time. Shkruan në facebook. Nuk jam kundër hidrocentraleve, por jam kundër HEC-eve që shkatërrojnë mjedisin e sidomos atyre që shkatërrojnë Dibrën”
Le ta dëgjojmë këtë zë që me modesti e përfundon studimin e tij shkencor:
“Ky status shpreh mendimin tim personal, të bazuar në disa fakte. Mund të jetë një gjykim emocional, por nxitimi për të bërë projekte pa i analizuar mirë dhe pa marrë mendimin e banorëve është, në pikëpamjen time, abuziv.”
A. Ashiku
* * *
* Mund të fitohet një hidrocentral me jetëgjatësi 100, 200 ose 300-vjeçare, por përmbytet një histori mijëravjeçare.
* Kush do të përfitojë nga hidrocentrali? Sa prej këtyre përfitimeve shkojnë në interes të publikut?
* Më mirë një Dibër pa hidrocentral, apo një Shqipëri pa Dibër?
* Hidrocentralet janë gjë e mirë, energji e pastër, por ato ndërtohen atje ku logjika ekonomike është e shëndetshme. Të mbytësh Dibrën ka pasoja të rënda.
* Detyrohen të shpërngulen mijëra banorë (afro 20 mijë). Edhe sikur t’u ndërtohet gratis një qytet, shkohet në kolaps, pasi kjo popullatë nuk është e përgatitur (kualifikuar) për treg pune tjetër veçse nga bujqësia dhe blegtoria, plus shërbimet që nevojiten kudo që t’i akomodosh.
* Zhduken fshatra të tërë dhe krejt toka e tyre bujqësore dhe lugina e Drinit të Zi është nga më pjelloret e Shqipërisë.
* Një hidrocentral më shumë nuk është më mirë sesa një hambar më pak.
* Mos harroni, hidrocentralet kanë një jetëgjatësi të caktuar (sepse vjen një ditë e mbathen nga depozitimet), kurse fusha (lugina) është brez pas brezi.
* Dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme lidhja shpirtërore e banorëve me zonën.
* Varroset historia e lavdishme e Dibrës, histori mijëravjeçare, ku spikat si “Olimpi”, Historia e Skënderbeut, heroit të vetëm kombëtar të shqiptarëve.
* Nuk ka Skënderbe pa Dibër e pa Dibër nuk ka Shqipëri.
* Që të mos dëgjojmë nesër bretkosat, duhet ta ngremë zërin sot, ndryshe “Skavica” e varros Dibrën. “Këshillat” se me ndërtimin e liqenit do të vijë jeta përrallore, me turizëm unik, peshkim fantastik dhe udhëtim biblik, janë përralla që nuk i hanë as budallenjtë.
* PËRFUNDIMI: “PO” HIDROCENTRALEVE, “JO” ATIJ QË VARROS DIBRËN
Edhe njëherë për Skavicën
Nga Adriatik Balla
Çfarë janë S-443 dhe S-485 dhe cilat janë fshatrat që fshihen nga harta?
Kundër ndërtimit të Skavicës shprehen intelektualët, arkeologët, gazetarët, specialistët e çdo fushe, qytetarët e përgjegjshëm, thuajse i madh e i vogël. Pro tij shprehen dy-tre fshatarë të cilëve u kanë thënë se me ndërtimin e Skavicës mund të kultivojnë pafundësisht troftën (Salmo Trutta). “Peshq” të tillë që e hanë “karremin” ka në çdo vend, apo siç thotë populli “pyll pa derra s’ka”, por kulmi i ironisë arrin kur pushtetarët nuk dëgjojnë zërin e ajkës së mendimit dhe qytetarisë në Dibër. Si ka mundësi që asnjë krah politik në qarkun e Dibrës, në garë për zgjedhjet e prillit, nuk e përmend Skavicën? Në kohën e monizmit u bënë, për hir të së vërtetës, disa vepra të mira, përfshi këtu dhe hidrocentralet. Do të ishte ndërtuar edhe “Skavica”, sigurisht, por edhe pse i frikshëm ai sistem kishte, sidoqoftë, logjikën e peshores (sa fitojmë e sa humbasim). Kam folur me inxhinierë që kanë firmosur për hidrocentralet e tjerë dhe thonë që ky projekt u la për një kohë tjetër, sepse, nëse ndërtohej, më shumë kishte humbje se fitime. Tani që politikës po i shteron retorika e dalë boje prej 30 vjetësh (tranzicion ekzemplar me pasoja të rënda për shoqërinë), del dhe një herë në skenë “Skavica”. Dhe, siç ndodh zakonisht, pas këtyre projekteve fshihen plane korruptive e të errëta.
