Vuçiç drejt dorëheqjes: Zgjedhje të jashtëzakonshme dhe kandidat për kryeministër

97
Sigal

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar sot do të japë dorëheqje dhe do të dërgojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. 

Vuçiç ka deklaruar gjatë një takimi me strukturat drejtuese të partisë së tij se do të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe vetë ai do të kandidojë për kryeministër të Serbisë.

“Më mirë të shkojmë në opozitë sesa interesat partiake dhe ato personale të udhëheqin shtetin. Jam gati të shkoj në zgjedhje si kandidat për kryeministër dhe nuk dorëzohem para shantazhit as të perëndimit, as të Partisë Socialiste të Serbisë, e as të djathtëve fals“, ka deklaruar lideri i PPS (SNS) Aleksandar Vuçiç.

Vuçiç tha se PPS (SNS) është e vetme në mbrojtjen e interesave shtetërore dhe ka pas vetes popullin.

“Jam shumë i zhgënjyer me sjelljen e socialistëve të cilët kanë qenë diku në mes dhe që dëshirojnë të bien në marrëveshje me të gjithë“, ka mësuar “Novosti” prej burimeve nga PPS të cilat u referohen fjalëve të liderit të tyre.

Me gjasë, Vuçiç nuk e do më pozicionin e numrit një të shtetit serb, për shkak të presionit të perëndimit lidhur me dialogun me Kosovën dhe sanksionet ndaj Rusisë.

Vuçiç gjithashtu tha “mjaft me të korruptuarit të cilët kërkojnë të pasurohen në kurriz të partisë ku shpesh kanë përfituar përmes punëve të tyre të turbullta dhe sa herë që u është dashur të luftojnë për vendin dhe popullin, kanë qenë të parët që kanë kthyer shpinën”.

Vuçiç përfundoi me fjalët “Serbia do të fitojë”.