Kthimi i emigrantëve ka shtuar numrin e papunësisë

1097
Sigal

ELBASAN/ Intervistë me drejtorin e Zyrës së Punës, Eduard Shehu: “Mungojnë praktikat e punësimit”

Drejtori i Zyrës së Punës në Elbasan, Eduard Shehu në një intervistë për “Telegraf”, bën publike shifrat e papunësisë në këtë qytet .Gjithashtu z. Shehu thekson se problem mbetet komuniteti romë, ai egjiptianë, ata me arsim 9 –vjeçar dhe së fundmi janë shtuar edhe emigrantët.

Zoti Shehu sa është numri i të papunëve në Elbasan?

Numri i të papunëve në qytetin e Elbasanit është 11787, ndërsa për rrethet Peqin është 1317, Librazhd 1123 dhe në Gramsh është 1937 vetë të papunë. Punësimi i tyre do të jetë shumë i vështirë pasi mungojnë praktikat e punësimit.

Numri i kërkesave për punësim ka ardhur në rritje apo ka ndodhur e kundërta?

Numrin më të madh për kërkesë punësimi e zënë romet dhe egjiptianët, ku janë 538 që kërkojnë punë dhe pjesën tjetër e zënë të tjerët. Gjithashtu dua të  them se numri i emigrantëve që janë kthyer dhe që janë regjistruar në zyrën tonë është 126 një numër ky më i madh se vitet e tjera. Sigurisht që numri i punë kërkuesve vjen duke u rritur pasi shumë të rinj rriten dhe mbushin moshën për punë.

A është rritur ky numër?

 Jemi pothuajse konstante me shifrat, nuk kemi as ulje dhe as ngritje, por këtu dua të theksoj se përpara 2-3 muajve kur dy subjektet më të mëdha siç është KURUM dhe ECF, të cilat mbetën në atë kohë pa energji elektrike dhe ndërprenë  punën atëherë, po që rrezikuan gati  600-700 punëtorë  që të mbeteshin në rrugë të madhe.

Të çfarë kategorie  janë më shume të papunët?

Të pa punët në qytetin e Elbasanit janë egjiptianët dhe romet, më pas vijnë ata me arsim 9 –vjeçar, më pas me shkollë të mesme dhe shumë pak janë me arsim të lartë. Ne në fakt për romët dhe egjiptianët përpiqemi që herë pas here të krijojmë mundësi që ata të formohen profesionalisht duke i çuar te qendra e formimit profesional, ku ata mund të formohen profesionalisht falas, ku pagesa e tyre bëhet nga subvencionet e shtetit.