Mbajti dokumentet e mjetit të të arrestuarit pa procesverbal, pezullohet nga detyra polici në Elbasan

91
Sigal

Pezullohet nga detyra një specialist trafiku urban dhe interurban/OPGJ pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.

Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Elbasan-Korçë, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2023, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila ka vendosur masën e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre nga shërbimi publik” ndaj Nënkomisar Kujtim Ozuni, 44 vjeç.

Ai dyshohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Nga hetimet e kryera, dyshohet se ky punonjës në kundërshtim me rregullat ligjore të parashikuar në Kodin e Procedurës Penale ka mbajtur dokumentet e mjetit të një të arrestuari, pa mbajtur procesverbal për sekuestrimin e sendit, duke i cënuar të drejtën këtij shtetasi për disponimin e mjetit dhe të dokumentave të tij.

Të gjitha veprimet dyshohet se janë kryer me dashje direkte dhe kanë sjellë pasoja procedurale për një procedim penal, të vitit 2023, i cili është regjistruar më parë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur”.

Arrestimi i shtetasit është kryer për aksident, ndaj dokumentacioni dhe mjeti duhet të ishin në dispozicion të hetimit, por keto te fundit mbaheshin nga punonjësi i policisë pa procesverbal sekuestrimi.

Hetimet në lidhje me këtë procedim penal vazhdojnë.