Fusha e Maliqit po bëhet e pashpresë, 300 hektarë nën ujë

1250
Sigal

Asnjë investim në 25 vite. Banorët rikujtojnë kënetën, gjahun e rosave, biznesin me lundra dhe lokalet me mish dhe verë

KORÇË- Duke filluar nga viti 1990 dhe këtej, fusha e Maliqit po përmbytet nga viti në vit. Kjo gjë ndodh sa herë që lumi i Devollit del nga shtrati i vet. Për këtë arsye, lumi është thelluar disa herë, por rezultati përsëri ka qenë i njëjtë: fusha e Maliqit është përmbytur sërish. Ndodh kështu sepse, ndërsa shtrati i lumit thellohet, në të njëjtën kohë edhe niveli i fushës bie. Toka e saj është torfë dhe si pasojë e vetëdjegies, ajo humbet sasi të mëdha dheu, duke tentuar të kthehet në kënetë si dikur. Rënia e nivelit të fushës së Maliqit dhe thellimi pafundësisht i shtratit të lumit  është një luftë e humbur. Tashmë, pas kaq vitesh gjithçka është e provuar: sa herë ka pasur mot me reshje të shumta, qindra hektarë kanë mbetur nën ujë. Fermerët kanë humbur gjithçka që kishin kultivuar, të gjitha shpenzimet dhe çdo të ardhur të parashikuar. E njëjta gjë po ndodh edhe këtë vit, së paku 300 hektarë tokë notojnë në ujë. Sipërfaqja e përmbytur shtohet vazhdimisht, qoftë edhe nga reshjet e drejtpërdrejta dhe jo nga lumi. Rënia e nivelit të fushës po nxjerr jashtë përdorimit kanalet kulluese. Edhe nga një mbledhje të Prefekturës, të drejtuar nga prefekti Ardit Konomi u nënvizua fakti se “fusha e Maliqit nuk ka asnjë siguri. Ajo do të vazhdojë të përmbytet sa herë që të ketë reshje. Skema e kullimit ka dalë jashtë funksionit”. Kjo do të thotë se nëse do të ketë reshje, sipërfaqja e përmbytur mund të marrë përmasa të frikshme dhe fermerët të mbeten pa asnjë të ardhur.

 NOSTALGJI

Për të gjitha arsyet e renditura më sipër, janë të shumtë ata banorë që kujtojnë me nostalgji, kohën kur fusha e Maliqit ishte kënetë. Dikush mund të mendojë se nga një vend kënetë nuk mund të prodhosh asgjë dhe gjithashtu nuk mund të sigurosh të ardhura, por e vërteta është ndryshe. Këneta e Maliqit, kishte një infrastrukturë të ngritur enkas për gjahun,  për të apasionuarit pas këtij sporti, për vizitorët dhe për turistët që vinin nga vende të tjera dhe që atëherë ishin të shumtë. Përgjatë kënetës gjendeshin lokale dhe restorante me mish rose, ngjale, krapi, verë dhe pije nga më të mirat. Gjithashtu, mund të gjuaje kafshë të egra, mund të bëje biznes me lundrat, të cilat u jepeshin në dispozicion vizitorëve, qoftë për të lundrim, qoftë për gjah. Vetëm rosa, këneta e Maliqit numëronte 12 lloje,  por nuk mungonte as thëllëza e liqenit as kastori, as kau i kënetës, as derri i egër dhe as kafshë e shpendë të tjerë. Banorët e qyteteve shqiptare por edhe nga vende të huaja ishin të shumtë që frekuentonin kënetën e Maliqit, madje edhe nga Franca, Gjermania e gjetkë. Gjithsesi, për të mësuar më shumë se çfarë ndodhte konkretisht në kohën, kur ekzistonte këneta e Maliqit, ne po sjellim një përshkrim të vitit 1937.

 KËNETA E MALIQIT, DIKUR…

Liqeni i Maliqit përbëhet prej 60.000 dynymësh; 2/3 janë tokë e plehëruar shumë mirë dhe një 1/3 gjendet nga ana e fshatrave Zvirinë- Sovjan. Maliqi është në ujë. Në liqen ka ngjala, krap, vitra, një farë kastori dhe në kënetë dhelpra, ujq derra etj.. Në këtë kënetë gjenden pata prej të vendit të mëdha, të zgjuara shumë, të dëshiruara dhe rosa, ndofta më tepër se 12 lloje, nga të cilat pëlqehet rosa e vendit, si më e madhe, me shijë, më e lehtë për t’u vrarë. Një ditë shkuam për rosa në Sovjan. Shoqëria përbëhej prej 5 vetash, shumicë e të cilëve gjahtarë të huaj dhe të gjithë vemë për të parën herë. Kur arrimë atje, pa gdhirë, pamë një dritë në një dyqan; me të qëndruar automobili, i zoti i dyqanit zoti. F.S., doli dhe na ftoi të hynim në dyqan se kishte zjarr të mirë. Pyetja e pare, ishte: Ku do të gjejmë lundra për të hyrë në liqen? Zoti F.S., thotë: Mos bëji merak, posa ardhtë këtu, tani është puna jonë. Pasi na gostiti me kafe, zotnia doli përjashta dhe thirri një zotni tjetër me emrin B., i cili me gjithë qejf dhe plotë mirësi na bëri lehtësitë e duhura. Ende është herët, por lundrarët, (zotërit e lundrave), ardhë; dhe ata përpara dhe ne pas, nëpër ullishta plot baltë, duallmë në anën e liqenit. Aty i përshëndoshëm disa rosa që na shkuan mbi krye, me një batare. Lundrat janë një farë govate të gjata, primitive të ngara me një lopatë dhe marrin dy veta. Në vend të fronit na shtruan një krah me barishta. Zumë vend dhe muarrëm drejtime të ndryshme.

