Lajmi kryesor i mediave në Austri: Në Shqipëri u bë grabitja më e madhe

745
Sigal

Lajmi për grabitjen e një avioni të Austrian Airlines është lajmi më i rëndësishëm në Austri. Qindra media të këtij vendi, duke nisur tek gazetat e televizionet më të rëndësishme, i kanë kushtuar hapësirat kryesore këtij lajmi. ‘Heute’ shkruan se bëhet fjalë për avionin Airbus A-320 me shenjë identifikimi OE-LBY dhe me 134 pasagjerë në bord. Sipas gazetës, sulmi ka ndodhur rreth orës 14:30. Në shkrim thuhet se nuk është plagosur askush nga ekuipazhi dhe pasagjerët. As avioni nuk është dëmtuar. Po ashtu në shkrim thuhet se mendohet se janë grabitur 10 milionë euro. Më tej thuhet se kjo nuk është grabitja e parë e këtij niveli në Shqipëri.

Kurse OE24 shkruan se skenat e regjistruara në Tiranë i ngjajnë një filmi të Hollivudit. Në raportim thuhet se një nga grabitësit është vrarë. Më tej thuhet se kjo nuk është hera e parë që sulmohen avionët, pasi kjo ka ndodhur edhe në vitin 2015, 2016 dhe 2017. Kleine Zeitung thekson faktin se personat kanë qenë të armatosur rëndë, madje me granata dhe eksploziv. Gazeta thekson se bankat shqiptare dërgojnë vazhdimisht paratë e tyre përmes ajrit drejt Vjenës.