Albana Agolli/ Sugjerimet e KLSH për reformimin e Laboratorit Doganor

582
Sigal

*Drejtore Departamenti, KLSH

 Kontrolli i Lartë i Shtetit, në përmbushje të funksionit të vet kushtetues, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit INTOSAI dhe praktikat më të mira audituese në Evropë e më gjerë, i orientuar drejt modernizimit dhe rritjes cilësore e profesionale të kapaciteteve njerëzore, strukturore dhe teknike në të gjithë administratën publike, po e vë theksin gjithnjë e më tepër tek auditimi i performancës dhe roli këshillimor i tij. Prandaj, është shumë e rëndësishme vlerësimi dhe vendosja e prioriteteve të cilat janë në koherencë me kërkesat e kohës. Nga KLSH u iniciua auditimi i performancës në Drejtorinë e Laboratorit Doganor, duke marrë shkas nga problematikat e hasura në marrëdhëniet me përfituesit e shërbimeve që ofron ky laborator si dhe faktin që DLD është laboratori i vetëm në vend i cili ka kompetencën për kryerjen e analizave të mallrave dhe certifikimin e tyre. Nga rezultatet e auditimeve të Degëve Doganore të audituara nga KLSH gjatë viteve 2013-2014, janë konstatuar raste të vonesave në kthimin e përgjigjeve, kryesisht kjo për mostrat e përgatitura dhe të deleguara për mostrim në laboratorë të tjerë. Pas një analize të veprimtarisë së punës së Laboratorit Doganor, vlerësimit objektiv dhe profesional të sugjerimeve nga subjektet e përfshira në auditim, ekspertët e fushës, konsultimit me palët e tjera të interesit, si dhe klimës së  bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ofruara nga DPD dhe DLD, u arrit në konkluzionin se rritja e rolit të Laboratorit Doganor, si një hallkë e rëndësishme në përcaktimin e vërtetësisë së origjinës së mallrave, ka si nevojë imediate rritjen e gamës dhe cilësisë së shërbimeve, nëpërmjet akreditimit të tij nga institucione të autorizuara, proces i cili kërkon mbështetje financiare, burime njerëzore dhe logjistike. Nga auditimi, KLSH ka vlerësuar se DLD ka zhvilluar veprimtarinë e tij si një Organizëm i Vlerësimit të Konformitetit, pa u vlerësuar nga një organizëm i autorizuar, konkretisht Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit (DPA). Akreditimi është një mekanizëm që ndikon në rritjen e besueshmërisë dhe ndihmon autoritetet, ekonominë dhe shoqërinë që të gjykojnë nëse laboratorët e provave, organizmat e inspektimit, certifikimit (Organizma të Vlerësimit të Konformitetit) plotësojnë detyrat specifike. Po kështu, gjatë vlerësimit është konstatuar se Laboratori Doganor në kuadër të përfitimit të asistencës teknike nga projekti IPA-2011, nuk është mbështetur me fonde financiare, burime njerëzore të mjaftueshme, me qëllim sigurimin e kushteve sipas standardeve të kërkuara, të përcaktuara këto nga DPA, si dhe të monitoruara dhe vlerësuara gjatë implementimit të projektit IPA-2011 dhe krahas përpilimit të procedurave të reja dhe rritjen e kapaciteteve teknike, duhet gjithashtu të realizohen dhe të gjitha objektivat dhe kushtet që lidhen me procesin e akreditimit. Ndaj, akreditimi i Laboratorit Doganor është një domosdoshmëri dhe kërkesë e kohës që rezultati i analizave të kryera nga ky laborator të jetë i pa kontestueshëm si dhe të ofrojë shërbime laboratorike jo vetëm për strukturat doganore, por edhe për struktura të tjera të jashtme, si një mjet i rëndësishëm për rritjen e kompetencës dhe besueshmërisë së  tij. Gjatë periudhës 2013-2014, DLD i është dhënë një rëndësi më e madhe dhe në kuadër të Projektit IPA-2011“Support to the Albanian Customs Administration (Mbështetje ndaj Administratës Doganore Shqiptare”, ka përfituar fonde të konsiderueshme të cilat kanë ndikuar në përmirësim të ndjeshëm të kapaciteteve teknike (pajisje, aparatura dhe instrumente laboratorikë), si dhe trajnim të vazhdueshëm të stafit teknik të laboratorit për përdorimin e tyre. Gjatë këtyre viteve, pajisja dhe instalimi i aparaturave dhe instrumenteve të reja laboratorikë, ka sjellë rritje të ndjeshme të gamës së analizave që mund të kryhen në këtë laborator, por kjo nuk është shoqëruar me plotësim të nevojave për staf teknik, i cili duhet tё rritet, në mënyrë që të përballojë procesin e akreditimit, përdorimin e instrumenteve tё reja e tё sofistikuara. Drejtoria e Laboratorit Doganor është ende larg realizimit