Kryebashkiaku Çipa: Në Sarandë vjen si pushues dhe përcillesh si mik

524
Sigal

Sarandë, çelet sezoni i verës 2014 dhe promovohet Festa e Midhjes

Saranda çeli sezonin e verës 2104 dhe promovoi Festën e Midhjes që sivjet ishte në edicionin e tretë të saj. Morën pjesë edhe ministrja e ZHUT, Eglantina Gjermeni, zv.ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Alban Zusi, drejtori i USAID, David Coulles, si dhe ambasadori rus Leonid Abramov, deputetja Luiza Xhuvani etj.. Kryebashkiaku Stefan Çipa ka shpalosur se slogani i kësaj vere është: “Destinacioni juaj-Saranda jonë. Këtu vjen si pushues dhe përcillesh si mik”. “E tërë fundjava, prej datës 9, 10 dhe 11 maj, u përjetua si një fundjavë festimesh dhe promovimesh, duke bashkuar në një, festën lokale më tipike të Sarandës (Festën e Midhjes), me atë që Saranda e ka si industrinë e vet: Turizmin. Në krahun e qeverisjes vendore në të gjitha përgatitjet tona për këto dy evente, janë njerëzit e biznesit turistik e atij në shërbim të turizmit, por edhe qytetarët. Është e dukshme puna që bëhet për përgatitjen në standardin e kërkuar të njësive tona akomoduese. E pandarë kjo nga synimi për rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe për të aplikuar çmime sa më të pranueshme e konkurruese, duke hequr dorë nga spekulimet dhe për të mos e humbur tregun e turistëve e për të fituar kategori të reja pushuesish këtë verë. Pritshmëritë janë që ky sezon do të jetë më i suksesshmi i tërë viteve të fundit për Sarandën”, tha Stefan Cipa. “Ogur i mire, sipas tij, është se Saranda ka qenë në interesin e vizitorëve të parë të kësaj stine pranvere, me gjithë paqëndrueshmërinë e motit. Por edhe përgatitja e qytetit është më cilësore për të pritur turistë. Bilanci është mjaft impresionues në shtimin e sipërfaqeve të gjelbëruara dhe në shërbimet që u bëhen atyre, për t’i patur si pjesën më të gjallë të dekorit të qytetit, me impakt në cilësinë dhe kulturën e jetës e të pushimit. Gati 2000 m2 sipërfaqe të gjelbra i fituam dhe i kthyem nga private në publike, përmes aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe në thellim të nismës sonë të njohur “prish beton e mbill lule dhe pemë”.

Infrastruktura turistike, në kuptimin e plotë të kësaj fjale, është më e mirë dhe më e gatshme: hoteleria, sinjalistika, pikat e interesit turistik që do të jenë këtë verë më të arritshme.

Administrimi i plazheve është një sfidë më vete këtë verë, mbështetur edhe në vendimin e qeverisë për të qenë 80% e tyre plazhe publikë. Plazh publik është konsideruar e gjithë sipërfaqja e plazhit nga Porti Detar deri përpara Hotel “Butrinti”, me një sipër-faqe totale prej 8.910 m2. E gjithë kjo sipërfaqe e plazhit publik do të administrohet nga Bashkia, me shezlongët dhe çadrat e Bashkisë, duke lënë hapësira të lira për qytetarët.

Nga podiumi i festës së detit Cipa tha se pritshmëritë janë që sivjet numri i turistëve të shkojë nga 500 mijë në 600 mijë. Ai ka treguar për turistët suedezë, që kanë prenotuar qysh tani hotelet në Sarandë. Sezoni i ardhjes së tyre shtrihet nga 26 maj në 23 shtator dhe kontratat janë bërë për të fluturuar drejt Sarandës me avionë charter nëpërmjet Korfuzit, por destinacioni i tyre do të jetë Saranda. Kjo, tha Cipa, bën edhe më të domosdoshëm zbatimin e projektit të aeroportit të vetë të Sarandës, në Vrion, që ka mbetur në proces dhe është bërë studimi i fizibilitetit.

