“Lufta na bashkoi, partitë politike na ndanë dhe Datën e Çlirimit’’

579
Bardhyl BERBERI

Në ceremoninë e zhvilluar para pak ditësh në varrezat e dëshmorëve në Pogradec më tërhoqi vëmendjen një veteran. Në gjoks i shkëlqenin dekoratat. Ai u përkul mbi një nga varret duke përkëdhelur mermerin e varrit të një dëshmori që ishte vrarë në moshën 18 vjeç. Erdha t’ju takoj, o shokë, se shumë më kishte marrë malli! Lëshon një ofshamë dhe nga faqet filluan që t`i rrjedhin lot. Ky djaloshi këtu ka qenë në një llogore me mua dhe është vrarë në ditën e fundit të çlirimit. Ka vite që jemi të ndarë, ca vijnë më 28 dhe ca më 29 Nëntor. Të gjithëve ne dikur na bashkoj Lufta dhe na ndau kjo e shkretë politikë! Eh, nga na erdhi kjo kohë që të ngatërrojmë dhe Datën e çlirimit. Sot Ditën e çlirimit e vendosin partitë politike, jo ne partizanët në zjarrin e Luftës. Sot këto partiçkat politike kanë merak për datën, jo për plumbin që ne morëm në ballë. Por ata mendojnë, jo për datën, por për tenderë kanabizmi, koncesionesh, për pushimet me dashnore. Këta djem në lulen e rinisë luftuan, derdhën gjak për të çliruar atdheun nga okupatorët dhe ranë si trima si askush tjetër. Ata, mbetën heronj apo dëshmorë! Shkoni varrezat e dëshmorëve të shkatërruara, me pllakat e varrit të thyera por kanë mbetur mbishkrimet: “Ra dëshmor për çlirimin e atdheut “ vetëm 18 vjeç, 20 vjeç, 25 vjeç, dëshmorë dhe heronj në lulen e rinisë. Ata nuk vunë lule në themelet e Atdheut, por të ritë e tyre, gjakun e tyre. Gjaku i dëshmorëve është çmimi më i vyer i gjithë popujve të botës, të cilët i kanë në piedestal në sheshet kryesore të kryeqyteteve të botës. “Punë e madhe, do të thotë dikush, se ranë dëshmorë!”. Pa më thoni, ju, se sot ç`është më mirë, të jemi të sinqertë, të jesh dëshmor apo politikan? Po dhe politikanët lindën, njësoj si dëshmorët, pa vullnetin e tyre, por jetën e çuan sipas vullnetit të tyre, ashtu këndshëm, si duan vet. Për mrekulli: Pa brenga e varfëri, me autoritet e kënaqësi, me makina e vila në qytete turistike, me femra e shampanjë, e posaçërisht me gënjeshtrat e partisë. Mund të pyesni: “More, po kush je që shkruan për dëshmorët?!.” Ndoshta për ju s`jam askush, po për gjakun e dëshmorëve jam, jam! Gjaku i dëshmorëve është çmimi më i vyer i të gjithë popujve. A e dini se ku buron forca e shteteve? Te gjaku i pastër i të rënëve për atdhe shprehet fuqia e veprimit, e jo te fuqia e mendimeve të zbrazura politike. Ata shprehin frymëzime, e jo gjykime politike, liri, e jo robëri politike. Dëshmorët dallojnë prej politikanëve, sipas esencës vepruese, e jo sipas akteve ligjore. Pse? Sepse shtetet janë krijuar prej heronjve, kurse heronjtë nuk janë krijuar prej shteteve, po prej metaforave e simboleve kombëtare. Po partitë politike, a kujdesen për të rënët për atdheun? Sa herë që u nevojiten votat, ata respektojnë dëshmorët dhe heronjtë, duke u bërë edhe buste, për të mashtruar popullin e ngratë. Sa të mirë bëhen, sa të sjellshëm e sa të urtë, sa popullorë e sa të afërt me masën e gjorë, me familjet e dëshmorëve që nuk kanë as kushtet elementare jetësore?!. Ata thonë, ne të partisë, shikoni, çfarë dashurie kemi ndaj jush veteranëve, të sëmurëve, që duhet të votoni!” Politikanët e sotëm e dinë mirë se historitë e luftërave tona janë të mbushura me epope heroizmash dhe gjak, kurse historitë e politikanëve janë të mbushura vetëm me fitore të parave, bizneseve, korrupsionit, tenderëve e lezeteve. Politika dhe politikanët janë të përkohshëm, ndërsa dëshmorët e heronjtë janë piedestale përjetësie të ngritur me gjak . Dëshmorët , heronjtë përbëjnë themelin e shtetit, flamurit, gjuhës e kulturës së një populli, kurse ju, o politikanë që talleni me ata e nuk i respektoni, – ju përbëni themelin e shkatërrimit të popullit. Dëshmorët janë kulminacione dhe shtylla më të mëdha për shpëtimin e popullit nga robëria. Prandaj, mundoheni t’i shtrydhni shpirtrat e ish-luftëtarëve për të jetuar ju më mirë. Luftëtarët, dëshmorët janë ndërtuesit e atdheut shpirtëror; atdheu shpirtëror është vlera më e madhe, se dheu ku ju jetoni duke mashtruar. Forma e dheut fizik ku ju përfitoni vlera materiale është spërkatur me djersën dhe gjakun e tyre. Shumë pak politikanët, kanë dashuri, për të rënët për atdhe dhe veteranët . Vetëm shpirtrat e lartë të furnizuara me vlera të larta dashurie prezantojnë dhe vlera të larta kombëtare. Dëshmorët e kanë dashur Atdheun përderisa u flijuan për të. Politikanë mosmirënjohës dashuria juaj ndaj parave e pasurisë, ju ka dhënë varfëri shpirtërore e kulturore. Ju keni bërë para dhe pasuri pafund. por jeni të varfër shpirtërisht, sepse, pa përpjekje, pa sinqeritet, pa dashuri, pa sakrifica ju i keni vënë këto pasuri duke shkelur mbi gjakun e dëshmorëve dhe heronjve . Një takëm nga ju politikanët e sotëm i nënçmoni dhe harroni se “JU” jeni aty, se ju ka sjellë gjaku i tyre, ky thesar shpirtëror i popullit. Dëshmorët e atdheut janë flamuj që valëviten rrugëve dhe shesheve tona. Liria fitohet me sakrifica gjaku dhe me dhurim jete që këta dëshmorë bënë në altarin e Atdheut. Mos luani me dëshmorët e Atdheut… Një varr dëshmori, një gur, një lapidar, një përmendore janë flakadanë të lirisë…


Sigal