Më 12 korrik 2021, vjen në fuqi marrëveshja italo-shqiptare, për konvertimin e patentave

/Gazeta TELEGRAF

Data 12 korrik 2021 është e shumëpritur për hyrjen në fuqi të marrëveshjes dypalëshe për konvertimin e patentave midis Shqipërisë dhe Italisë. Më në fund kanë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme që u deshën për përtëritjen e marrëveshjes së konvertimit të patentave shqiptare në italiane e anasjelltas dhe ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka dhënë lajmin me postimin në profilin zyrtar Facebook: “… kanë përfunduar tërësisht procedurat e brendshme nga pala italiane lidhur me marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Italisë”. Sqarohet menjëherë, që “kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi konkretisht më datë 12 korrik 2021”.

Sigal

Marrëveshja e përtërirë, që do të hyjë në fuqi më 12 korrik nuk parashikon asgjë më pak apo më shumë nga ç’parashikonte e mëparshmja e skaduar në dhjetor të vitit 2019 (e për të shkruar, dakortësuar e miratuar të njëjtin tekst, u desh mbi një vit kohë!!!). Me pak fjalë, nga 12 korriku në Itali do të mund të konvertohen patentat shqiptare akoma të vlefshme, të marra para se shtetasi shqiptar të vendosë rezidencën në Itali, e gjithnjë nëse nuk ka kaluar më shumë se 4 vjet, nga vendosja e rezidencës. Ashtu si edhe dy të mëparshmet, edhe marrëveshja që pritet të hyjë në fuqi, do të jetë e vlefshme për 5 vjet. Së shpejti do të botohet udhëzuesi i plotë për konvertimin e patentave në Itali.