Kushtet e vështira në Durrës, fëmijët shkojnë në shkollë me turne

604
Për shkak të numrit të madh të nxënësve, si dhe investimeve që po kryhen në disa objekte, në shumë shkolla të Durrësit mësimi zhvillohet me turne.
“Në turnin e dytë përfshihen klasa që fillojnë nga klasa e dytë deri në klasën e 5-ste pasi me urdhër të ministrisë klasat e para e zhvillojnë mësimin paradite”, tha Lindita Mukaj, drejtuese e DAR Durrës.
Pavarësisht vështirësive me të cilat hasen prindër dhe nxënës në turnet e pasdites, për shkak të orëve të reduktuara, uljes së ndriçimit natyral në këtë stinë dhe në dimër, drejtoresha e Drejtorisë Arsimore në Durrës thotë se kjo situatë nuk do e cenojë procesin mësimor dhe orët do të plotësohen gjatë ditëve të shtuna për turnet e pasdites.
“Nëse do të reduktohet diçka, orari i daljes së gjimnazit, mund të cënohet pjesa e pushimeve të ndërmjetme, me shkurtimin e të cilave mund të përfitohet një 20 minutësh”, tha Mukaj.
Nevojat për objekte të reja shkollore në Durrës janë të mëdha. Lëvizjet e shumta demografike vazhdojnë të rrisin numrin e banorëve dhe kërkesat për regjistrim, ndërsa klasat në shumë shkolla janë të mbingarkuara me nxënës. Në prill të këtij viti, bashkia Durrës numëronte afro 314 500 banorë, ndërsa dy vjet më parë 309 mijë.
Sigal