Rreziku: 410 diga janë në gjendje të vështirë teknike

276
Sigal

Pas raportit të Bankës Botërore, qeveria shqiptare pranon zyrtarisht se një pjesë e digave në vend përfshirë edhe ato të  bujqësisë, përbëjnë një kërcënim serioz dhe duan ndërhyrje urgjente. “Nga vlerësimi i bërë për gjendjen teknike të 626 digave, rezultoi se 410 (ose 65% e numrit), shfaqin probleme të theksuara teknike dhe kërkojnë vëmendje urgjente. Ja paralajmërimi i bërë vite më parë në Telegraf nga Prof. Farudin Hoxha.

Diga të caktuar në periudha të caktuara janë lënë në mëshirë të fatit të njerëzve, të pakualifikuar për shfrytëzimin e tyre. Mosvlerësim i drejtë i të mirave, që ato japin dhe i pasojave të rënda dhe shkatërruese që digat dhe ujëmbledhësit shkaktojnë kur prishen.

Prej kohësh ka një shqetësim të ngritur lidhur me gjendjen teknike të digave në vend. Ky shqetësim bëhet evident sa herë ka rritje të prurjeve ujore dhe shirave. Por së fundmi në një dokument zyrtar qeveria pranon se një pjesë e mirë e digave në vend përfshirë ato që janë të lidhura me bujqësinë përbëjnë kërcënim serioz dhe duan ndërhyrje urgjente.“Një vlerësim i bërë për gjendjen teknike të 626 digave, rezultoi në përfundimin se 410 (ose 65% e numrit të përgjithshëm), shfaqin probleme të theksuara teknike dhe kërkojnë vëmendje urgjente. Drenazhimi i ujërave është përkeqësuar gjithashtu për shkak të përmbytjeve të kanaleve kulluese dhe uljes së kapacitetit kullues të hidrovorëve. Situata pritet të përkeqësohet më tej për shkak të ndryshimeve klimatike, të cilat janë pasqyruar në fenomene ekstreme të motit”-thuhet në dokument. Një pjesë e digave janë në varësi të Ministrisë së Bujqësisë. Konkretisht sipas të dhënave zyrtare që raporton dokumenti në Shqipëri ka 362 diga më të larta se 15 m me zona të populluara poshtë tyre.“Ato janë relativisht të vjetra, veçanërisht ato në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural apo pushtetit vendor, të cilat përbëjnë rreth 90% të digave dhe për rrjedhojë më të cënueshme ndaj aktivitetit sizmik. Gjithashtu, kërkohet edhe ndërtimi i digave të reja, disa prej të cilave në zonat e ekspozuara ndaj rrezikut sizmik nga pikëpamja gjeologjike  thuhet në dokument. Por dora e njeriut me ndërhyrje në ndërtime pa leje apo urbanizimin e pastudiuar duket e ka rritur rrezikun gjithashtu. Dokumenti nënvizon se vlerësohet se ka një numër të konsiderueshëm ndërtimesh pa leje në infrastrukturën e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet.“Urbanizimi dhe ndërhyrja njerëzore nga njëra anë, degradimi natyror nga ana tjetër, kanë bërë që shumë prej infrastrukturave mbrojtëse të jenë jashtë funksionit ose gjysmë-funksionale, në një mjedis ku frekuenca, ashpërsia dhe shpërndarja gjeografike e përmbytjeve janë në rritje,”-nënvizon strategjia. Në tërësi është kërkuar që të bëhet një rivlerësim i gjendjes së digave mbi 20 vjeçare dhe të bëhet ndërhyrje emergjente në ato raste kur situata shfaqet me problematikë.

Nga intervista për “Telegraf” me Akademikun Farudin Hoxha: Ju rrëfej rrezikun e digave, po u çanë na pret katastrofa

Digat dhe ujëmbledhësit e krijuar prej tyre janë një pasuri kombëtare me vlera të mëdha, të jashtëzakonshme për zhvillimin e qëndrueshëm e të gjithanshëm të vendit. Prezenca e digave dhe e ujëmbledhësve të krijuar prej tyre, aktualisht në shfrytëzim në vendin tonë, nuk është e rastësishme. Ato janë produkt i investimeve kolosale monetare, njerëzore e intelektuale, të brezave paraardhës të popullit tone, që sot me modesti thonë “kemi bërë detyrën”.

Digat, në mëshirën e fatit

“Pavarësisht nga shkaqet objektive apo subjektive, kujdesi për to ka qenë shumë i vogël, për të mos thënë që në disa raste është shkuar deri në braktisjen e tyre. Diga të caktuar në periudha të caktuara janë lënë në mëshirë të fatit të njerëzve, të pakualifikuar për shfrytëzimin e tyre. Në to, për arsye absurde, me dashje, janë shpërthyer edhe ngarkesa eksplozivi. Një pjesë e Digave tashmë i janë nënshtruar procesit të vjetërimit. Ky fakt kërkon nga shfrytëzuesit të forcojnë kërkesat për mirëmbajtje cilësore të digave, për të garantuar sigurinë dhe jetëgjatësinë e tyre. Mosvlerësim i drejtë i të mirave që ato japin dhe i pasojave të rënda dhe shkatërruese që digat dhe ujëmbledhësit shkaktojnë kur prishen. Mungesa e specialistëve të kualifikuar dhe të profilit në shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e tyre, bën që prishja e një dige dhe pasojat, që vijnë prej saj, të mbeten një rrezik real potencial shumë i madh. Mosha relativisht e madhe e digave dhe kujdesi i pakët për to, ka bërë që një pjesë e elementëve përbërës të tyre, të kenë humbur vetitë e nevojshme, që garantojnë funksionimin normal dhe qëndrueshmërinë e tyre. Kjo vihet re në bllokimin e sistemit të drenazheve, të pajisjeve hidromekanike të portave, saracineskave, e pajisjeve të tjera. Të gjitha këto krijojnë premisa për ndodhi të rrezikshme në këto vepra”, -thotë akademiku Farudin Hoxha gjatë intervistës vite më parë për gazetën “Telegraf”.