Ministrja Pirdeni takim me homologun Props: “Modernizimi i Administratës Publike është jetik për shpejtimin e procesit të integrimit”

23
Sigal

Lubjanë, Slloveni – Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Znj. Adea Pirdeni, u takua në Lubjanë me Ministrin e Administratës Publike të Sllovenisë, Z. Franc Props. Përgjatë takimit të dy ministrave, në praninë edhe të delegacioneve shoqëruese, u diskutua gjerësisht mbi rëndësinë e rienergjizimit të administratës, investimin e vazhdueshëm në burimet njerëzore ekzistuese, si dhe mbi domosdoshmërinë e vlerësimit të vazhdueshëm të performancës së punonjësve me kryefjalë meritokracinë.

Ministrja Pirdeni ndër të tjera theksoi se: “Modernizimi i Administratës Publike është jetik për shpejtimin e procesit të integrimit. Sllovenia mbetet një vend partner prej praktikave të mira të të cilit në këtë fushë ne mund të mësojmë shumë”.

Përgjatë qëndrimit në Lubjanë, Ministrja Pirdeni zhvilloi dhe takim me përfaqësuesit e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit të Sllovenisë. Si një mbështetëse e rrugëtimit integrues të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, Sllovenia vazhdon të ofrojë përkrahjen e saj në shumë drejtime, përfshirë shkëmbimin e eksperiencave për mirëfunksionimin dhe modernizimin e administratës publike të Shqipërisë.