Lashtësia dhe veprat e rralla të artit, shtojnë turistët në Berat

454
Sigal

BERAT/Bashkia: Sivjet qyteti është vizituar nga 22 mijë turistë. Përfshirja dhe investimet nga UNESCO, pritet të rrisin fluksin

Pozicioni gjeografik , lashtësia, veprat rralla të artit, objektet e kultit dhe përkujdesja në rritje pas përfshirjes në projektet e UNESCO-s, kanë bërë që numri i turistëve në Berat të vijë në rritje. Sipas statistikave në bashki, këtë vit në vazhdim, Berati është vizituar nga 22 mijë turistë, shifër kjo 20 % më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Cilët elementë afrojnë turistët në Berat?

RELIEVI

Rrethi i Beratit shtrihet kryesisht në një territor me reliev malor e kodrinor, me lartësi mesatare mbi nivelin e detit 455 m (qyteti 58 m). Fushat shtrihen në krahun veri-perëndimor të rrethit, në luginën e Osumit, derisa ajo bashkohet me fushën e Myzeqesë. Në mjedisin natyror të Beratit dallohen: zona fushore e kodrinore e Beratit dhe e Kuçovës, mali i Tomorit (Lindje, 2417 m) dhe ai i Shpiragut (Perëndim, 1218 m) si edhe lugina e Osumit dhe e Tomoricës.

LUMENJTË

Lumi i Osumit rrjedh përmes qytetit dhe jashtë tij, afër Urës Vajgurore, bashkohet me lumin e Devollit; të dy së bashku formojnë Semanin (gjatësia e tij brenda rrethit 32 km). Osumi është një nga lumenjtë kryesorë të vendit. Ai paraqet interes për bujqësinë, energjetikën, hidro-gjeologjinë, ekologjinë dhe urbanistikën. Sipas treguesve hidrologjikë, për nga gjatësia radhitet i 8-ti, për nga baseni ujëmbledhës i 10-ti, për nga prurja mesatare vjetore i 11-ti dhe për nga lartësia mesatare e rrjedhjes i 4-ti. Në zonën e Çorovodës e Skraparit krijon kanione vertikale shumë të bukur, me forma të ndryshme, me thellësi deri 150 m e 15-20 m të gjera. Osumi transporton në Seman 995 milionë m kub ujë në vit, me prurje mesatare 32,5 m kub /sek (në Berat 25-26,9 m kub /sek). Sasia vjetore e prurjes së ngurtë 1,356 milionë m kub. Gjatësia e Osumit brenda rrethit është 51 km.

HISTORIA

Berati u përket qyteteve të rrallë, ku jeta fillon qysh në lashtësinë e thellë dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot. Dy çekanë guri e datojnë fillimin e jetës në të para Periudhës së Bronzit (2600-1800 P.Kr.). Dëshmitë arkeologjike tregojnë se në shek. VII-VI P.Kr. Këtu është zhvilluar një vendbanim para qytetar, me punishtet e tij të qeramikës dhe me një jetë shoqërore të diferencuar… Qyteti i mirëfilltë u themelua më 313-310 P. Kr. si qytet-kështjellë i Dasaretisë, i quajtur Antipatrea nga mbreti Kasandër në kujtim të Gjeneralit mëkëmbës të Lekës së Madh. Ky është emri i parë i qytetit. Pas pushtimit romak në shek. II P.Kr. ai u quajt prej tyre Albanorum Oppidum (Fortesa e Arbërve). Në shek. V, nën perandorinë Bizantine, u përforcua dhe e ndryshoi emrin në Pulheriopolis (Qytet i bukur). I pushtuar nga bullgarët në shek. IX, u quajt Belgrad (Qytet i bardhë) – Berati i sotëm.

QYTET MUZE

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Ai është qytet muze me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme për nga gjinitë, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Nga zonifikimi dhe nga përcaktimi i kategorisë së monumenteve qyteti ndahet në tri zona: zona muze, zona e mbrojtur dhe zona e lirë.

Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë:

KËSHTJELLA

Kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. Me themelet e saj ilire, e rindërtuar disa herë në shekujt VI, XIII, XV dhe XIX ajo është sot jo vetëm një nga kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv i gurtë që ofron varietete stilesh dhe kontributesh të epokave të ndryshme : ilire, romako-bizantine, shqiptare e turke. Kështjella është pjesë e legjendës së vjetër e të bukur të Tomorit dhe Shpiragut.

URA E GORICËS

Ura e Goricës është një nga monumentet e kulturës dhe të arkitekturës së Beratit dhe njëkohësisht një nga simbolet e tij. Rreth viteve 1780 me përkujdesjen e Ahmet Kurt Pashës, nga urë druri në pjesën e sipërme, ajo u ndërtua e gjitha prej guri. Ajo u rindërtua përsëri në vitin 1922 nga bashkia e qytetit duke marrë pamjen që ruan sot, me parmakë betoni. Është 129,3 m e gjatë, 5,3 m e gjerë, ngrihet 10 m mbi lumë dhe ka 7 harqe me hapësira 9 deri 16,7 m.

NDËRTESAT E KULTIT

Disa kapitole dhe kolonada dëshmojnë se në Berat kanë ekzistuar kisha paleokristiane të shekujve IV–VI (Shën Todri). Ndër kishat më të bukura të ndërtuara në shekujt XIII-XIV janë : Shën Mari Vllaherna, Shën Triadha dhe Shën Mëhilli. Në Berat ka edhe një numër ndërtesash të fesë islame, me vlera të shquara arkitektonike e artistike, si : teqeja e Helvetive, Xhamia e Beqarëve, Xhamia e Plumbit, etj.. Këto kisha, xhami dhe ndërtesa të tjera urbane, sidomos ansamblet e lagjeve “Mangalem”, “Kala” e “Goricë”, janë perla të arkitekturës mesjetare. Nga përshtypja e veçantë që të krijon ansambli i Mangalemit, Berati është quajtur edhe qyteti i një mbi një dritareve.

ARTI DHE ZEJET

Në Berat është gjetur një vepër e rrallë,  epitafi i Glavinicës, një krijim i mirënjohur i vitit 1373, i qëndisur në ar, argjend e mëndafsh, që tregon Krishtin e vdekur të kurorëzuar, të rrethuar me shkrime greke…Katedralja e Shën Marisë shquhet për ikonostasin e saj, të gdhendur në dru të larzuar me ar, një vepër artistike e cilësisë së parë. Më e rëndësishmja nga dëshmitë e lashtësisë është Kodiku i Purpurt (Codex Purpureus Beratinus) i shekullit VI, i shkruar në pergamen të purpurt. Ai është një nga katër/gjashtë kopjet e vetme të gjetura në të gjithë botën. I dyti është Kodiku i Artë (Codex Aureus) i shekullit IX, i shkruar në pergamen me shkronja ari. Që të dy këta kodikë përmbajnë pjesë nga ungjijtë të shkruar në greqishten e vjetër. Këta kodikë të rinj u zbuluan në kështjellë në 1972 dhe ruhen sot në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.