Më 28 nëntor 1941, Sali Niazi Dede, që u vra, se nuk firmosi dokumentin e pushtimit fashist të Shqipërisë

1271
Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Ish-Kryegjyshi Botëror Sali Dedei, “Dëshmori i Atdheut”, mbetet shembull i shkëlqyer i devizës bektashiane “Pa atdhe, nuk ka fe!”
Në listën e klerikëve atdhetarë bektashinj që luftuan deri dhe me jetën e tyre për devizën bektashiane “Pa atdhe, nuk ka fe”, një vend të rëndësishëm zë edhe Sali Niazi Dede, ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian që u vra në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së vendit. 

Ditën e sotme, mbushem plot 76 vite nga vrasja e Sali Niazi Dedei, ndaj përkujtimi i këtij kleriku, është një tjetër vlerësim, jo vetëm për aktin atdhetar të tij, por për gjithë ata klerikë bektashianë që, përveçse ushqyes të shpirtrave njerëzor për të shtuar dashurinë për Zotin, ishin e mbetën përkrahës e luftëtarë të çështjes kombëtare. Sali Niazi Dedeit, më 28 nëntor 1941, i vendosën para dokumentin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe, në cilësitë e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, i kërkuan të firmosë këtë akt, ku pushtimi, duhej të quhej “ftesë nga vetë shqiptarët”. Por qëndrimi atdhetar dhe kundërshtimi i vendosur i tij, sintetizuar në fjalët “Ky është pushtim dhe asgjë tjetër! Nuk mund të firmos për robërinë e shqiptarëve, për pushtimin e vendit tim!”, fiksuar dhe në dokumentet arkivore të kohës, nuk mund të ‘përtypej’ nga pushtuesit e kuislingët, ndaj e ekzekutuan. Ky krim makabër ndodhi më 28 nëntor të vitit 1941, në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, pikërisht në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë. “Kleriku bektashian Sali Niazi Dede, është krenaria e bektashizmit dhe patriot i çështjes kombëtare shqiptare. Sot në këtë ditë, bektashinjtë dhe gjithë atdhetarët krenohen me aktin e këtij kleriku patriot. Ai ishte shembull i shkëlqyer i devocionit të klerikëve bektashinj që besimin në Zot dhe çështjen kombëtare, i kanë parë kurdoherë të lidhura ngushtë dhe të pa ndara nga njëra-tjetra. Ndaj sot që është një ditë krenaria kombëtare, me një sërë aktivitetesh në Selinë e Shenjtë, ne përkujtojmë me respekt këtë klerik bektashi ”- pohon mes të tjerave Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Atdhetari Sali Njazi Dede
Kleriku Sali Njazi Dede lindi më 1876 në fshatin Starje të Kolonjës, nga ku u largua me familjen në emigrim në Turqi me familjen, ku përfundoi dhe gjimnazin. Pa mbushur ende 20 vjeç, ai pati fatin të fillojë studimet fetare në teqenë e Haxhi Bektash Veliut. Më pas, iu përkushtua fesë, gjithmonë duke ndjekur e ndihmuar nga afër çështjen kombëtare shqiptare. Në vitin 1913, në Haxhi Bektash, ai u zgjodh në postin e lartë të Kryegjyshit. Falë nivelit intelektual e fetar, përkushtimit maksimal në udhën e Hakut, shumë shpejt u bë i njohur në rrethin klerikal të Turqisë, Sirisë, Iranit, Irakut, Egjiptit, Rumanisë, Bullgarisë, Hungarisë, Greqisë, Jugosllavisë, Shqipërisë etj. Misioni i ngarkuar i dha një përvojë të pasur si klerik, organizator dhe drejtues i aftë i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve. Në vitin 1925, Ataturku me ligj, ndaloi dhe mbylli teqetë bektashiane në Turqi. Në vitin 1929, Kongresi i tretë bektashian në Korçë vendosi që qendra e Kryegjyshatës Bektashiane të vendosej në Shqipëri (mbasi ishin bërë bisedimet disa vjeçare me Sali Niazi Dede e qeverinë shqiptare të Zogut dhe Turqisë). Në këtë periudhë, u vendos që Kryegjysh të ishte sërish Sali Njazi Dede. Ai ka vlera të veçanta, privilegjin dhe respektin e madh për atë që i bëri Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke vendosur Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë. Ai bashkëpunoi me qeverinë e asaj kohe për ligjin mbi fenë. I dha dimension të ri bektashizmit në Shqipëri dhe marrëdhëniet e bashkëpunimin me teqetë në rajon dhe në botë. Ishte krijues i talentuar me mjaftë shkrime. Më 28 nëntor të vitit 1941, Sali Njazi Dede për shkak të mos nënshkrimit prej tij të aktit të kapitullimit të Shqipërisë nga Italia fashiste e vranë mizorisht bashkë me dervishin e tij, Azizin. Ai mbetet një figurë e lartë e bektashizmit në Shqipëri dhe në botë. Duhet kujtuar se Sali Niazi Dede para se të vinte në Shqipëri si Kryegjysh Botëror, ka një aktivitet të madh si klerik e atdhetar në Turqi, Greqi, Egjipt e vende të tjera… Mes të tjerave, referuar arkivave të kohës, kryesisht atyre turke, shqiptari Sali Njazi Dede, si mik i Mustafa Qemal Ataturkut, ka kontribuar dukshëm dhe në pavarësinë e kombit turk. Sipas këtyre dokumenteve, “…më 17 dhjetor të vitit 1919, Mustafa Qemal Ataturku viziton teqenë e Haxhibektashit ku ishte Sali N. Dedej, ku merr mbështetjen morale dhe materiale të tij dhe Xhemaladin Çelebiut për luftën çlirimtare. Sali Dede u bë aq ndikues në përpjekjet e tij në pavarësinë e kombit turk, sa ishte dhe për prosperitetin e popullit të tij’. Dhe në Shqipëri, veçanërisht pas vitit 1990, është vlerësuar dhe zyrtarisht kleriku Sali Niazi Dedei. Ndër të tjera, ‘Albapost’, në ciklin e figurave të shquara për vitin 2001, ka emërtuar në emisionin e pullave Sali Njazi Dedein
Krimit i 28 nëntorit 1941
Mbështetur në dokumente arkivore, nata e 28 nëntorit e vitit 1941 kur u vra Sali Niazi Dede, është parapri me një ditë debatesh të ashpra mes tij dhe përfaqësuesit të mbretit italian në Shqipëri, për të pranuar pushtimin e italianëve si liri, nëpërmjet një shkrimi që ai ta botonte të nesërmen (ditën e 28 nëntorit) në gazetë. Ja si vjen kjo ngjarje në dokumentet e dëshmitë e kohës: “…Sali Niazi Dede ftohet nga përfaqësuesi i mbretit italian, i cili i tha: ‘…Edhe drejtuesit e tjerë shpirtërorë kanë thurur lavde për italianët dhe mbretërinë, po ju nuk do të shkruani!’. Sali Niazi Dede iu përgjigj: ‘Unë jam udhëheqës shpirtëror i bektashinjve, nuk jam drejtues i një partie politike, nuk merrem me punë politike’. Pas debatesh të ashpra, refuzimit të Sali Dede, funksionari i lartë italian i tha:’…Lëreni, mos flisni, do e shohësh këtë…!’”. Po çfarë ndodhi pak orë më vonë? Pa u afruar mesnata, Sali Dede që banonte në Selinë e Kryegjyshatës, pasi ka qëndruar deri vonë me dervishët e punonjësit, ka shkuar si zakonisht të flejë gjumë në dhomën e tij. Ndërkohë, sipas një skenari të parapërgatitur, disa persona futen në dhomën e tij dhe e ekzekutojnë, bashkë dhe me një dervish që dëgjoi zhurmë e i vajti në ndihmë. Pastaj largohen. Vrasja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, bëri bujë të madhe. Menjëherë u arrestuan 17 persona, e zyrtarisht u tha se ‘vrasja ndodhi nga një grup vjedhësish që donin të merrnin një orë shumë të shtrenjtë të Njazi Dedeit”. Por në fakt, kjo ishte alibi, pasi ora, më vonë u gjet. Atë e vranë pushtuesit dhe kuislingët vendas, pasi nuk pranoi të firmosë pushtimin italian si ‘liri’ për vendin…
Përgatitën: K. Boriçi, N. Çuni, S. Xhelaj