 KËTU KA ROSA SA TË DUASH

Lundra ime bëri në të mëngjër, në anën e liqenit. Ky, një burrë i ri, plot gjallëri dhe shumë merak për gjah, më thotë: Do të të shpie or zot në një vend ku ka rosa me barrë. Po hyjmë nëpër kallamat, aty-atje ka pellgje. Ndodhemi përpara një llomi, ku lundrari qëndron lundrën dhe më pëshpërit: “Përpara nesh është një rosë!” I shtiva një saçmë në kokë dhe e mbaroj rosën. Lundrari kërceu nga gëzimi për këtë kismet të madh. Nuk vlen një rosë baras me një xhevahir? Besa po. Se lundrarët tanë vrihen në fytyrë po të na vejë fisheku bosh. Me shumë ngadalë dhe me shumë muhabet, si me rosat ashtu edhe me lundrarët, arrimë në kufinë e Zvirinës. Krisma dyfegjesh dëgjoheshin nga çdo anë. Edhe shokët po bëjnë muhabet për rosat se lundrarve nuk ua dimë gjuhën. Dielli i bukur aq i dëshiruar, doli më në fund. Rosat po blidhen tok, në mes të liqenit, ku e shkojnë ditën në siguri. Aty-atje, diku, duket ndonjë rosë vëzhguese, (kallauz), të cilën e përshëndoshëm qoftë prej së largu. Përpara nesh, liqeni është i mbushur me një lloj rose të zezë, të quajtura “gaxhë”. Shokët e huaj i quajnë thëllëza liqeni dhe i çmojnë pa masë. Ato janë tepër të majme dhe vriten fare lehtë, po pas mendjes së lundrarëve, ato nuk hahen. Tani po kthehemi. U takuam përpara vendit të lundrave, ku morëm disa piktura, (foto), të cilat zbukurojnë albumet e miqve tim që ndodhen aq larg meje.

 TË JESH SHQIPTAR

Gjithë shokët kishin mbetur të kënaqur nga kjo provë e parë me lundra nëpër liqen. Ndofta qemë ca më të kënaqur të dilnim në tokë për të lëshuar këmbët tona të mpira. Pasi e shkuam drekën me plot muhabet me zoti F.S., të shoqëruar dhe me z. B, duallëm përsëri në buzën e liqenit. Rosat u urluan dhe tani tek-tuk po del ndonjë për të kullotur. Dyfegjet bien rrallë e rrallë. Më në fund, hymë përsëri në lundrat dhe shkuam për të zënë pusira: se rosa del mbrëmanet në anën e liqenit për të kullotur. Më ora 12 allaturka filloi dyfeku, këtë radhë është i shpejtë, i pareshtur. Brenda gjysmë ore u ngrys. Dyfeku pushoi. Dhe po shkojmë me të shpejtë për në Sovjan dhe për në shtëpi. Miqtë e mij mbetën të entuziazmuar nga pritja e mirë e disa zotnive prej të parisë, si dhe nga sjelljet korrekte të lundrarëve. Të mos isha freng, do të dëshiroja të isha shqiptar,- më tha njëri prej atyre. E falënderova për komplimentin, duke ditur që nuk e bëri as me djallëzi dhe as me lajka. Me një popull kaq të sjellshëm, kujtdo ia ka ënda të shoqërohen kohë më kohë, pra e përsëritmë gjuetinë në atë vend dhe gjithnjë duallmë të kënaqur për së tepërmi. Gjahu i rosës është shumë i këndshëm, por ky gjah ka ditët e mira dhe ditët e këqija. Dhe mund të them që vetëm në ditët e këqija, me erë e me furtunë, janë më të volitshme për këtë gjah.

 GJAHU TËRHEQ QYTETARËT

Rosa është e zgjuar, di të mbrohet. Në ditët e mira, të qeta e me diell, mblidhet në mes të liqenit, ku nuk i afrohet dot njeriu. Vetëm, pra, mbrëmanet e në mëngjes del, dhe atëherë del në të errët kudo që gjahtari nuk sheh. Vetëm në ditët me furtunë: vesë dëborë dhe erë, merr hov gjahtari, atëherë ngopet me të zbrazur… po të mos ketë zagar të mire, edhe atëherë vret shumë, por merr pak, se rosa humbet nëpër kallama dhe ujërat e kënetës. Gjithnjë katundarët janë më të lumtur, ata e ruajnë dhe e kapin tamam ditën e rosës, me vendin janë familjarë, që t’u skuqen, nëpër ujërat, këmbët e tyre si ato të rosës, nuk e kanë për keq. Gjahu i rosës, sa i pëlqyer aq dhe i rrezikshëm, është më tepër për qytetarët, të cilët nuk janë stërvitur të qëndrojnë në erën e hapur dhe në të ftohtë me këmbë të lagura, por vërshëllimi magjik i krahëve të rosës i tërheq edhe qytetarët në të ftohtë edhe lagështi

(“Gazeta e Korçës”, e hënë, 25 janar 1927)

Vepror Hasani