Majori shqiptar në trafiku ndërkombëtar të drogës ‘fundos’ Ministrinë e Mbrojtjes

528
Sigal

Dy oficerë të arrestuar dhe 6 të tjerë të liruar. Dyshohet që në rrjetin ndërkombëtar të drogës, të jenë implikuar funksionarë të rëndësishëm në Shtabin e Përgjithshëm e Ministrinë e Mbrojtjes

Thellohet skandali i përfshirjes së ushtarakëve të Forcave Ajrore në transportin ndërkombëtarë të drogës me helikopter, duke ‘fundosur’ institucionin që drejton Kodheli e duke hedhur hije dyshimi për përfshirjen në këtë trafik të ushtarakëve madhorë të ministrisë. Forcat Ajrore përfshihen në furtunë arrestimesh dhe lirimesh nga detyra, ku një Major dhe një Kapiten janë arrestuar, kurse 6 oficerë të tjerë janë liruar nga detyra…. Burime jo zyrtare pohuan se hetimet në proces lidhur me përfshirjen e ushtarakëve shqiptarë në trafikun ndërkombëtar të drogës, nuk implikojnë direkt e indirekt vetëm pilotin viktimë, dy të arrestuarit e 6 oficerët e liruar, por deri në drejtues të rëndësishëm në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë e Ministrinë e Mbrojtjes. I njëjti burim shton se pas hetimeve në Spanjë, mund të zbulohet ekzistenca e një grupi shqiptar të fuqishëm, me uniforma, që mund të çojë në një skandal të madh ndërkombëtar.

ARRESTIMET

Policia Ushtarake njoftoj dje ndalimin e një major dhe një kapiten si të dyshuar për lidhjet e tyre me majorin Sokol Feka, i cili vdiq duke transportuar drogë me helikopter nga Maroku në Spanjë. Mësohet se ndalimi i majorit dhe kapitenit nga Policia Ushtarake, është bërë për shkak të dyshimeve për lidhjen e tyre me Majorin e përfshirë në ngjarjen e ndodhur me 28 janar, si dhe për thyerje të rëndë të disiplinës. Gjithashtu, Policia Ushtarake për shkak të dyshimeve të ngritura sa i përket përfshirjes së ushtarakëve në trafik e jashtëligjshëm të transportimit të drogës nga Maroku drejtë Spanjës, ka dorëzuar kallëzim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Por përfshirja e majorit të Ushtrisë, Sokol Feka, në trafikun e drogës jashtë kufijve të Shqipërisë, përveç arrestimit të majorit dhe kapitenit, u ka kushtuar vendin e punës edhe 6 oficerëve të Forcave të Armatosura. Ka qenë Ministria e Mbrojtjes ajo që ndërmori masat ndëshkues ndaj 6 oficerëve , të cilët prej 4 ditësh u është komunikuar urdhri i lirimit, 2 oficerëve të Policisë Ushtarake dhe 4 të tjerëve nga Forcat Ajrore. Në bazë të këtij urdhri, ushtarakët janë liruar nga detyra dhe janë vënë në dispozicion të Forcave të Armatosura. Sipas burimeve, 2 ushtarakët janë liruar nga detyra pasi kanë pasur përgjegjësi si inspektorë krimesh për të mbuluar repartin e helikopterëve në Farkë, aty edhe ku majori Feka punonte si instruktor, ndërsa katër oficerët e tjerë të liruar nga detyra janë pjesë e Forcave Ajrore.

HETIMET

Mësohet se tek urdhri që iu është komunikuar 6 ushtarakëve nuk është shënuar motivacioni, por nën zë atyre iu është thënë se mbajnë përgjegjësi për përfshirjen e majorit Feka në trafikun e drogës. Ndër kohë, 4 prej oficerëve të Forcave Ajrore, iu është komunikuar se përgjegjësia më e madhe për ngjarjen bie mbi ta, ndërsa 2 oficerët e Policisë Ushtarake mbajnë përgjegjësi pasi, pas vizitës së fundit që Feka kishte bërë në Londër, ata të dy nuk kanë raportuar pranë autoriteteve përkatëse se Feka ishte kthyer me vonesë, ndërkohë që në punë rezultonte fiktivisht se ishte kthyer nga shërbimit. Ministria e Mbrojtjes ka nisur hetimin në të gjitha strukturat e saj për shkeljet e bëra dhe strukturat që nuk kishin dijeni për aktivitetin e tij, menjëherë pas rrëzimit të helikopterit, ku majori shqiptar Sokol Feka ishte përfshirë në trafikun e drogës Marok-Spanjë, ku dhe gjeti vdekjen. Kanë qenë mediet spanjolle ato që kanë raportuar se rreth orës 05:00 të datës 28 janar, një helikopter BO-105, i ngarkuar me hashash është rrëzuar në provincën e Malagës, pas përplasjes me shtyllat e tensionit të lartë.

TRAGJEDIA

Incidenti ndodhi pasi një helikopter i rojeve civile u përpoq që të zbulonte një helikopter të maskuar që po kryente një fluturim të paautorizuar. Gjatë ndjekjes, policia humbi gjurmët e të dyshuarve dhe u kthyen në bazë. Por në mëngjes ata u rikthyen në zonë ku ishte parë helikopteri për herë të fundit dhe zbuluan se ai ishte rrëzuar. Helikopteri ishte ndarë në disa pjesë, ndërsa më tej ishin dy trupat e pajetë të pilotëve si dhe 30 pako hashash. Nga ana e saj Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar se majori Sokol Feka ishte me leje të përgjithshme nga data 12-31 janar të vitit 2015, por jo leje për të dalë jashtë vendit, ashtu siç është përcaktuar në ligj për statusin e ushtarakut. Megjithatë Feka në 7 muaj rezulton të kishte dalë jashtë Shqipërisë 4 herë duke udhëtuar nga Rinasi drejt Romës në 3 raste dhe në një tjetër udhëtim ka pasur si destinacion Gjermaninë duke zbritur në Mynih. Feka në një nga lëvizjet jashtë vendit kishte deklaruar se ka shkuar për kurs trajnimi në Gjermani së bashku me disa kolegë dhe 2 herë të tjera për turizëm me qëndrim të shkurtër drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Dorentina HOXHAJ