‘Luftë për dinjitet’ – Nesër sërish protestë për rritjen e çmimeve, bashkohen edhe studentët

219
Sigal

Prej dy javësh qytetarët protestojnë kundër rritjes së çmimeve ndërsa nesër ata kanë paralajmëruar se do të marshojnë nga sheshi ‘Skënderbej’ para kryeministrisë.

Marshimit të madh të shtunën do t’i bashkohen edhe studentët prej orës 10:00 duke nisur përpara Universitetit Politeknik e më pas drejt godinës ku qëndron kreu i qeverisë, Edi Rama.

Këtij të fundit qytetarët i kanë lënë afat deri nesër që të plotësojë kërkesat e tyre, në të kundërt bënë me dije se s’do të largohen nga bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ pa u realizuar qëllimi i protestës. Protestuesit kanë thënë se edhe çadrat i kanë gati që të qëndrojnë në shesh deri në fund.

Studentët nuk e quajnë gjë tjetër veçse luftë për dinjitet ndërsa i bëjnë thirrje edhe bashkëmoshatarëve të tyre të bashkohen. Çdo ditë që protestonin, qytetarët janë shprehur se nuk i përballojnë dot çmimet.

Prej dy javësh thuajse e gjithë Shqipëria është ‘ngritur në këmbë’ pasi çmimi i karburantit kapi shifra rekord ndërsa edhe çmimi i produkteve të shportës ka kapur majat.

Ajo se çfarë do të ndodhë nesër mbetet për t’u parë, nëse do ketë ndonjë reagim nga ana e qeverisë, apo qytetarët do të vendosen para godinës së qeverisë deri kur të plotësohen kushtet.