- Disa të dhëna për hidrocentralet mbi lumin Drin dhe pikëpyetjet e Skavicës
Hidrocentrali i Vaut të Dejës, vënë në punë në nëntor 1971, ka 5 agregate dhe një fuqi 250 MË. Prodhimi vjetor i tij është 1.1 miliard kilovatorë (Pano N., “Pasuritë Ujore të Shqipërisë”, 2015). Hidrocentrali i Fierzës është vënë në shfrytëzim në nëntor 1978. Ka fuqi të vendosur prej 500 MË dhe punon me 4 agregate. Prodhimi vjetor i tij është 1.8 miliard kilovatorë (po aty). Hidrocentrali i Komanit filloi ndërtimin më 1979 dhe përfundoi më 1985. Ka fuqi të vendosur 600 MË dhe punon me 5 agregate. Prodhimi vjetor i energjisë është 2 miliard kilovator (po aty). Nuk ka të dhëna të sakta se sa do të jetë fuqia e hidrocentralit të Skavicës, sepse deri tani është ecur me supozime e hamendësime ordinere. E njëjta gjë vlen dhe për hidrocentralin e Ashtës, deri tani imagjinar. Hidrocentrali i Skavicës, për shumë arsye, nuk do të ketë prodhim që do të shpëtojë dhe zgjidhë përfundimisht çështjen e energjisë, prandaj këtu dalin disa përfundime e ngrihen disa pikëpyetje që kërkojnë sqarim.
- Hidrocentrali, nëse ndërtohet, nuk do të ketë prodhim të mjaftueshëm të energjisë elektrike që të plotësojë përfundimisht nevojat e vendit, kjo është më se e sigurtë.
- Nuk ka argument të mjaftueshëm që do të shpëtojë Shkodrën dhe Lezhën nga përmbytja, të gjithë ata që i mëshojnë këtij fakti abuzojnë.
- Nëse vihet në balancë përfitimi ekonomik midis produkteve bujqësore e blegtorale krahasuar me hidrocentralin, peshorja anon nga e para dhe këtë e ka vërtetuar edhe sistemi i kaluar dhe specialistët seriozë të atyre viteve.
- Mund të fitohet një hidrocentral me jetëgjatësi 100, 200 ose 300-vjeçare, por përmbytet një histori mijëravjeçare.
- Kryesorja: Si do të mund të shpërngulen mijëra familje, si do të kompensohet dëmi i tyre ekonomik, ku do të vendosen ata, çfarë pune do të bëjnë?
- Kush do të përfitojë nga hidrocentrali? Sa prej këtyre përfitimeve shkojnë në interes të publikut?
- Cilat do të jenë pasojat (efektet) anësore fiziko-gjeografike pas ndërtimit të Skavicës, në aspektin gjeologjik-hidrogjeologjik, gjeomorfologjik, klimatik, në florë dhe në faunë?
- A është marrë parasysh mendimi i publikut? Nëse po, a ka pasur një referendum dhe cili ka qenë rezultati i tij?
- Kush janë specialistët që kanë firmosur “pro”? Si i kanë emrat, ku kanë punuar dhe çfarë botimesh paraprake kanë bërë ata për këtë çështje? Cili ka qenë argumenti i tyre?
- Më mirë një Dibër pa hidrocentral, apo një Shqipëri pa Dibër? – Të jesh apo të mos jesh, kjo është çështja.
- Çfarë janë S-443 dhe S-485?
Për ndërtimin e Skavicës po qarkullojnë lloj-lloj variantesh, njëri me kuotë më të ulët, i cili do të ishte krejtësisht katastrofë pasi nuk do të kishte rendimentin e kërkuar si dhe një kuotë të digës më të lartë që do të shkaktonte një katastrofë akoma më të madhe, një fatkeqësi kombëtare, pasi do ta zhdukte luginën e Drinit të Zi. S-443 ose h=443 m është kuota (izoipsi) e projektuar e digës së hidrocentralit në variantin e parë. Kjo kuotë e sjell liqenin që do të krijohet mbi urën e Topojanit. Pra e pushton edhe grykën e Hoteshit, që ndan pellgun e Dibrës në jug nga ai i Peshkopisë (Dibrës së Poshtme) në veri. Me këtë kuotë zhduket Dibra e Poshtme.
Po S-485? h=485 është kuota (izoipsi) e projektuar për digën e Skavicës në variantin e dytë (sipas inxhinierëve partiakë pas 10 ose 15 vjetësh). Në këtë variant përmbytet komplet fusha e Gjoricës, aty ku është shkruar historia e Dibrës (kundër Hajredin Pashës), pra përmbytet edhe Dibra e Sipërme deri afër fshatit Bllatë.