 Vera 2014 vjen me disa risi për Sarandën

1. Në radhë të parë do të kemi det dhe plazhe tërësisht të pastër nga filtrimet e ndryshme, që kanë qenë problem në tërë këto vite. Për ne dhe për të gjithë ata që Sarandën e kanë të preferuarën e tyre për pushimet verore, është një lajm i mirë që fundi i muajit maj, ekzaktësisht 31 maji, do të jetë edhe fundi i mbajtjes jashtë funksionit të impiantit të ujërave të ndotura në Çukë.

2. Risia e dytë lidhet me faktin se kjo është vera e parë që investimi i Bankës Botërore për portin e kruazierave, do ta japë të plotë impaktin e vet, pasi përfshin të gjithë sezonin. Kjo ka dhënë kohën e nevojshme për lidhjen e kontratave me kompanitë e kruazierave, që organizojnë këto udhëtime.

3. E reja tjetër është se Bashkia ka konkretizuar më shumë politikat e saj për t’i ardhur në ndihmë të bizneseve turistike. Këtë e kemi bërë duke ulur taksën e fjetjes ne hotel, të mbështetur me vendimmarrjen e këshillit bashkiak.

4. Një tjetër risi lidhet me orientimin e saktë që ne kemi për tregun turistik. Këtë verë ne presim flukse turistësh të shtuar nga disa vende.

5. Përveç turistëve nga trevat shqiptare dhe nga fqinjët tanë, presim flukse nga Polonia, Izraeli, Serbia, Rusia, etj.

6. Surprizë më vete për këtë verë përbën ardhja e 900 turistëve suedezë, e konfirmuar kjo nga ambasada e Suedisë në Tiranë.

7. 26 maji shënon mbërritjen e grupit të parë të tyre, prej 90 vetësh, që përdorin aeroportin e Korfuzit për ardhjen me avionë charter, në sezonin 26 maj-23 shtator, ndërsa destinacion i tyre i parë është Saranda.

8. Veçorive dalluese të kushteve që ofron Saranda këtë verë u shtojmë edhe sigurinë se do të ketë edhe një furnizim më të mirë me ujë të pijshëm, falë investimit të Bankës Botërore e bankës gjermane KFË dhe administrimit më të mirë të rezervave ujore.

9. Edhe infrastruktura grupuar dhe krijuar një rrjet muzesh dhe pikash të vizitueshme.

10. Kemi rikompozuar shëtitoren dhe hapësirën rreth Li-manit, duke i dhënë tipare të theksuara të një qyteti tipik portual.

11. Sinagoga hebraike në qendër të qytetit, Muzeu Etnografik dhe Arkeologjik dhe Muzeu i Traditës, përbëjnë një bashkësi pikash të një guidë turistike të thjeshtë e të shpejtë, që çdo turist mund t’i vizitojë duke ecur në këmbë.

12. Bashkia ka programuar të mbështesë një varg veprimtarish, me karakter lokal, kombëtar e ndërkombëtar, si produkte artistike që do të shoqërojnë sezonin veror e do ta bëjnë atë më relaksues, si për banorët edhe për turistët vendas e të huaj.

 13. E reja e sivjetme është se po bashkëpunohet ngushtë me strukturat përkatëse për përcaktimin e zonave të identifikueshme në plazhe, të pajisur me sinjalistikën përkatëse për motorrat e ujit, për mbrojtjen e plazheve me bova etj.,

14. Sivjet plazhet e Sarandës do të japin edhe më shumë siguri për jetën e plazhistëve, pasi do të jenë më të vëzhguara se çdo vit nga ekipe shpëtimi e kulla vrojtimi, ndërkohë që, në bashkëpunim me dhe ofrimin e ndihmës së shpejtë në plazhe. U përuruan edhe ekspozita fotografike “Memoria e qytetit”, si dhe ekspozita më e re e Galerisë së Artit “On the road”.