Leonard Veci: Sindikatat e furgonëve në Elbasan më 22 shkurt në protestë mbarë kombëtare

533
Sigal

Anëtari i sindikatave për furgonët në Elbasan, Leonard Veci, flet për vendimet që do të merren nëse qeveria nuk ndryshon vendimin për furgonët

Në një intervistë për gazetën “Telegraf” anëtari i sindikatave për autoveturat 8+1 në Elbasan, Leonard Veci, sqaron situatën dhe vendimet që do të merren në ditët në vijim nëse qeveria nuk do të tërhiqet nga urdhri i dhënë për të shkuar plot dhe të kthehen bosh shoferët e autoveturave 8+1. Veci thotë se, ata nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe kërcënon se do të bllokojnë çdo cep rruge në të gjithë Shqipërinë duke theksuar këtu se do të hyjnë dhe në grevë urie. Gjithashtu, ai thotë se, pas dy ditësh, më datë 22 shkurt pritet një protestë mbarë kombëtare përpara Kryeministrisë.

 -Zoti Veci, pas konferencës së jashtëzakonshme që kishit dhe ndërkohë që, pritet një përgjigje nga ministri i transporteve z. Haxhinosto për këtë situatë, cilat do të jenë masat që do të merrni ju?

Nëse ne nuk marrim një përgjigje pozitive nga ministri dhe Kryeministri, për kërkesat tona ne nuk do të ndalemi, por mbas dy ditësh do të bëjmë një protestë mbarë kombëtare në Tiranë përpara Kryeministrisë deri sa e drejta jonë të vihet në vend. Ne nuk do të ndalemi, edhe nëse nuk do ja dalim me protesta do të vazhdojmë me greva, deri sa kryeministri dhe ministrat të plotësojnë kërkesat tona, pasi është një padrejtësi e madhe që na bëhet dhe qëllimi i gjithë kësaj është që të na falimentojë edhe ne që jemi taksapagues të rregullt.

-Cilat janë kërkesat tuaja?

Ne kërkojmë vetëm dy gjëra: Anulimin e kthimit të furgonëve bosh dhe të eliminohet konkurrenca e pandershme. Gjithashtu, një problem, që e kemi vetëm ne të Elbasanit, është dhënia e licencave pasi kemi gati 7 vjet që nuk e marrim, edhe pse e kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme. Nëse na plotësohen këto kërkesa ne nuk duam asgjë tjetër.

-Një pikë e nenit të Kodit Rrugor thotë se, ju duhet të niseni plot dhe të ktheheni bosh.

 Po është e vërtetë që në Nenin 11, pika a, e Kodit Rrugor e përmban këtë që thonë ministrat, por ne pikërisht këtë kërkojmë, rishikimin e këtij ligji pasi ai nuk ka gjetur zbatim që në kohën kur është miratuar dhe është i pavlefshëm për ne. Nëse ne do të ikim plot dhe të kthehemi bosh nuk do të nxjerrim as karburantin, me këtë çmim që ka shkuar, duke na vetëfalimentuar në këtë mënyrë për mos përballim shpenzimesh.

-Z.Veci, cila është thirrja që ju  i bëni Kryeministrit dhe ministrit të Transporteve?

Unë në emër të sindikatës së autoveturave 8+1 ju bëj thirrje që të tërhiqen sa më shpejt nga ky  vendim duke na lënë neve të ushqejmë fëmijët me bukë, pasi jemi 110 furgonë vetëm në bashkinë e Elbasanit që paguajmë taksat prej 20 vjetësh dhe jemi me letra të rregullta.  Përndryshe ne nuk do të dorëzohemi deri sa të gjejmë zgjidhje dhe qeveria do të përballet me 20 mijë familje duke bllokuar çdo cep të rrugëve nëpër gjithë Shqipërinë me protesta dhe greva urie.