Krujë, grabitja e 110 milionë lekëve në postë, arrestohen tre persona

651
Sigal

Tre persona janë arrestuar në lidhje me grabitjen e ndodhur pak ditë më parë në postën e Krujës, ku u vodhën 110 milionë lekë.

Burime nga policia bënë me dije se pas arrestimit të rojës private, Besnik Parruca, i cili akuzohet për veprat penale ‘Moskallëzim krimi’ dhe ‘Shpërdorim detyre’, u vunë në pranga dhe këta tre persona.

Të njëjtat burime sqaruan se grabitja ndodhi mëngjesin e 4 tetorit, ku autorët kanë marrë një sasi lekësh dhe një sasi valute nga njëra prej kasafortave dhe më pas janë larguar me një kamionçinë frigoriferike.

Roja private, pasi mori dijeni për ngjarjen akuzohet se nuk ka kryer sipas detyrimeve ligjore njoftimin e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, as në momentin kur patrulla e policisë ka kaluar dhe e ka pyetur nëse kishte ndonjë problem tek posta, me pretendimin se është kërcënuar nga autorët.

Ndërkohë ka dyshime se autorët kanë detyruar rojën private t’i ndihmojë. Deri më tani nuk dihet identiteti i personave të arrestuar.