Sigal

Ambasada Amerikane apelon qytetarët që do të aplikojnë për lotarinë amerikane që të tregojnë kujdes nga mashtrimet dhe ta kryejnë vetë procesin online. Ndërkohë në ditën e dytë, rezulton se fluks nuk ka por qytetarët shprehin interes të lartë.

Dita e dytë e aplikimit për Lotarinë Amerikane ka nisur pa shumë fluks në qendrat ku kryhet plotësimi i saj. Jashtë kameras, personat që asistojnë për regjistrimin kundrejt pagesës thonë se interesi në dy ditët e para ka qënë i ulët krahasuar me një vit më parë. Por ka ende kohë pasi afati i fundit është data 6 nëntor.

Vitin e kaluar ishin rreth 367 mijë shqiptarë që aplikuan për lotarinë amerikane por edhe këtë vit numri pritet të jetë i lartë për shkak të interesit që shfaqin qytetarët.

Por ka edhe nga ata të cilët të ardhmen e mendojnë në Shqipëri dhe nuk kanë aplikuar asnjëherë për tu larguar jashtë saj.

Ambasada Amerikane apelon qytetarët që të bëjnë kujdes nga mashtrimet pasi disa faqe interneti apo emaile mund të prezantohen si faqe zyrtare e qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Ndër të tjera këshillohet që aplikimi të kryet vetë, online, pasi procedura është e thjeshtë dhe falas.

Kujdes duhet treguar me fotrografite e cila duhet te jetë e 6 muajve të fundit, në të cilën nuk lejohet vendosja e syzeve. Ata që do të përdorin fotografinë e vitit të kaluar apo do të aplikojnë më shumë se një herë gjatë periudhës së regjistrimit do të skualifikohen automatikisht. Duke filluar nga 7 maji 2019, për të parë nëse janë përzgjedhur, të regjistruarit e DV-2020 do të mund të përdorin numrin e tyre unik të konfirmimit të dhënë në regjistrim duke kontrolluar online Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve në faqen zyrtare të E-DV-së.