SOMARIO
Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Sali Niazi Dedei, klerik e atdhetar i shquar!
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj e vlerëson lart personalitetin e ish-Kryegjyshit Botëror Sali Niazi Dede, si njeriun që gjithë jetën punoi e luftoi për bektashizmin dhe atdheun, për lirinë e demokracinë. “Kleriku bektashian Sali Niazi Dede, është krenaria e bektashizmit dhe patriot i çështjes kombëtare shqiptare. Ai ishte shembull i shkëlqyer i devocionit të klerikëve bektashinj që besimin në Zot dhe çështjen kombëtare, i kanë parë kurdoherë të lidhura ngushtë dhe të pa ndara nga njëra-tjetra. Ndaj sot që është një ditë krenaria kombëtare, me një sërë aktivitetesh në Selinë e Shenjtë, ne përkujtojmë me respekt këtë klerik bektashi. Ai u vra pabesisht në Selinë e Shenjtë më 28 nëntor të vitit 1941 nga pushtuesit e kolaboracionistët vendas vetëm se nuk pranoi të firmoste dokumentin e pushtimit të vendit nga fashizmi italian…. Sali Niazi Dede erdhi në Shqipëri me vizion të qartë për Kryeqendrën Botërore të Bektashizmit, jo vetëm të jetonte në paqe e bashkëjetesë me besimet e tjerë fetarë, por dhe të kontribuonte në harmoninë midis feve. Si klerik e atdhetar, ai është shpallur dhe “Dëshmor i Atdheut”, duke mbetur një shembull i klerikut tolerant e atdhetar në kohëra”- pohon Dede Edmond Ibrahimaj për gazetën “Telegraf”.
Njoftim
Sot, datë 28 nëntor 2017, që nga ora `10:00, në mjediset e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, zhvillohen vizita në përkujtim të 76 vjetorit të vrasjes së ish-kryegjyshit Sali Niazi Dede.
Sigal