Ligji i “Vetting”-ut përplas prokurorët, anulohet sërish mbledhja e Asamblesë

487
Sigal

 

Përplasjet
mes anëtarëve të Unionit të Prokurorëve, janë bërë shkak për anulimin e
mbledhjes së Asamblesë, nga e cila do të vendosej, nëse prokurorët do t’i
drejtoheshin ose jo Gjykatës Kushtetuese për t’u pranuar si palë në procesin
gjyqësor në përfundim të të cilit do të vendoset nëse Ligji i Vettingut bie
ndesh me Kushtetutën sikurse pretendon Partia Demokratike.

Fillimisht, Unioni informoi përmes
një e-maili anëtarët e tij, se strukturat drejtuese do të mblidheshin me datë 5
nëntor 2016 dhe do të vendosnin për qëndrimin zyrtar që do të mbahej lidhur me
ligjin e Vettingut. Përmes një e-maili të dytë, Unioni informonte anëtarët se
asambleja nuk do të mblidhej me datë 5, por një javë më vonë, me 12 nëntor.

Papritur, prokurorët janë informuar
sërish, se mbledhja ishte vendosur të shtyhej sërish në një afat të pacaktuar,
por pa u dhënë asnjë shpjegim të mëtejshëm.

Një burim tha për televizionin
News24 e BalkanWeb, se shkak për shtyrjen e mbledhjes, nuk janë problemet
organizative, sikurse informohen prokurorët me e-mail, por përplasjet e ashpra
mes tyre, pro dhe kundër ligjit.

Në kushte të tilla, kur nuk kanë
një qëndrim të unifikuar, Unioni e ka heshtur dhe s’ka mbajtur asnjë qëndrim
për ligjin e shumëdisktuar, i cili përbën thelbin e reformës në drejtësi.

Ndërsa Unioni i Gjyqtarëve, vendosi
ta cilësojë si antikushtetues ligjin e Vettingut dhe këtë qëndrim do të mbajë
edhe në seancën e 22 nëntorit, që pritet të zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo e fundit vendosi ta pezullojë ligjin “për vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve
dhe prokurorëve” dhe t’i drejtohet Komisionit të Venecias për mendim. Ligji i
Vettingut u ankimua në Kushtetuese nga Partia Demokratike./BW/