I pashë me kujdes hartat topografike, një për një, dhe u përpoqa të krijoj vetë izoipsin e liqenit të ardhshëm në variantin e parë dhe të dytë. Nëse zbatohet edhe varianti i dytë është një fatkeqësi e madhe kombëtare, sepse praktikisht i bie të zhbëhet Dibra, zemra e atdheut etnik.
- Vendbanimet që zhduken nga harta
Ja disa prej fshatrave të njohur, të ndodhur pranë lumit Drini i Zi, që përmbyten nga “Skavica”
(mos harrojmë se mbi këto kuota vihen në diskutim edhe shumë fshatra të tjerë që kanë tokën e bukës nën kuotën e digës, si dhe një brez 5-10 m lartësi mbi digë që bëhet i papërdorshëm):
-Draj-Reç dhe Zall-Reç (340 m)
-Zall-Dardhë (350-400 m)
-Lugjaj
-Shenlleshi
-Zall-Kalis
-Fushë-Cidhna (360-400 m), si dhe lagjet
që shtrihen në anët e përrenjve Shtumbat, Blliçe, Laçaj etj.
-Arrasi (370m)
-Mustafe (disa lagje)
-Kishaveci (390-500 m)
-Kandri (Fusha e Thatë)
-Vajmëdhenj dhe Kalaj
-Disa lagje të Sinës (vendlindja e Kastriotëve), 450-500 m
-Bresti i Poshtëm dhe Fushë-Kastrioti (450-550 m)
-Kuben dhe Rreth-Kalaj
-Fushë-Muhuri (400-500 m)
-Fusha e Brezhdanit (400-420 m tek ish-stallat)
-Katundi i Ri (430 m)
-Një lagje e Selanit dhe një lagje e Hoteshit
Me S-485 dëmtohen edhe:
-Gradeci dhe Kovashica (480 m)
-Homeshi, Okshatina, Boçeva, Gjorica (450-550 m)
-Izoipsi 500 m i afrohet fshatit Bllatë e Poshtme
- Përfundimi: “Po” hidrocentraleve, “Jo” atij që varros Dibrën
Hidrocentralet janë gjë e mirë, energji e pastër, por ato ndërtohen atje ku logjika ekonomike është e shëndetshme. Të përmbytësh Dibrën ka pasoja të rënda.
- Detyrohen të shpërngulen mijëra banorë (afro 20 mijë). Edhe sikur t’u ndërtohet gratis një qytet, shkohet në kolaps, pasi kjo popullatë nuk është e përgatitur (kualifikuar) për treg pune tjetër nga bujqësia dhe blegtoria, plus shërbimet që nevojiten kudo që t’i akomodosh.
- 2. Zhduken fshatra të tërë dhe krejt tokat e tyre bujqësore dhe lugina e Drinit të Zi është nga më pjelloret e Shqipërisë. Një hidrocentral më shumë nuk është më mirë sesa një hambar më pak. Mos harroni, hidrocentralet kanë një jetëgjatësi të caktuar (sepse vjen një ditë e mbathen nga depozitimet), kurse fusha (lugina) është brez pas brezi.
- Dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme lidhja shpirtërore e banorëve me zonën.
- Varroset historia e lavdishme e Dibrës, histori mijëravjeçare, ku spikat si “Olimpi”, Historia e Skënderbeut, Heroit të vetëm kombëtar të shqiptarëve. Nuk ka Skënderbe pa Dibër e pa Dibër nuk ka Shqipëri.
- Në luginën e Drinit të Zi, nuk do të oshëtijnë më këngët e Azis Ndreut, Qerim Sulës e shumë e shumë artistëve me nam të kësaj toke, por nën mjegullën, që do të krijohet dhe nga thellësia e liqenit do të dëgjohet vetëm zëri i bretkosave. Shpata e Kastriotit do të zëvendësohet me kallamat buzë kënetës. Këtu vdes dhe mbyllet historia.
Në vend të mbylljes…
Që të mos dëgjojmë nesër bretkosat, duhet ta ngremë zërin sot, ndryshe “Skavica” e varros Dibrën. “Këshillat” se me ndërtimin e liqenit do të vijë jeta përrallore, me turizëm unik, peshkim fantastik dhe udhëtim biblik, janë përralla që nuk i hanë as budallenjtë.
P.s. Ky status shpreh mendimin tim personal, të bazuar në disa fakte. Mund të jetë një gjykim emocional, por nxitimi për të bërë projekte pa i analizuar mirë dhe pa marrë mendimin e banorëve është, në pikëpamjen time, abuziv.