Sigal

Zakonisht kur flitet për njerëz të biznesit perceptohen shpesh si njerëz të pandershëm, mashtrues e korruptiv, njerëz që shumë pak kanë të bëjnë me vlera e humanizëm. Por nuk është kështu gjithnjë. Në rrugën e vështirë të biznesit në vendin tonë gjen padyshim njerëz me shpirt punëtor e zemër të madhe, gjen njerëz që me integritetin e tyre moral dëshmojnë vlerat e vërteta të pasurimit nëpërmjet punës dhe jo politikës, nëpërmjet ndershmërisë dhe jo ryshfeteve. Ai sot mbush 80 vjeç! Quhet Gafur Dudaj. Jam e bindur se ka shumë njerëz nëpër Shqipëri që e njohin dhe e nderojnë! E njohin për karakterin e tij të fortë, e njohin si njeriun e fjalës dhe veprës, e njohin si njeriun që gjithë jetën ia përkushtoi punës dhe jo “zarfeve” e ryshfeteve.

Sot ai është në pension, por çdo ditë e shikon të punojë me njerëzit, të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve, të bëjë diçka që të ndjehet i dobishëm për të ndihmuar dikë, një grup a një institucion! Unë e kam njohur atë shumë vite më parë, atëherë kur me një biçikletë merrte thasë me rërë e gëlqere për të ndërtuar një lokal. Punonte nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë. Punonin të dy, burrë e grua. Ashtu i rëndë në pamje, por i butë në shpirt, krenar për prejardhjen e tij dhe fisnik në sjellje, hap pas hapi ndërtoi një “perandori”. Kur e pyet se si ia doli, thotë vetëm dy fjalë: “Kam punuar shumë dhe kam besuar tek krahët e mi”. Dikur Martin Luter Kingu thoshte : “Besoni në ëndrrat tuaja dhe ndoshta ju realizohen. Besoni tek vetja juaj e puna juaj e me siguri ato realizohen.” Jam e sigurt se Gafurri nuk e ka lexuar këtë thënie, por intuita e tij e hollë, dashuria për punën dhe vlera e vërtetë e njeriut të punës e çuan drejt të njëjtit konkluzion me Luter Kingun e madh! Është plotësisht e vërtetë; nëse beson tek puna jote e vlerat e tua, ia del! Gafurr Dudaj është shembulli klasik i këtij konkluzioni!

Më shumë se sa paratë, madje edhe më shumë se sa inteligjenca njeriu ka nevojë për humanizëm. Thuhet se kapitalizmi nuk e n jeh humanizmin, se sot jetojmë në një botë, ku individualizmi është gjithçka. Madje shpesh mendohet se është amorale të kërkosh moral e humanizëm nga kapitalizmi. Por sërish më duhet të them se nuk është kështu! Gafurr Dudaj është njeriu që dëshmon për vlerat humane në biznes.Të mbash me pension njerëz që edhe shteti i ka braktisur nuk është thjeshtë vepër humane. Të ngresh një muze në fshat nuk është thjeshtë një vepër biznesi, por një vlerë morale e patriotike! Të sponsorizosh sportin dhe ekipe të tij nuk është pak! Të ngresh e të sponsorizosh një shoqatë me një kmer sinjifikativ “Labëria”, ku për vite dhe vite me radhë, Gafur Duda ka kontribuar për Shoqatën Kulturore Atdhetare “Labëria”, duke qenë nënkryetar i Shoqatës, është sërish një dëshmi për vlera të vërteta morale të këtij njeriu të veçantë!

Ai u lind në Vlorë dhe për Vlorën është, Qytetari i nderit. Ai punoi në Durrës dhe për Durrësin është, Qytetari i nderit! Një jetë e kaluar me mirënjohjen e njerëzve që e rrethojnë. Gafurr Dudaj i biri i Ferhatit dhe nip i Dudë Sinanit (luftëtarit të Ali Pashës), është njeriu që gati çdo ditë pret e takon njerëz, të cilëve u zgjidh një hall, u jep një ndihmë, u tregon një mundësi. “Si të shkoi ndërmend të ngrije një universitet?” e pyeti një ditë një gazetar. Dhe përgjigja erdhi si gjithnjë, e shpejtë dhe e thjeshtë: “Dija duhet të vijë e para, të rinjtë duhet të mësojnë që të ecin më përpara se ne”. Mbase kjo ka qenë shtysa e parë për të krijuar një institucion të arsimit të lartë, me emrin e veçantë “Marin Barleti”! Një institucion që kurrë nuk ka lakmuar sasinë në dëm të cilësisë, një institucion që ka fituar në të gjitha akreditimet të brendshme e të jashtme, një institucion që sot pas 12 vjetësh të bën të kthesh kokën me krenari nga e kaluara! Dhe ky institucion ka në themelet e tij, idenë, paranë dhe përkushtimin e këtij njeriu të veçantë me emrin Gafurr Dudaj! Kështu biznesmeni i suksesshëm është njeriu i punës dhe me integritet moral e fytyrë humane, është njeriu që kurrë nuk kërkoi një privilegj për veten apo biznesin e tij. Njeriu që i besoi punës dhe shpatullave të veta, sot gëzon respektin dhe mirënjohjen e të gjithave ne që e njohëm që punuam me të, që e pamë se si me përkushtim dhe sakrifica mund të arrihet gjithçka! Ndoshta pikërisht për të gjitha këto Presidenti i Republikës në 2016-n i akordon titullin “Për merita të veçanta civile” me motivacionin “Në vlerësim të kontributit si sipërmarrës i suksesshëm i sektorit privat, me rezultate të larta në fushën e arsimit, kulturës, botimeve e ruajtjes së traditës, si dhe përkrahjen financiare të veprimtarive të fushave të ndryshme.” E ndjeva si detyrim moral të shprehja këto fjalë zemre me mirënjohjen për njeriun që, jo vetëm themeloi një institucion arsimor, sikurse Universiteti “Marin Barleti”, por për njeriun e veçantë, modeli i të cilit i duhet këtij vendi!

Stafi i gazetës “Telegraf”

i uron mikut tonë z. Gafur Dudaj, të cilin ka pasur nderin ta ketë në intervista apo kronika të ndryshme që pasqyronin arritjet e tij, jo vetëm në fushën e biznesit, por në radhë të parë në kontributin e tij të spikatur në sipërmarrjen akademike në Universitetin “Marin Barleti”, jetë të gjatë dhe suksese në objektivat madhore ku kini investuar mund dhe përkushtim!