Ladi Demaj: Pasuritë dhe vlerat arkeologjike, pasaporta e identitetit Kombëtar

781
Sigal

Flet Ladi Demaj, Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Ruajtjes së Monumenteve të Kulturës

Ladi Demajn, drejtorin e ri të Drejtorisë Rajonale të Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës Sarandë, e gjetëm duke ndjekur punimet restauruese në murin e portës hyrëse të qytetin, ndodhur në mjediset e plazhit publik të Sarandës , buzë shëtitores kryesore të qytetit. Paksa modest, po mundëm t’i marrim një intervistë për gjendjen aktuale të monumenteve të kulturës dhe synimet e tij për mbrojtjen e tyre, pasi kohët e fundit, monumente të lashtësisë kanë pësuar dëmtime serioze, apo janë zhdukur fare. Sidomos, varret e lashtësisë kanë pësuar dëme më të rënda nga thesarkërkuesit, si në Shkallë-Konispol, Kalasë e gjetkë… Pikërisht, nisur nga qëllimi për mbrojtjen e këtyre vlerave kombëtare, u organizua ditë më parë edhe takimi me temë “Bashkëpunimi i Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës Sarandë me qeverisjen vendore”…

Zoti Ladi! Diçka për takimin e zhvilluar?

-Dua të shënoj që në fillim se rajoni i Sarandës, së bashku me Delvinën, është nga më të mëdhatë në Shqipëri, si gjeografikisht, ashtu edhe në pasuritë e monumenteve. Dua të shtoj se, sipas arkeologëve dhe studiuesve të ndryshëm është arritur në konkluzion se fjala “Epir” ka kuptim gjeografik dhe jo etnik. Është futur në përdorim fillimisht nga banorët grekë të ishujve të Jonit, pasi nga pozicioni i tyre ishullor i quajtën këto vende përballë tyre si “Apeiros”, që do të thotë stere (tokë). Këtej u trashëgua emir Epir. Ne, në Sarandë kemi 110 objekte me statusin e Monumentit të Kulturës së kategorisë së parë. Këto vetëm historike dhe arkeologjike, pa numëruar ato natyrore. Pra, brenda këtij qëllimi qe edhe rritja e vlerësimit të qeverisjes vendore për këto vlera të këtyre objekteve, pasi Saranda është një qytet me më shumë se 2000 vjet histori dhe kjo trashëgimi e krijuar nga brezat shqiptare në shekuj, të mos shuhen, por të mbrohen e të transmetohen. Këto objekte kanë nevojën edhe për një vlerësim, edhe më të madh në aspektin e investimit nga qeverisja vendore. Por fatkeqësisht, shumë njësi vendore treguan indiferentizëm ndaj këtij qëllimi deri edhe në mospjesëmarrje në takim. Duhet përgjegjshmëri, sidomos tek kujdesi i ruajtjes fizike të tyre.

Aktualisht, si paraqitet situata e objekteve arkeologjike?

-Qytete arkeologjike si Butrinti, Finiqi, vendbanime të hershme si ai Xarrës, kështjella madhështore si ajo e Lëkursit, manastiret e famshme të 40 Shenjtorëve dhe Mesopotamit, objekte të tjera e kështjella në territorin e gjithë Sarandë-Delvinës, mozaik e gjëra të tjera të magjishme arkeologjike, objekte dhe pasuri etno-kulturore, Sinagoga e kështjella e Sarandës, Salla me mozaik, tempulli në Metoq, vendbanimi në Çukë, kalaja e Karalibeut, manastiri i Kakomesë, xhamia e Gjin Aleksit në Rusan, kompleksi islamik në Delvinë e shumë të tjera pasuri me vlera, tregojnë historinë e pasur të kësaj treve dhe e reflektojnë këtë mision. E para punë që bëra me marrjen e detyrës ishte inventarizimi i plotë i tyre.  Fotografohej dhe bëhej në vend vlerësimi për secilin objekt. Kjo punë dymujore solli si rezultat një material të përgatitur ku në brendësi të tij qenë të stampuara mbi 220 foto si dhe u hodhën për secilin objekt të dhënat përkatëse. Kjo solli edhe krijimin e pasaportës dhe kartelës për ç’do objekt të monumenteve të kulturës së Sarandë-Delvinës… Kjo punë operative na solli edhe konkluzionin se në përgjithësi gjendja është pozitive, por ka problem edhe serioze edhe shqetësuese të një sërë objektesh, të cilat janë në një gjendje të rëndë të ekzistencës së tyre, pra shkojnë drejt zhdukjes po nuk u ndërhy. Mund të përmendet Manastiri i 40 Shenjtorëve, kishën e Shën –Kollit në Mesopotam, kisha e Shën Marisë në Komeno-Kakodhiq, kisha e Shën-Marisë në Leshnicë, muri rrethues i Onhezmit –Sinagoga, xhamia e Gjin Aleksit në Rusan, kompleksi islamik në Delvinë e shumë objekte të tjera që rrezikojnë seriozisht zhdukjen dhe rrënimin. Por ka edhe banesa private të shpallura me status të monumentit që po zhduken nga lënia në haresë, dhe këtu po kërkojmë bashkëpunim me pronarët për restaurimin e tyre sipas ligjit…

A ka investime të huaja, apo pritshmëri të tyre në restaurimin e objekteve?

-Aktualisht, jo! Pritshmëri po! Është një projekt i Komitetit Europian për bashkëpunim ndërkufitar, në të cilin përfshihen dy njësi vendore të dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Greqisë, dhe përkatësisht Finiqi (Foinike) së bashku me parkun e tij dhe Dodona së bashku me parkun .Për Foinike tonë janë akorduar rreth 140 milionë lekë. Por duhet si e thashë në fillim, interesimi dhe përgjegjësia jonë në radhë të parë për ruajtjen, mbrojtjen dhe transmetimin e këtyre vlerave të pakrahasueshme kombëtare të kulturës trashëguese.