Kukës, kanalet vaditëse rivihen në punë pas shumë vitesh

228
Në Kukës, fushat këtë vit ruajnë ende gjelbërimin pasi kanalet ujitëse pas shumë vitesh janë vënë në punë nga Bashkia Kukës. Fermerët janë në pikun e punëve në bujqësi dhe prodhimet duken të mbara. Fermerët e Kalimashit, pas tetë vitesh kanë ujë në parcela e i gëzohen këtij fakti duke rritur shpresat për rritjen e sipërfaqeve me kultura të tjera bujqësore. 
Nga pastrimi i kanaleve dhe vendosja e tubacioneve për vaditje përfitojnë rreth 120 hektarë tokë të këtij fshati. Edhe në fshatin Simon, pas disa vitesh mos funksionimi është vënë në punë kanali vaditës ku kapaciteti i ardhjes së ujit në parcelat e mbjella me kultura të ndryshme bujqësore është më i madh. Fermerët thonë se do rrisin sipërfaqet vitin e ardhshëm ndërsa mendojnë edhe për krijimin e impianteve vaditëse. Vënia në eficencë e rrjetit ujitës ka qenë prioritet i Bashkisë së Kukësit, ku përmes Bordit të Kullimit, u angazhuan burime njerëzore e mjete të mekanizuara për pastrimin dhe sistemimin e disa veprave vaditëse, si në Uzinë, Kolsh, Kalimash, Ujmisht, Pobreg, Bushat e të tjera.