Kryebashkiaku Erion Veliaj: Qytetet duhet të mbushen me oksigjen, prandaj të gjithë bashkë të mbjellim sa më shumë pemë

67

Filloi stina e mbjelljeve të pemëve në Liqenin e Farkës, i cili është kthyer në një nga pikat më tërheqëse në kryeqytet. Kryebashkiaku Veliaj, tha se pandemia na mësoi rëndësinë që ka ruajtja e mjedisit. Ai ftoi qytetarët që, krahas Parkut të Liqenit, të vizitojnë edhe Parkun e ri të Farkës. “Edhe qytetet janë si njerëzit, duhet të mbushen me oksigjen. Një nga arsyet pse zgjodhëm të mbjellim pemë buzë liqenit të Farkës është për t’iu treguar qytetarëve se ky vend ekziston. Është një hapësirë më e madhe se Liqeni i Tiranës, i cili është i mbipopulluar. Pra, nëse dikush që merret me sport apo dëshiron të nxjerrë familjen shëtitje, Liqeni i Farkës është një valvul fantastike shkarkimi. Ndaj, duam t’i ftojmë të gjithë qytetarët, ejani përdoreni liqenin dhe nëse keni dëshirë mbilleni një pemë”, tha kryebashkaiku Veliaj dhe në këtë sezon mbjelljesh, që zgjat deri në mars, ftoi qytetarët t’i bashkohen aksionit për t’i lënë një pajë gjeneratës së ardhshme. Është nga të vetmet gjeste që nuk ka lidhje fare me politikën, as me teoritë e konspiracionit, e as me të majtën dhe të djathtën. Të gjithë marrim frymë. Do i ftoja të gjithë qytetarët të drejtohen tek Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, ose mund ta bëjnë edhe online, të rezervojnë vendin dhe ditën. Ne do t’ju ndihmojmë me mjetet e punës, me hapjen e gropës, me një identifikim”, – shpjegoi kryebashkiaku Veliaj.