të kushteve dhe standardeve për akreditim, të kërkuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit (DPA). Mos- akreditimi i Laboratorit Doganor, si një objektiv i tij i përcaktuar që prej vitit 2011 e në vazhdim, cenon qëllimin e tij për kryerjen e një game sa më të gjerë analizash dhe me rezultate të pakontestueshme. DLD është në fazën e dytë “Aplikimi për akreditim”, të procesit të akreditimit (gjithsej 8 faza) fazë e cila kërkon realizimin e një sërë kriteresh dhe plotësim dokumentacioni, ku krahas përpilimit të procedurave të reja dhe rritjen e kapaciteteve teknike, duhet gjithashtu të realizohen dhe objektivat e kushtet që lidhen me procesin e akreditimit. Faktori kryesor që ka ndikuar në ecurinë e këtij procesi është mos realizimi i kushteve nga ana e Laboratorit Doganor, të cilat lidhen ngushtësisht me mungesën e fondeve për realizimin e kritereve dhe standardeve që duhet të plotësojë DLD në kuadër të projektit IPA-2011, por veçanërisht të akreditimit të tij. Me të drejtë dhe rrjedhojë e një konceptimi dhe fryme të re në drejtimin e Doganave për vitin  2015, nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është planifikuar dhe kërkuar një fond prej rreth 143 milionë lekë, për kryerjen e investimeve të domosdoshme në Laboratorin Doganor, por nga Ministria e Financave është miratuar një fond në vlerën 15.7 milionë lekë, duke mos i kushtuar vëmendjen e duhur në mbështetjen financiare që kërkon plotësimi i kushteve, arritja e standardeve, e besueshmërisë dhe operimi e këtij laboratori edhe për të tretë jashtë sistemit. Shkëmbimi i eksperiencave dhe informacionit me laboratorët rajonalë, është shumë i vlefshëm, si për sa i takon analizave praktike, aparaturave që përdoren për kryerjen e tyre po ashtu edhe për klasifikimin tarifor, nivelit të ekspertizës, si dhe rritjes së besueshmërisë. Një nga kërkesat edhe të projektit IPA-2011, është bashkëpunimi me laboratorë tё rajonit tё Ballkanit pёr tё ndarё burimet, eksperiencat dhe informacionin. Nga DLD, ky bashkëpunim është realizuar vetëm me Laboratorin e Doganës së Kosovës. Ende nuk janë lidhur marrëveshje bashkëpunimi me laboratorë të tjerë rajonalë, gjë e cila do të sillte përfitime reciproke. Për të arritur këtë Laboratori Doganor duhet të nisë bashkëpunimin me laboratorët rajonalë, me qëllim njohjen e kapaciteteve teknike, analitike, me qëllim jo vetëm të shkëmbimit të eksperiencave, por edhe të plotësimit të nevojave të ndërsjella duke ulur kostot e shërbimit. Në këtë këndvështrim, Drejtoria e Laboratorit Doganor vjen në vlerësimin tonë si një organizatë me një mision të rëndësishëm, që konsiston në; mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit; mbrojtjen e ambientit; parandalimin e akteve terroriste; parandalimin e evazioneve të mundshme fiskale nga klasifikimi tarifor jo i saktë i mallrave; dhënien e ekspertizës për strukturat e tjera doganore dhe për struktura të tjera jashtë saj nëpërmjet analizimit me profesionalizëm dhe saktësi të të gjithë mostrave të sjella për analizë, interpretimin e rezultateve, verifikimin e llojit të mallrave dhe klasifikimin e saktë tarifor të tyre. Bashkëpunimi që DPD dhe DLD ofruan në këtë auditim, tregon dëshirën e tyre për të modernizuar Laboratorin Doganor dhe sistemin doganor në përgjithësi.Në këtë kuadër i del detyrë Ministrisë së Financave që në mbështetje të realizimit të objektivave kryesore të DPD për Laboratorin Doganor, si i vetmi i këtij lloji në vend, për sigurimin e kushteve sipas standardeve të kërkuara për akreditimin e tij nga DPA, që të akordojë fonde të mjaftueshme për investime dhe nevoja të tjera, sipas kërkesave të bëra nga DPD, me qëllim që të mos bllokohet apo vonohet më shumë procesi i akreditimit. Laboratori Doganor është i vetmi që ofron këtë shërbim ndaj Degëve Doganore, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe organeve shtetërore të tjera, për rrjedhojë të gjithë këto institucione, kanë peshën e tyre specifike në përmirësimin e performancës së tij. Por, me gjithë punën e mirë të deri tanishme, arritja e standardeve në përmbushjen e kërkesave për akreditim të Laboratorit Doganor Shqiptar, mbetet objektivi dhe sfida kryesore e tij dhe e gjithë institucioneve të cilat kanë rolin e tyre në arritjen e këtij objektivi.