Mandati i Frrokut, Këshilli për Rregulloren mblidhet të martën

498
Kuvendi do të mbledhë të martën e ardhshme Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në cilësinë e organit përgjegjës parlamentar, për të vendosur mbi mandatin e deputetit Mark Frroku. Që prej 2 prillit, Frroku mbahet në burg për një vrasje të ndodhur në Belgjikë. Mediat mësojnë se, Kuvendi ka bërë kërkesë për të qenë të pranishëm dhe avokatët mbrojtës të Frrokut. Mbledhja e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit vjen në një kohë kur kanë kaluar mbi gjashtë muaj nga arrestimi i Frrokut, që rrjedhimisht ka sjellë dhe mungesën e tij në seancat parlamentare.
Sipas rregullores, kur një deputet mungon 6 muaj pa justifikim atij i hiqet mandati i deputetit. Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit shqyrton të gjitha çështjet që lidhen me mandatin e deputetit dhe paraqet raportin përkatës në seancë plenare, më pas është Kuvendi që vendos. Sot, Partia Demokratike i ka dërguar një kërkesë kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta për të mbledhur këtë këshill me pretendimin se kanë përfunduar afatet për mandatet e Mark Frrokut dhe Arben Ndokën. Në kërkesën që Sekretari i Përgjithshëm i PD-së i drejton kreut të Kuvendit thuhet se kjo kërkesë bazohet në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në rregulloren e Kuvendit.
Sigal