Kuçovë, mbyllet Uzina e Riparimit, shiten 6 avionët e parë, ja fati i 194 të tjerëve

845
Sigal

Pas futjes së Ushtrisë Shqiptare në NATO erdhi dhe mbyllja e Uzinës së Riparimit të Avionëve në Kuçovë. Me këtë rast filluan të dalë jashtë përdorimit e gjithë “pasuria” e aviacionit shqiptar. Është për t’u theksuar se në aerodrom ndodhen avionë të markave të ndryshme, të cilët shërbenin për ruajtjen e hapësirave të territorit shqiptarë. Tashmë ka rreth 10 vjet që kjo uzinë po “fle gjumë” dhe nxori jashtë funksionit 200 avionët, të cilët tanimë presin radhën për t’u shitur. Burime zyrtare nga Aerodromi i Kuçovës, bëjnë të ditur për gazetën “Telegraf” se deri tani janë shitur 6 avionë tipit “Amdyshë” dhe “Jak”, të cilët janë blerë nga biznesmenët e huaj si grekë dhe italianë. Burimet konfirmojnë se këto ditë një biznesmen shqiptar, do të blejë një avion tip “Amdyshë”, i cili do të vendosët në ambientet e qendrës tregtare që ai drejton, si muze, që të krijojë një interesim për njerëzit, të cilët do të shohin dhe një avion ushtarak të Luftës së Dytë Botërore të tipit rus. Sipas të dhënave janë në proces shitjeje dhe 5 avionë të tjerë “Amdyshë” dhe “Jak”. Çmimi i një avioni “Amdyshë” është 15 milionë lekë të vjetra. Burime nga aerodromi bëjnë të ditur se, dy avionë të tipit “Mig 19” e “Mig 21”, të prodhimit kinez, do të vendosen në muzeun e Akademisë Ushtarake në Tiranë, për t’u mbetur në këtë muze edhe për brezat e ardhshëm të ushtarakëve të rinj. Të gjithë avionët e markave të ndryshme do të dalin në ankand për t’u shitur. Sipas specialistëve bëhet e ditur se, Aerodromi i Kuçovës do të kthehet në një aerodrom për avionët e tipit “Helikopterë” të forcave të NATO-s .