Vjosa Emini: “Nuk i duroj thashethemet, por tashmë jam mësuar me ‘to”

1125
Sigal

INTERVISTA/  Flet këngëtarja Vjosa Emini:  Nuk e teproj me tualet, në çdo gjë ruaj sensin e masës

 Një këngëtare që për çdo ditë të befason. Këngët e saj po bëhen hite jo vetëm në Kosovë, por edhe në diasporë. Ajo është lidhur shumë me këngën dhe tashmë këtë profesion kaq të bukur po ja transmeton vajzës Tiara. Nuk i pëlqejnë thashethemet, por as nuk i bëjnë përshtypje, tashmë është mësuar me to.

 Aktualisht çfarë po bën Vjosa?

Marr pjesë në aktivitete, koncerte, apo festa të ndryshme që më ftojnë. Bëj plane për të ardhmen. Dëgjoj muzikë, evidentoj mangësitë, shtroj platforma, mbaj lidhje të ndryshme që lidhen me muzikën. Punoj vazhdimisht me kompozitorë dhe menaxherë që  të rris aktivitetet që të mos i zhgënjej kurrë fansat e mi. Pa fansat do të ndjehesha diçka boshe. Ata më japin zemër dhe forcë. Mes tyre ndihem e sigurt. Projektet janë të shumta, por këmbëngul gjithmonë tek cilësia.

 Vjosa si po e përmbyllni këtë vit?

 -Them se mjaft bukur. Plot arritje, mbushur me aktivitete, këngë të reja, projekte, lëvizje pa mbarim. Pra jetë e gjallë, që s’më ka lënë të mendoj gjatë.

Përmasat e aktiviteteve tuaja janë në të gjitha vendet ku ka emigrantë shqiptarë. Ku ndiheni më mirë?

Unë ndihem mirë kudo ku ka emigrantë shqiptarë, por më mirë, më e lirshme, më e çlirët ndihem në Kosovë.  Kjo për shumë arsye, pasi këtu jam lind, jam rrit, këtu kam më shumë miq dhe i njoh skenat dhe spektatorët. Por kjo s’do të thotë që ndihem keq dhe në vendet, ku ka emigrantë shqiptarë. Kudo më kanë pritur mirë, kudo më kanë pritur me brohoritje, por prapë vendlindja mbetet vendlindje.

 A do të merrni pjesë në programet e Vitit të Ri?

Po, kam marrë takime me shumë drejtues programesh dhe mendoj se do të jem aktive në të gjitha programet festive televizive dhe fonike të vitit të ri. Asnjëherë nuk kam munguar vitet e fundit ndaj them se dhe këtë herë me kërkesat që kam do të jem e pranishme kudo në televizione dhe në radio. Këtë vit do të ketë programe më të pasura. Këngët do të jenë të ndryshme ato do të përzgjidhen nga unë dhe nga drejtuesit e programacionit. Besoj se do të jenë nga pjesa më e mirë e repertorit tim.

 Sa do të jeni aktive në programet e Vitit të Ri?

Mund të them se është albumi im më i formatuar, më profesionali dhe që ka ngjallur diskutime të shumta. Por çdo gjë matet dhe me tregun, ku unë mund të them se kam arritur më shumë se sa parashikoja. Sot ka shumë këngëtarë dhe të evidentohesh me albume në mënyrë dinjitoze tregon se profesionalizmi po vlerësohet nga publiku. Ai është i vëmendshëm dhe di të reagojë në çdo drejtim.

 Thashethemet i ndjekin këngëtaret kudo. Ju a ju kanë ndjekur dhe si keni reaguar?

Eh, gazetat bëjnë punët e veta. Në fillim edhe revoltohesha për pasaktësi të ndryshme. Por tani nuk i kushtoj rëndësi, tregohem shumë indiferente. Mundohem të mos i hedh ujë zjarrit. Thashethemet ngelen thashetheme. Fundja për çdo artist, apo person publik do të ketë thashetheme, ato janë pjesë e jetës tonë. Ndonjëherë na bëjnë dhe reklamë pa dashur (ahaaaaaa).

 Jeta e skenës e muzikës ka shumë befasi dhe të veçanta. Cilin moment do të veçonit ju nga kjo jetë skenike?

Mund të them se duke pasur parasysh se asnjëherë nuk kam pasur dështime, jeta skenike ka pasur kurbë ngritje. Pra ditë që ta veçoj si ditë historike në jetën time skenike mund të them se nuk kam.  Flitet shumë për garderobën tuaj. Gjithmonë jeni befasuese në skenë me veshjen tuaj… Keni një luk mjaft prefekt.Veshja është respekt për veten, është respekt edhe për publikun, fansat. Veshja është kulturë. Nuk e ekzagjeroj me veshjen, ashtu sikundër edhe me tualetin. Bëj tualet të lehtë, normal, aq sa i duhet një femre në respekt të vetes. Të gjitha i përdor me masë.

 Të flasim pak për vajzën tuaj të bukur Tiara, a do të ndjekë ajo rrugën e mamit? A ka të dhëna për muzikë?

 Çdo prind ka dëshirë që fëmija të bëhet më e mirë se ai, ajo. Unë nuk kam dashur kurrë që vajzën ta shtyj drejt rrugës time, por kam dashur që ajo të zgjedhë profesionin që dëshiron. Por kam parë që qysh e vogël, ajo e do këtë profesion, e do këngën, e do muzikën, këndon gjithnjë. Ma ka shprehur vetë këtë dëshirë. Mendoj se do të jetë pasardhëse e denjë. Ajo shpesh herë më shoqëron kur këndoj dhe më ka ndjekur në shumë koncerte.

Madje mund të them se në disa koncerte ajo ka duartrokitur shumë, saqë jam ndjerë vërtet e lumtur që i kam dhënë këtë kënaqësi vajzës time.

 Mendimi juaj për dashurinë?

Dashuria është virtyti më i lartë njerëzor. Dashuria të çon në qiellin e shtatë.

Ndihet mirë nga publiciteti juaj?

Mjaft mirë dhe këtë ma ka thënë disa herë. Ka shumë interes në të gjitha spektaklet e mia.

 Rrugë e gjatë, rrugë e vështirë, a keni ndonjë peng?

S’besoj se kam. Them nuk kam pasi e kam jetën përpara. Njeriu ka shumë dëshira, shumë ëndrra, por kur ka moshën, kur ka zërin, kur ka kohën përpara thotë se do t’i realizoj. Pengjet për mendimin tim vijnë në një moshë të thyer. Vijnë në një moshë, kur njeriu bën diferencat jetësore dhe psherëtin për ndonjë gabim, apo mosrealizim në vitet e rinisë. Ndaj them se do t’i realizoj ëndrrat.

 Jeni supersticioze?

Jo. Jam besimtare, por jo supersticioze. Besoj në punën dhe zërin tim.

 Lexoni në kohë të lirë?

Lexoj ndonjë revistë, por dhe gazetat që shkruajnë për mua.

Jeni xheloze ndaj këngëtareve që kanë emër?

Unë kam emrin tim, kam këngët e mia, kam zërin tim. Dua të evidentohem siç jam. Pra nuk kam xhelozi, por ego profesionale, ego të pastër që më nxit për më shumë.

 Çfarë vlerësoni tek njerëzit?

Aftësitë profesionale, zemërgjerësinë dhe korrektesën.